Kthehu lart

MPJ largon Hamitin nga misioni në Kroaci

MPJ largon Hamitin nga misioni në Kroaci
GazetaExpress E premte, 02 Gusht 2013 20:13

(E plotesuar) Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes një note proteste të pranuar nga autoritetet e Republikës së Kroacisë, është informuar se diplomati Urtak Hamiti, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, ka kryer sjellje jo dinjitoze dhe jo profesionale, gjatë misionit në Kroaci.

"Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas kësaj ankese, ka vendosur tërheqjen e menjëhershme të diplomatit Hamiti nga misioni në Kroaci, dhe kthimin e tij në Prishtinë. Ministri Hoxhaj po ashtu ka iniciuar krijimin e një komisioni në kuadër të MPJ-së, i cili do të shqyrtojë në tërësi rastin. MPJ i ka shprehur keqardhje autoriteteve të Republikës së Kroacisë, pas ankesës për sjelljen jo dinjitoze të diplomatit të saj në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Zagreb", thuhet ne komunikaten e MPJ'se.

Diplomati Urtak Hamiti shkakton skandal në Kroaci

Kosova prodhoi një skandal të ri diplomatik. Një zyrtar i lartë i ambasadës sonë në Zagreb është arrestuar, e më pas është liruar, në gjendje të dehur.

KTV-ja mëson se bëhet fjalë për zv/ambasadorin Urtak Hamiti, i cili e ka dëmtuar gjithashtu veturën zyrtare të shërbimit diplomatik. Ministria e Jashtme është duke e shqyrtuar incidentin dhe do të veprojë në bazë të rregulloreve.

I dehur, për toke, i rrethuar me policë dhe një veturë diplomatike të dëmtuar afër.

Skandalin e ri diplomatik të Kosovës e ka pasqyruar gjerësisht televizioni kroat Nova, në versionin elektronik të saj, Dnevnik.

Sipas përshkrimit të saj, zyrtari kosovar ka çmendur njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare.

Dëshmitarët thanë se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar.

Dëshmitarët i thanë policisë se zyrtari kosovar ishte aq i dehur saqë nuk mund të qëndronte në këmbë.

Në ambasadën e Kosovës në Zagreb e kanë konfirmuar për Dnevnik arrestimin e zyrtarit të saj, por pohojnë se nuk ka pasur aksident trafiku. Madje, ambasada e Kosovës e mohon edhe gjendjen e dehur të zyrtarit.

Sipas ambasadës, e gjithë ngjarja ishte keqkuptim dhe zyrtari ishte liruar pas 10 minutash. Sipas burimeve të Dnevnikut, zyrtari kosovar u lirua pasi që thirrej në imunitet.

Zv/ministri i Jashtëm, Petrit Selimi i ka thënë KTV-së se shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj është duke e shqyrtuar incidentin dhe të gjitha rrethanat dhe se do të veprojë konform rregulloreve.

“Ne presim sjellje shembullore nga diplomatët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Selimi.

Urtak Hamiti është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, nga LDK-ja.

Ai ishte emëruar në shërbimin diplomatik qysh në fillim të krijimit të MPJ-së, që udhëhiqej nga Skënder Hyseni.

Data: 02 Gusht 2013 20:13
Autori: GazetaExpress

Të tjera