Kthehu lart

Me modë në rrugë

Me modë në rrugë
GazetaExpress E diel, 07 Tetor 2012 14:29

“Veshje rruge”, ky është termi më urban që qarkullon në përditshmërinë tonë, pasi kjo ide përfaqëson ata që duan të shfaqen bukur e me stil edhe në rrugë, derisa shkojnë për të kryer ndonjë punë, apo kur dalin për ta shijuar një kafe me miq.

Kombinime të pazakonshme, ngjyra të ndezura dhe aksesorë...Shumëkush kështu e percepton dhe aplikon “stilin e rrugës”, ndonëse ky është vetëm një opcion, ai u shkon personave të guximshëm, që nuk e kanë pikë problemi manipulimin me veshje, ngjyra e detaje shtesë. “Stret style” nuk ka një kod jashtë të cilit nuk mund të dilni assesi, edhe pse ka rregulla të pashkruara, të cilat i cakton vetë idea e këtij stili.

Meshkujt edhe në të kuqe

Ta zëmë, nuk mund të visheni në mënyrë formale dhe të thoni se po dukeni cool, urban dhe gati për një shtëtitje në asfalt, shoping, apo kafe me shokë. Sa i përket modës së meshkujve, stilistët këtë vit parashikojnë përzierje të stileve të veshjeve ‘street’ me ‘elegant’. Meshkujt mund t’i kombinojnë veshjet elegante me ato të përditshme dhe të duken në hap me modën. Bluzat me figura, sakot elegante, kemishat “XL” me katrore, sakot e lëkures, xhinset, pantollonat me prerje të pa zakonshme, xhamperat me pulla... lejoni të jenë pjesë e garderobës suaj të përditshme. Me zgjedhje si këto, fjala “gabim” nuk do të ketë rast të bëjë me ju. Meshkujt duhet të kenë kujdes nëse tentojnë të kombinojnë diçka mes sportives tipike dhe elegantes. Ka raste kur diçka e tillë rri bukur, mirëpo duhet pasur kujdes te detajet, sepse mjafton një gjë e vogël që t’ju nxjerrë jashtë loje. Këto vite lejojnë ekperiemnte në veshje, mirëpo mbi të gjitha, mos harroni se moda është delikate. Sa i përket botës mashkullore, këtë vit mundësia për të veshur më shumë nghyra është dukshëm më e madhe. Ata që nuk druhen, mund të vishen edhe me të kuqe, gjelbër, apo portokall.

Si në ushtri

Pas një mungese në pasarelat e modës, këtë sezon vjeshtë-dimër, rishfaqet stili ushtarak në veshjet femërore. Kështu, pas disa pengesave që ka ndeshur së fundmi falë një mode të lirshme dhe plot ngjyra, ky stil duket se ka mbërritur përsëri në kulmin e përparimit të tendencave për sezonin e ri të veshjeve të modës. Kështu, këtë vjeshtë dhe dimër, pantallona stil ushtrie dhe sigurisht shumë të gjelbra, janë shumë në modë. Pa harruar as xhaketat me ngjyrën karakteristike të ushtrisë. Palltonat e gjelbra, apo edhe me nuancat e ullirit, rekomandohen me xhepa të tepërt, ndërsa xhaketat me shumë kopsa metalike. Mos harroni: Kombinimi perfekt, vetëm me ngjyrën portokalli. Ky është vetëm një nga sugjerimet e industrisë së modës, pasi femrat kanjë një asortiman të tërë zgjedhjesh, duke filluar nga bluzat “XL”, sakot elegante që mund të kombinohen me bluza moderne, jelekët, getat që tashmë janë më të trasha dhe pa shumë ngjyra e “art print”, xhinset dhe fundet me bel të gjerë, fustanat e llojllojshëm të cilët mund të jenë të gjatë edhe deri te zogu i këmbës dhe mund të vishen me sako të shkurtëra, në mënyrë që të bjerë edhe më shumë në sy gjatësia e fustanit etj. E zgjedhja e ngjyrave për këtë sezon për veshjet e rrugës duhet të jetë pak më e kufizuar. Në vjeshtë e dimër thuajini lamtumirë pamjes egzotike dhe luleve shumëngjyrëshe.

“Egërsohen” aksesuarët

Sa u përket aksesuarëve, ato tanimë janë pak më “të egra”: Kapuq leshi, bylyzykë druri, rruaza me ngjyra më të forta etj... Mos i harroni syzet, por assesi mos i përdorni ato të verës (nëse janë me ngjyra). Syzet e rimodeluara po bëhen tendencë në vete. Pra, çfarëdo syze që bleni, mund t’i ndryshoni në bazë të imagjinatës suaj. Vëni ndonjë gur, figurë shumë të vogël, apo diçka të tillë që do t’i bënte syzet tuaja shumë më ndryshe. Shallat nuk është se janë kryefjala e sezonit, mund t’i vini vetëm nëse mendoni se u shkojnë, e jo për hir të modës. Çantat nga materialet e holla, apo llastiku, mbyllini në dollap, pasi është rikthyer koha e lëkurës. Dimensionet e çantave mbesin sërish të mëdha dhe disenjot mund të jenë edhe “animal print’. Për një “street style” të përkryer, zgjidhni këpucë ose çizme të sheshta ose ortopedike, ngjyra bën të mos jetë në harmoni me totalin e veshjes suaj.

(Autorja është profesoreshë e “Stilizmit” në Shkollën e Dizajnit të Modes “Design Factory” në Prishtinë)

Data: 07 Tetor 2012 14:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera