Kthehu lart

“Më e vërtetë se e vërteta”, të hënën në “Dodona”

“Më e vërtetë se e vërteta”, të hënën në “Dodona”
GazetaExpress E shtune, 01 Dhjetor 2012 16:19

Në Teatrin e Qytetit të Prishtinës - “Dodona”, të hënën do të shfaqet premiera e komedisë, “Më e vërtetë se e vërteta”, të autorit të njohur francez, Martial Courcier. Ndërkaq regjinë e kësaj drame e ka bërë regjisori, Kastriot Saqipi. Në këtë shfaqje, sipas regjisorit, pasqyrohet bota e digjitalizimit dhe teknologjisë, duke ngacmuar publikun përmes faktit të humbjes së ndjenjave njerëzore nga ndikimi i përditshëm i teknologjisë. Tema shtjellohet rreth dy shokëve, François dhe Julien, të cilëve femrat nuk u mungojnë, por nuk ndjejnë asgjë pos boshllëkut.

Regjisori, Saqipi, gjatë një konference për media, të shtunën ka shpjeguar në detaje përmbajtjen dhe tematikën e kësaj shfaqjeje, duke thënë se janë të gërshetuara zhanret, mes dramës, romancës dhe tragjedisë.

“Shfaqja ka pjesë që përmban dramë, ka romancë, por ka edhe tragjedi. Në fakt edhe pjesa komike e cila bëhet në shfaqje kur e analizon më thellë e kupton se prapë përqeshemi me tragjedinë tonë ditën e sotit se çfarë është duke na ndodh. Kemi një skenografi bardh e zi për arsye se botën jemi ka e shohim shumë kolor dhe shumë po ia mbarojmë vetes qefin. Mirëpo jeta jonë prej ndjenjave që i kemi shfaq na ka kaluar në botën virtuale dhe jemi kyç krejt në botën e digjitalizimit”, ka thënë ai.

Rolin e Chloes në shfaqje e luan aktorja Shengyle Ismaili. Ajo thotë se ky është rol sfidues, sidomos kur dihet se është një robot që me kohën shndërrohet në qenie njerëzore. Mirëpo megjithatë ajo shprehet e lumtur që ka arrit me sukses të përvetësojë rolin e dhënë nga regjisori.

“Roli më ka pëlqyer shumë dhe është ma ndryshe prej roleve që kam pas deri tash. I vështirë ka qenë, pasi gjithmonë duhesh të bësh diçka që nuk ke bërë ma herët dhe me nxjerr prej rolit një diçka që se ke nxjerrë deri më tani në pah. Është një rol shumë aktual. Roli im është i një roboti femër që i bëhet Xhulios për ditëlindje e 35. Më tepër nuk po flas se vini dhe e shihni vet”, ka thënë ajo.

Aktori tjetër Agron Shala, i cili në këtë shfaqje e luan rolin e Julienit, ka thënë se për këtë shfaqje kanë punuar rreth dy muaj dhe kanë hasur në vështirësi të shumta, por thotë se bashkë me regjisorin dhe aktorët tjerë kanë dhënë maksimumin për realizimin e kësaj shfaqjeje.

“Përafërsisht kemi punuar dy muaj në këtë projekt dhe mendoj se secili prej nesh e njeh zanatin e vet dhe jep prej vetvetes atë çka mundet të jap. Unë mendoj se brenda këtij teksti, që nga regjisori e deri tek aktorët kemi dhënë maksimumin e mundshëm. Në këtë rast ne kemi pas një tekst që realisht ka qenë i kajshëm në lexim të parë, duke të lënë përshtypje të mira, por gjatë rrugës kemi has në vështirësi duke parë që ky tekst nuk është i lehtë ashtu siç kemi menduar”, ka thënë ai.

Komedia “Më e vërtetë se e vërteta”, e cila do të shfaqet të hënën duke filluar nga ora 19 e 30, në teatrin e qytetit “Dodona”, është shkruar në vitin 2001 dhe se në premierën e dhënë në Paris kanë luajtur aktorët e njohur, Delphine Depardieu, Paul Belmondo dhe Jean Martinez.

Kjo është hera e parë që ky tekst jepet në teatrot e Kosovës. Prandaj, drejtori i teatrit “Dodona”, Agron Shala, por edhe artistët dhe regjisori i kësaj drame kanë apeluar tek qytetarët që të jenë prezentë në premierën e shfaqjes, sepse, sipas tyre, nuk do të zhgënjehen. /kosovapress/

Data: 01 Dhjetor 2012 16:19
Autori: GazetaExpress

Të tjera