Kthehu lart

Ngritja e tarifave të energjisë e pashmangshme

Ngritja e tarifave të energjisë e pashmangshme
GazetaExpress E martë, 14 Shkurt 2012 20:18

Ngritja e tarifave të energjisë elektrike do të bëhet gjithsesi, por kjo do ndikonte edhe që konsumatorët të kursenin energjinë më shumë. Pastaj, projekti “Kosova e Re” me 600 MË plotëson gjashtë kriteret që Banka Botërore i shqyrton dhe vlerëson para se të jap financimin për të. Gjithashtu, “Kosova A” pritet të mbyllet në gjashtë vitet e ardhshme ndërsa “Kosova B” do të rehabilitohet në gjashtë vitet e ardhshme dhe do bëhet sipas standardeve evropiane.

Këto ishin vetëm pak nga temat që janë përmendur në raportin e panelit të ekspertëve të pavarur, për raportin energjetikë të Kosovës, duke përmbyllur kështu fazën e fundit të Qeverisë së Kosovës rreth këtij projekti.

Derek Taylor nga ky panel para ekspertëve, shoqërisë civile e zyrtarëve të vendit, ka shpalosur të martën raportin duke thënë se ajo që shihet shumë qartë, është që kërkesa e energjisë është me lartë se furnizimi dhe se projekti “Kosova e Re” është me koston më të ulët të mundshme që Kosova të përmirësonte furnizimin me energji elektrike dhe të zëvendësonte “Kosova A” në vitet e ardhshme.

Taylor është habitur kur është diskutuar për tarifat e energjisë. Sipas tij, do ngritët gjithsesi, ngase po investohet, por edhe do ndikojë në kursim më të madh.

“Duhet të keni energji të përballueshme sa i përket çmimit, nuk duhet të rritet shumë tarifa dhe askush nuk po thotë se do bëhet ashtu, gjithsesi se ajo do rritet, pavarësisht kapaciteteve të reja që do të bëhen, sa do të jetë kjo rritje ne nuk e dimë, është e pashmangshme rritja, por do të jetë e pagueshme”, ka thënë ai.

Ekspertët kanë kërkuar që projekti të shfrytëzojë teknologjinë, e cila ofron efikasitetin më të mirë të mundshëm.

Ndërsa , ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj ka pohuar se kjo është faza e fundit që përmbyll këtë projekt.

Ai ka bërë të ditur se ekzistojnë dy opsione, ai në mes të “Kosovës së Re’ dhe energjisë alternative, apo që nëse kjo të hiqet dhe të mendohet për barrën e kostos që do paguajë qytetari. Për këta të fundit ai pranon se vetëm janë penalizuar deri më tani.

“Ne nuk kemi pasuruar më shumë qytetarët me tarifa, por i kemi penalizuar shumë më shumë. Ata është dashtë të blejnë gjeneratorë, ata është dashtë të blejnë derivate të naftës, kanë pagua taksë për mjete që nga buxheti kanë shku për dhënie të drejtpërdrejtë KEK-ut në formë të subvencionimit”, ka thënë ai.

Por sigurisht që shoqëria civile nuk kanë lënë pa kërkuar shpjegime më të hollësishme dhe edhe kanë dhënë vërejtje.

Luan Shllaku, nga Forumi 2015 ka pohuar se problemet me tokat bujqësore, ujërat dhe banorët përreth vendit ku do ndërtohet “Kosova e Re” kërkojnë vëmendjen më të veçantë, ku nuk ka lënë pa përmendur Haden.

Shllaku gjithashtu ka thënë se energjia alternative, është mundësia më e mirë për vendin.

“Në një afat të shkurtër ‘Kosova A’ duhet të eliminohet nga puna, po e them kështu se nëse them të ndalet frikohem që e lëshon sërish dikush, prandaj po them eliminohet. Nga puna e ‘Kosova A’ ndërlidhet edhe qasja jonë në vendosjen e kapaciteteve të reja edhe shumë gjanave tjera. Unë mendoj që në një afat shumë të shkurtër duhet të bëjmë çmos për t’i hapur perspektivën energjisë alternative dhe duhet ta shohim se në këtë afat të shkurtër, çfarë duhet të bëjmë që të plotësohet afati ligjor, kuadri teknik infrastrukturor dhe si donë shteti që në të ardhmen t’i stimulojë një zëvendësimi sa më të madh të çdo megavati me thëngjill me energji alternative”, ka thënë ai.

Ekspertët e pavarur kanë bërë të ditur se kostoja nuk është ajo fatura që i shkon konsumatorit në shtëpi, sipas tyre ajo është fatura, nga kostoja në Kosovë llogaritet të jetë më e larta në botë, meqë aty llogaritet edhe energjia e pa furnizuar.

Paneli e ekspertëve ka dhënë edhe shumë rekomandime, madje që janë specifike e ndër to është edhe se zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës po dëmtohet nga ndërprerja e energjisë elektrike.

Kriteri i parë është që të dëshmojë se projekti ka ndikim të demonstruar zhvillimor, i dytë që ka ndihmesa për projektet me nivel të ulët të emetimit të karbonit, i treti për burime të optimizuara të energjisë (duke përfshirë opsionet për ekonomizimin apo efiçiencën e energjisë), i katërti është për shqyrtimin e plotë të alternativave të realizueshme me opsionet më së paku të kushtueshme, ku përfshihen edhe kostot mjedisore, i pesti që të bëhet shfrytëzimi i teknologjisë më të sofistikuar dhe të duhur për ekonomizim sa më të lartë, si dhe kriter i gjashtë ka qenë zhvillimi i qasjes për analizën e kostove mjedisore.

Banka Botërore pas shqyrtimit të raportit do të marrë vendimin ose jo për financimin e këtij projekti. /kosovapress/

Data: 14 Shkurt 2012 20:18
Autori: GazetaExpress

Të tjera