Kthehu lart

Ngërçet politike të shqiptarëve

Ngërçet politike të shqiptarëve
GazetaExpress E shtune, 12 Mars 2011 14:27

Edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, po dëshmohet se më i zorshëm është një dialog i brendshëm se sa një dialog i jashtëm. Kjo ka bërë që edhe aleatët tanë ndërkombëtarë të mos mund t’i kuptojnë prirjet dhe qëllimet tona, të cilat domosdoshmërisht duhet të lidhen me integrimet euroatlantike

Ndërsa në Shqipëri u ndërtua konstruksioni mbi vjedhjen e vullnetit të popullit dhe mbi këtë bazë u ndërtua edhe ngërçi politik, për t’u bërë pengesë serioze e integrimeve në Evropë, në Kosovë ky ngërç u ndërtua nëpërmjet konstruksionit për frikën shkaku i dialogut me Serbinë, që gjithashtu ndërlidhet me integrimet evropiane. Këto ngërçe nga të dyja anët vlerësoj se nuk duhet parë vetëm nga aspekti thjesht politik, por edhe nga aspekti kulturor. Duket ashiqare se shkaku i prerjeve të vrazhda kulturore që kemi përjetuar gjatë historisë, ende jemi larg që ta kuptojmë rëndësinë dhe rolin që ka Bashkimi Evropian në përcaktimin e fateve të kombeve që jetojnë në këtë kontinent, mbi vlerat dhe civilizimin e të cilit mbështetet edhe kuptimi i forcës më të madhe në botë, përkatësisht SHBA-ve. Nga shtrati kulturor bëhen të dukshme refleksionet që dëshmojnë një refuzim të integrimeve në bashkësinë e cila realisht është ndërtuar mbi bazën e krishterimit.

Në Shqipëri shqiptarëve më shumë u pëlqeu modeli tunizian i ndodhjes së popullit gjë të cilën edhe e provuan duke shkaktuar katër viktima dhe duke djegur plotësisht imazhin e Shqipërisë evropiane. Intelektualë me ndikim të madh në opinion tek Berisha shohin modelin e Gadafit, por jo atë të Llukashenkos, i cili në kuadër të kësaj analogjie do të ishe më i pranueshëm. Në Shqipëri edhe publikisht ngrihen teza se Skënderbeu nuk është më shumë se një mit i rrejshëm, se Nënë Tereza nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët, se përkatësia e saj përdoret sall për nevoja politike dhe shkaku i kompleksit të vlerës së ulët. Kjo madje edhe përkundër faktit se këto dy personalitete janë të vetmet që janë stabilizuar si vlera në kuadër të vlerave të përbashkëta evropiane.

Ngjashëm shfaqen këto refleksione edhe në Kosovë. Zgjedhjet e dhjetorit u përcollën me një fushatë agresive të klerit mysliman, madje duke mos ngurruar që të shpallin edhe kandidatë të padëshirueshëm, për të cilët edhe publikisht lëshuan fletërrufe. Publikisht dhe nëpërmjet institucioneve jo vetëm që amnistohet Sulltan Murati, pushtuesi më i egër i Shqiptarëve, por edhe shpallet hero! Nuk mungon as sjellja për injorimin dhe përbuzjen e Nënës Terezë, filozofia e të qenit të së cilës lidhet drejtpërdrejt me Kosovën. Për më keq dhe për më tepër këto reflektime kulturore me konotacione të dukshme politike në Kosovë u bënë të ndikueshme edhe në bërjen e presidentit dhe të qeverisë.

Realisht, po të shikohen zhvillimet në kontekstin historik, shohim se shqiptarët nuk kanë zhvilluar sa dhe si duhet idenë e rilindësve se dielli për ta lind në Perëndim dhe perëndon në Lindje. Thënë figurativisht dielli për shqiptarët vazhdon të lind në mesditë, diku mbi Urën e Gallatës. Ndaj duket sikur në kontekst të kësaj shqiponja me dy kokë, si simbol kombëtar, mbetet edhe më tutje metafora më domethënëse në kuadër të ndërtimit të identitetit tonë.

Duket ashiqare se jo vetëm në ndërdije, por edhe në veprime të dukshme, ende funksionon logjika se Evropa është një bashkësi e pamoralshme, përkatësisht një kurvë, e cila asnjëherë nuk shfaqi disponim të mirë për shqiptarët. Në Kosovë kjo gjë bëhet edhe më e dukshme kur kihet parasysh fakti se Evropa është ajo që po përgatit udhën e inkuadrimit të Serbisë në gjirin e saj, gjë kjo e cila tek shqiptarët, shikuar nga aspekti moral, akceptohet edhe si një lloj inati dhe padrejtësie, e cili pastaj reflektohet nëpërmjet ndërtimit artificial të një ngërçi politik përbrenda subjekteve politike.

Ngërçi politik në Kosovë krijoi një gjendje sa të hidhur aq edhe paradoksale. Nëse themi se serbët, përkatësisht Serbia kërkoi nisjen e dialogut, këtë dialog e bënë të mundshëm dhe legjitim vetë serbët, përkatësisht pakica e saj në Kosovë, e cila është më e merituara për formimin e qeverisë me mandatet e tyre të rezervuara. Kjo mbase edhe i dha shijen më të hidhur këtyre bisedimeve të cilat janë të pashmangshme dhe të domosdoshme për gjendjen në të cilën ndodhen dy shtetet; Serbia dhe Kosova, të cilat vazhdojnë ta mbajnë peng njëra-tjetrën, mbase edhe rajonin.

Edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, po dëshmohet se më i zorshëm është një dialog i brendshëm se sa një dialog i jashtëm. Kjo ka bërë që edhe aleatët tanë ndërkombëtarë të mos mund t’i kuptojnë prirjet dhe qëllimet tona, të cilat domosdoshmërish duhet të lidhen me integrimet euroatlantike. Lidershipi shqiptar andej e këndej po dëshmon se para interesit shtetëror dhe kombëtar ka vënë interesat e grupeve dhe individëve. Subjektet politike po dëshmojnë se, shkaku edhe i kulturës që përmendëm më lart, nuk po mund ta akceptojnë demokracinë si një sistem vlerash dhe konkurrence. Kjo e bënë frikën edhe më të madhe se ne mund të mos përfitojmë sa duhet nga rasti më i mirë në historinë tonë, kur kurrë më tepër nuk kemi pasur aleatë ndërkombëtarë që angazhohen për të na ndihmuar.

Thënë thjesht të gjitha udhët që çojnë për në Bruksel duhet parë si shpëtim të vetëm për shqiptarët. Ndaj pengesa e parë që duhet hequr në këtë udhë ka të bëjë me rrënimin e logjikës feudale që karakterizon elitat tona politike, të cilat Tiranën dhe Prishtinën i konceptojnë si pashallëqe e jo si qendra ku zhvillohen politikat me interes kombëtar dhe shtetëror.

Data: 12 Mars 2011 14:27
Autori: GazetaExpress

Të tjera