Kthehu lart

Mos kërkoni azil!

Mos kërkoni azil!
GazetaExpress E martë, 12 Qershor 2012 08:05

Shtetasit e Kosovës janë të tretit në botë, pas Afganistanit e Kinës, për nga numri i kërkesave për azil në vendet perëndimore. Në proporcion me popullsinë, ata lënë prapa edhe Irakun e Iranin. Përveç shteteve të tjera, Franca, Suedia e vendet e Beneluksit janë nën presionin më të madh. Ministri Bajram Rexhepi kërkesat për azil i cilëson armik për liberalizimin e vizave.

Bajram Rexhepi edhe njëherë ua rikujtoji kosovarëve se nuk kanë mundësi të kërkojnë azil në shtetet e Evropës.

Madje ai të hënën tha se kërkesat për azil janë edhe armiku më i madh në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këto komente, ministri i Punëve të Brendshme i bëri pas takimit me ministren e Belgjikës për Azil dhe Migracion, Magi de Block.

“Kërkesat e kësaj natyre janë armiku më i madh i liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha ministri Rexhepi pasi falënderoi ministren De Block për kontributin e Mbretërisë së Belgjikës në përkrahje të Kosovës në të gjitha mënyrat.

Por, kërkesat e tilla duket se nuk u bëjnë shumë përshtypje kosovarëve.

Me nivel të lartë të papunësisë, mirëqenies së dobët ekonomike dhe mungesës së perspektivës, qytetarët e shtetit më të ri në Evropë vazhdojnë të trokasin si azilkërkues në dyert e vendeve të ndryshme perëndimore.

Gjatë vitit të fundit, Kosova ka zënë vendin e tretë në botë në kërkesat e saj për azil politik, duke u radhitur menjëherë pas Afganistanit dhe Kinës dhe duke lënë prapa vende të konflikteve si Iraku dhe Irani.

Në 44 vende të industrializura, nga këto pesë vende, gjatë vitit 2011 janë bërë 55 mijë kërkesa për azil, ndërsa në vendet ku më së shumti kërkohet azil politik prijnë SHBA, që pasohen nga Franca, Gjermania, Suedia dhe Britania e Madhe.

Vetëm në pjesën e parë të viti 2011, bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, nga Kosova dhe Serbia ka pasur 10 mijë e 300 kërkesa për azil.

Vetëm në Francë, numri më i madh i azilkërkuesve në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shënuar nga Kosova me rreth 2 mijë e 300 kërkesa.

Një e katërta e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani dhe një e treta e atyre në Suedi kanë qenë nga Kosova.

Proporcioni i këtyre azilantëve që vijnë nga Kosova më i larti është në Francë, rreth 87 për qind, në Belgjikë, 57 për qind, në Gjermani 28 për qind dhe në Suedi 37 për qind, thuhet në shënimet që jep Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, nga autoritetet kosovare është paralajmëruar se vendi do të marrë udhërrëfyesin më 14 qershor, i cili është një hap më afër në procesin drejt liberalizimit të vizave.

Kusht që vizat të liberalizohen, përveç zhdukjes së kërkesave për azil nga kosovarët në shtete e ndryshme, duhet që edhe shteti i Kosovës të bëjë më shumë në akomodimin e atyre që riatdhesohen.

Ministri Bajram Rexhepi të hënën tha se ata kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Belgjikën, e cila ka nënshkruar marrëveshje në emër të shteteve të Beneluksit.

“Kemi të nënshkruar marrëveshjen për ri-pranim, natyrisht që kanë pasur arsye të shprehin shqetësim në aspektin e liberalizmit të vizave, sepse janë në presion të madh nga azilkërkuesit bashkë me Francën dhe Suedinë dhe për këtë kemi mirëkuptim dhe qëllimi jonë është që me bashkëpunim të ngushtë numri i azilkërkuesve të reduktohet maksimalisht”, theksoi ministri Rexhepi.

Ndërsa Maggie De Block, ministre për Azil dhe Migracion e Mbretërisë së Belgjikës, tha se bashkëpunimi në mes të dy vende është shumë produktiv, duke vënë në dukje takimin e mbajtur në maj të vitit 2011, kur edhe u nënshkrua marrëveshja për ri-pranim.

Ministrja De Block tha se Kosova është ndër top dhjetë vendet që qytetarët e saj kërkojë azil në Belgjikë dhe mbi 95 për qind e tyre u refuzohen kërkesat për azil.

Ajo tha se autoritetet e shtetit të Belgjikës kanë konstatuar se Kosova është vend i sigurt dhe nuk merren më për bazë kërkesat e shtetasve kosovarë për azil në Belgjikë.

Ministri Rexhepi tha se shpejt do të përgatitet edhe një fushatë informuese që qytetarët e Kosovës të mos viktimizohen nga ata persona që premtojnë azil në Belgjikë apo në vende tjera të BE-së, ndryshe keqpërdorimet do të përgjigjen penalisht.

Kërkesa për azil

Në një artikull të botuar në muajin prill nga e përditshmja franceze “Le Monde”, gazeta ka bërë një statistikë sipas së cilës kosovarët janë në vend të parë për parashtrimin e kërkesave për azil në Francë. Duke e bërë publik raportin e tij vjetor, Departamenti francez për mbrojtjen e refugjatëve dhe të pastrehëve (Ofpra) e ka konfirmuar rëndësinë në rritje të azilkërkuesve që vijnë nga Kosova. Për të dytin vit me radhë, shtetasit kosovarë janë më të shumtë në numër në parashtrimin e kërkesave për azil në Francë. Sipas Ofpra, gjatë vitit të kaluar, azil kanë kërkuar rreth 3.260 kosovarë. Pothuajse edhe një vit më parë shifrat kanë qenë të njëjta, me përjashtim të 10 për qind më pak kosovarëve që kanë parashtruar një kërkesë të tillë. Ardhja e azilkërkuesve kosovarë kishte filluar në vitin 1999, viti i përfundimit të luftës me Serbinë.

Data: 12 Qershor 2012 08:05
Autori: GazetaExpress

Të tjera