Kthehu lart

Mushtishti bëhet me shkollë të re

Mushtishti bëhet me shkollë të re
GazetaExpress E martë, 16 Tetor 2012 18:46

Në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës është përuruar shkolla e re fillore dhe e mesme e ulët “Edit Durham”. Në këtë përurim morën pjesë ministri i Arsimit Ramë Buja, kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuqi, si dhe personalitete të tjera të jetës politike e kulturore të vendit tonë.

Me këtë rast, ministri i Arsimit Ramë Buja tha se prezenca në këtë përurim krijon ndjenjën e madhështisë dhe të diturisë.

“Unë sot kam edhe kënaqësi, edhe nder, edhe privilegj, të jem këtu në përurimin e kësaj shkolle që krijon ndjenjën e madhështisë në këtë fshat, krijon ndjenjën e diturisë, krijon ndjenjën e hapësirës dhe frymëmarrjes më të mirë, dhe siç tha kryetari krijon edhe një ndjesi tjetër që ta rrisim cilësinë edhe më shumë në arsim”, ka thënë Buja.

Buja ka bërë të ditur se duhet të ruhet kjo shkollë, sepse në të është bërë një investim shumë i madh.

“Mos të harrojmë se është bërë investim i madh dhe ky investim shkon në dy milion e njëqind e nëntëdhjetë ë nëntë mijë, kështu që duhet ta kemi ndjesinë tjetër që ta kemi dhe do të duhej ta ruajmë që ta kemi”, është shprehur Buja.

Sipas tij, përveç dukjes së mrekullueshme të shkollës, një tjetër e mirë është se zhvillohet mësimi në një ndërrim, kështu që, sipas tij, hapësirat në këtë shkollë, laboratorët, klasat, krijojnë mundësinë që cilësia mësimore që është ëndrra dhe synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Suharekës Blerim Kuqi ka thënë se që nga tani kërkesat për kualitet në mësime në këtë shkollë janë edhe më të mëdha

“Edhe pse shkolla e Mushtishtit ka qenë e njohur për kualitet në mësime, por kërkesat prej sot e kësaj dite janë edhe më të mëdha”, është shprehur Kuqi.

Ndërkaq drejtori i shkollës, Xhavit Durmishi ka thënë se nuk është thënë kot se aty ku hapet një shkollë hapet një dritare e re.

“Nuk është thënë kot se aty ku është ndërtuar një shkollë hapet një dritare e jetës nga e cila hyn drita e jetës, e mirësisë, dashurisë dhe diturisë”.

Ai është shprehur se ndërtimi i kësaj shkolle përveç se i bën të lumtur nxënësit e kësaj shkolle, i bënë edhe që ta ruajnë si sytë e ballit.

Pas përurimit të shkollës së re, të pranishmit u argëtuan edhe me një program të pasur artistik me këngëtarët Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Motrat Mustafa, Remzije Osmani.

Data: 16 Tetor 2012 18:46
Autori: GazetaExpress

Të tjera