Kthehu lart

Mitrovicë, shqetësuese rritja e numrit të krimeve

Mitrovicë, shqetësuese rritja e numrit të krimeve
GazetaExpress E premte, 03 Maj 2013 15:07

Numri i krimeve në rritje, problemet në shkolla, rritja e numrit të rinjve që përdorin drogën etj, qenë temat kryesore për të cilat u bisedua të premten në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Mitrovicë.

Në këtë takim u potencua nevoja për bashkërendim të veprimeve me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive të dëmshme.

Komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, tha se janë disa dukuri shqetësuese, për parandalimin e të cilave kërkohet një koordinim i veprimeve. Në radhë të parë ai shtroi nevojën për fushata vetëdijesimi nëpër shkolla.

Ndërsa, drejtori për Arsim, Ali Bejta, njoftoi se brenda pak ditësh do të filloj një fushatë vetëdijesimi nëpër shkolla me qëllim të parandalimit të përdorimit të drogës.

“Jemi duke u përgatitur që të nisim një lloj fushate, në kuadër të të cilës do të shpërndajmë një pyetësor për nxënës ku ata do të japin përgjigje në pyetjet për atë se a i njohin kolegët e tyre që përdorin drogë”, tha ai.

Në këtë takim u bisedua edhe për situatën aktuale të sigurisë, për të cilën folën nënkryetari i komunës, Riza Haziri dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala. Ata vlerësuan se situata është e qetë edhe në veri të qytetit, por e paqëndrueshme për shkak të veprimit të strukturave ilegale serbe.

Data: 03 Maj 2013 15:07
Autori: GazetaExpress

Të tjera