Kthehu lart

Në luftë me Perëndimin

GazetaExpress E martë, 31 Janar 2012 12:05

Albin Kurti dhe Lëvizja e tij janë shndërruar në shtëpi, ku po kërkojnë azil përfaqësuesit e të gjitha grupeve radikale, të cilët tash e sa vite po vuanin për një adresë dhe një zëdhënës që do t’ua përmbushte kauzat e tyre të parealizuara. Duket se tashmë e kanë gjetur një. Kjo është arsyeja që në protesta të kësaj lëvizjeje secilën herë e më shumë do të shihni flamuj dhe slogane të dyshimta.

Pse për shembull në Korenë e Veriut nuk lulëzon ekonomia?

Po të varej zhvillimi ekonomik nga rritja e prodhimeve vendore dhe po të varej rritja e prodhimeve vendore nga shkalla e mbrojtjes së tyre prej shtetit, atëherë kushtet në këtë shtet do të ishin ideale. Në mes tjerash, prej rreth 30 milionë banorëve sa jetojnë në këtë gadishull, ndoshta vetëm banorët e familjes diktatoriale, e tek-tuk ndonjë familje e ndonjë gjenerali kasap, gjatë jetës së tyre kanë arritur të konsumojnë prodhime të huaja. Të tjerët vetëm prodhime vendore po hanë tash e nja një gjysmë shekulli më radhë. Për shkak të bumit ekonomik, si rrjedhojë e mbrojtjes së prodhimeve, në radhën e prodhimeve vendore si ushqim mjaft i popullarizuar hynë edhe rrënjët e pemëve.

Në këtë shtet prodhimet vendore jo vetëm që stimulohen nga qeveria, por ato produkte kurrë shoqe nga shtetet tjera afër tyre nuk kanë parë. Sepse ato produkte i ruan shteti, madje me armë. Jo vetëm ato. Shteti i ruan edhe fabrikat. I ruan edhe qytetarët. Shteti ruan çdo gjë në atë territor. Por, deri më tash kjo nuk ka garantuar zhvillim ekonomik. Shkojmë edhe pak më tutje. Zyrtarët kroeano-veriorë janë treguar plot dinjitet edhe kur ka qenë në pyetje raporti i tyre me bashkësinë ndërkombëtare, nëse fare ka prezencë të bashkësisë ndërkombëtare brenda atij territori. Por, as kjo nuk mjafton.

Edhe mund "ta duash tënden", edhe mund të mos i dëgjosh ambasadorët e huaj - por edhe t'i përzësh fare nga shteti - e as kjo nuk është garanci për ekonomi të fortë. Kjo e garanton vetëm një gjë: diktaturën.

Mund të kalojmë edhe në një hemisferë tjetër të planetit tonë dhe ta vizitojmë një mashtrues tjetër që flet në "emër të popullit". Jemi në Venezuelë. Këtu një torollak ka ardhur në pushtet para pothuajse një dekade nën moton "duaje tënden". Kryetari i këtij shteti, siç do të kishte dëshirë populli jonë të thoshte është "tarak". Hugo Chavez nuk e dëgjon bashkësinë ndërkombëtare, madje gjatë gjithë ditës së lume ai tallet me ta, por në fund më së shumti tallet me ata në emër të të cilëve flet - popullin e tij. Por, kjo nuk do të thotë se tash Venezuela është shndërruar në parajsë të ekonomisë. Kur ai i kishte fituar zgjedhjet, ekonomia e Venezuelës kishte qenë në gjendje të mjerueshme.

Duke premtuar përmirësimin e saj dhe barazi shumë më të madhe sociale, ai i fitoi zgjedhjet, duke i shporrur prej pushtetit 'servilët' e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duke i nacionalizuar kompanitë e privatizuara publike - lexojeni me kujdes nacionalizimin e kompanive të privatizuara - dhe duke krijuar kooperativa bujqësore. Prej atëherë, pra prej kur Chavez erdhi në pushtet, ekonomia e këtij shteti u bë edhe më e mjerueshme. Të mos flasim për statistika tjera. Qe vetëm edhe një të dhënë: para nja dy vjetësh më shumë ka pasur të vrarë brenda një viti në Karakas (kryeqyteti i Venezuelës) sesa në Bagdad. Kurse Chavez edhe më tutje po provon të mbrojë prodhimin vendor, të japë naftën falas, ta forcojë aleancën me Kubën e Castros dhe të mos harrojë asnjëherë që brenda një ditë të mos tallet në llogari të SHBA-ve në veçanti dhe në llogari të kapitalizmit në përgjithësi.

Albert Einstein do të thoshte se gjërat duhet të shpjegohen thjesht, por jo shumë thjesht. Jo më thjesht sesa duhet. Jo në mënyrë banale.

Është mashtrim. Është parullë politike që përdoret sa për të rrëmbyer pushtetin, të thuhet kaq thjesht se "ne e dimë passëordin" e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ai është me dy shkronja, ose me një. Në rastin tonë, mashtruesit majtistë të Vetëvendosjes përdorin gjysmë të vërteta ose të vërteta të interpretuara banalisht thjesht dhe keq, në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e opinionit. Ata e dinë, ose ishte dashur ta dinin, se nëse fillojnë të tregojnë arsyet reale prej të cilave varet zhvillimi ekonomik i një vendi, do ta humbnin vëmendjen e opinionit publik. Nëse thonë se zhvillimi ekonomik varet kryekëput nga kushtet e brendshme; se këtu duhet të bëhen reforma të thella në gjyqësi; luftim të korrupsionit; infrastrukturë ligjore; se këtu duhet të ketë më shumë kushte për konkurrencë të ndershme dhe para së gjithash bashkëpunim të përditshëm dhe dëgjueshmëri ushtarake në raport me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë ka rrezik që nuk do ta kenë vëmendjen e duhur.

Ani pse e vërteta për një zhvillim ekonomik fshihet pikërisht në këto fraza monotone dhe deri diku abstrakte. Mirëpo, mashtruesit e kanë të qartë se nëse moto e protestës së tyre do të ishte "reforma në sistemin e drejtësisë", atëherë ajo nuk do të ishte sa duhet atraktive për askënd. Prandaj bëjnë drama duke luajtur me ndjenjat e njerëzve, duke mashtruar dhe duke gënjyer ose duke thënë vetëm gjysmë të vërteta. Nëse konstatimi i të vërtetës nuk është garanci për të marrë pushtetin, atëherë hajde të gënjejmë sa të mundemi.

Është tepër e thjeshtë, madje banale, është edhe gënjeshtër të thuhet se hajde t'i bllokojmë mallrat nga Serbia dhe hajde të mos e dëgjojmë më bashkësinë ndërkombëtare dhe mandej patatet e Vushtrrisë do të shiten të gjitha deri në mbrëmje, se keksat e Sempre's do të bëhen ushqim i pazëvendësueshëm për fëmijët tanë, se ne do të pimë vetëm qumështin Vita, se mandej si rrjedhojë e kësaj do të rritet numri i të punësuarve, se mandej duke u rritur numri i të punësuarve do të rritet fuqia konsumuese, e kështu më radhë, derisa në mbrëmje ne do të biem në gjumë të varfër e do të zgjohemi të pasur. Kurse, për të mos u dukur krejt qesharakë, krerët e VV këto të pavërtetat i përziejnë me disa konstatime të ditura botërisht se Serbia është armiku ynë - apo gjysmë të vërteta se ne po e mbajmë në këmbë ekonominë e Serbisë. Mirëpo, përzierja e një të vërtete me një gënjeshtër nuk do të duhej ta bënte gënjeshtrën më të butë ose më të vërtetë.

Këtë shkollë e ka kryer dhe kaq thjesht e ka shpjeguar ringjalljen e ekonomisë së vendit të tij edhe matrapazi Hugo Chavez, sa ishte lider revolucionar i opozitës, duke shëtitur nëpër fshatra e qytete të Amerikës Latine. Sepse nuk di nëse e dini, por edhe Chavez sikur Kurti përpara se ta merrte pushtetin, bënte pak a shumë të njëjtën propagandë. Edhe ai kishte provuar nga pak burgun. Edhe ai ngjashëm sikur këta tanët bënte se gjoja po preokupohej jo vetëm për shtetin e tij, por për gjithë botën latine, e cila, sipas tij, po eksploatohej nga kompanitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Chavez bënte tubime me qytetarët jo vetëm në Venezuelë, por edhe në Bolivi, Argjentinë, Peru… Edhe Chavez fliste kundër privatizimit, sikur Kurti.

E sikur Kurti dhe organizata e tij fundamentaliste Vetëvendosje kanë folur dhe flasin të gjithë ata që kanë probleme fondamentale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian dhe vlerat që përfaqësojnë këto dy adresa. Pra, problemi i Vetëvendosjes dhe i Kurtit në esencë nuk është prodhimi vendor e as ekonomia - këto janë pasoja - por është rendi botëror. Ai me apo pa vetëdije po rekruton njerëz të ngarkuar ideologjikisht kundër Perëndimit dhe çdo gjëje që përfaqëson ai. Nëpër tubimet e kësaj lëvizjeje secilën herë e më shumë po shihni dhe do të shihni flamuj dhe parulla fundamentaliste.

Sepse Kurti dhe lëvizja e tij janë shndërruar në shtëpi, ku po kërkojnë azil përfaqësuesit e të gjitha grupet radikale, të cilët tash e sa vite po vuanin për një adresë dhe një zëdhënës që do t’ua përmbushte kauzat e tyre të parealizuara. Duket se tashmë e kanë gjetur një.

Autori është:

Deputet i PDK’së në Parlamentin e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.

Data: 31 Janar 2012 12:05
Autori: GazetaExpress

Të tjera