Kthehu lart

Mashtrimi i pistë filmik

Mashtrimi i pistë filmik
GazetaExpress E mërkurë, 19 Shtator 2012 13:29

Si u xhirua filmi që tronditi botën myslimane? Regjisori i filmave pornografik dhe aktorët në film mendonin se po xhironin një film për egjiptianin George.

Aktorja e panjohur hollivudiane, Lily Dionne, që është njëra nga 79 anëtarët e ekipit që xhiroi filmin me buxhet të ulët “Çiltërsia Myslimane”, tani deklaron se është “mashtruar rëndë”. Kështu pohon edhe shumica e anëtarëve të ekipit filmik. Të gjithë mendonin se po xhironin një film aksion, kryeprotagonisti i të cilit quhej George.

Anëtarët e ekipit tani kanë publikuar një kumtesë, në të cilën theksojnë se ishin mashtruar, por edhe se ishin shokuar nga ndryshimi i skenarit.

“Jemi të tmerruar me tragjeditë që ndodhën shkaku i filmit”, thuhet në kumtesë.

I liruar me kusht

Producenti i filmit, identiteti i të cilit ende po verifikohet nga policia, ekipit i prezantohej si Sam Bassil. Në fakt, mendohet se bëhet fjalë për Nakoula Bassele Nakoula (55), një kriminel ky i dënuar që mundohej ta fshihte identitetin përmes pseudonimit të rremë. Nakoula ishte dënuar me kusht, por tani supozohet se ndërkohë përdorte së paku 17 emrave të rremë. Në vitet e 90’a Nakoula ishte dënuar për shkak të tentimit të prodhimit të metamfetaminës, ndërkohë që mediat amerikane tani shkruajnë se ideja për xhirimin e filmit i erdhi derisa po vuante një dënim me burg.

Nakoula u mor në pyetje fundjavën e kaluar, por ende mbetet e panjohur çfarë tha dhe ç’do të ndodhë me të. Një nga kushtet për lirimin e tij me kusht nga burgimi 21-mujor – të cilin e vuante për shkak të malverzimeve financiare – ishte ndalimi i shfrytëzimit të internetit dhe emrave të rremë. Ndërsa tani, Nakoula nuk dëshiron të jap deklarata dhe jeton në shtëpinë e tij në Cerritos, afër Los Angeles.

Në ndërkohë u zbulua se regjisori i filmit, Alan Roberts (65), dikur merrej me xhirimin e filmave pornografikë.

Pasi u përfundua, filmi fillimisht u emërtua “Çiltërsia e Bin Laden”, ndërsa Nakoula prezantohej si sipërmarrës ndërtimor izraelito-amerikan nga Kalifornia. Sipas tij, ishin donatorët izraelitë ata që i dhanë 5 milionë dollarë për xhirime. Por shumë shpejtë, Ministria e Jashtme e Izraelit i demantoi të gjitha këto pohime.

“Nuk e dinim për çka bëhej fjalë. Gjatë xhirimeve vazhdimisht e përsërisnim emrin George, edhe pse habiteshim se si u bë që personazhi kryesor në një sagë për Lindjen e Mesme mbante ai emri” , i tha Lily Dionne televizionit CNN. Sipas saj, ajo ishte lajmëruar në shpalljen për xhirimin e filmit që do të duhej të quhej “Luftëtari i Shkretëtirës”.

Përfundimi i papritur

Ekipi filmik shtronte pyetje vazhdimisht, veçanërisht atëherë kur nga postproduksioni kërkonin që aktorët të shqiptonin fjalën Muhamed. Askush nuk kuptonte se përse përnjëherë duhej të përendej Muhamedi. Vetëm kur përfundoi puna u bë e qartë se nuk bëhej fjalë për një film aventuristik, por për një film anti-islamik, dhe se profeti Muhamed ishte personazhi kryesor. “Regjisori na mashtroi, sepse e dinte mirë çfarë po bënte”, sqaroi aktorja Dionne, përderisa aktorja tjetër, Cindy Garcia, deklaroi se kishte biseduar me producentin e filmit, dhe se ai i kishte thënë që skenarin e kishte shkruar me qëllimin që myslimanët t’i ndalnin vrasjet.

Përkthimi fatal

Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve, dhe pasi që televizioni egjiptian emitoi disa sekuenca të marra nga YouTube, Nakoula filloi të deklaronte se nuk bëhej fjalë për një film religjioz, por politik, dhe se filmi ishte xhiruar për të kthyer vëmendjen nga “hipokrizia e Islamit”.

Një anëtar i ekipit filmik thekson e kishte njohur producentin. Ai prezantohej si Sam Bassil, dhe çeqet i nënshkruante me po këtë emër.

Ndihmës-skenaristi, djathtisti radikal dhe ‘anti-xhihadisti’, Steve Klein, ndërkaq deklaroi se, qëllimi ishte që myslimanëve radikalë “t’iu zbuloheshin faktet dhe dëshmitë” për profetin Muhamed.

“Donim të arrinim deri te një grup i vogël, por shumë i rrezikshëm, i njerëzve. Pra, t’i shokojmë ata, në mënyrë që të kuptojnë se Islami është i rrezikshëm”, tha Klein.

Por, ja që filmi nuk i interesoi askujt në Kaliforni. Si pasojë, ai u përkthye në arabisht, dhe pjesë të tij u publikuan në YouTube. Në botën arabe filmi shkaktoi zemërimin që ende nuk po ndalet.

Data: 19 Shtator 2012 13:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera