Kthehu lart

Licenca pune për mësimdhënësit ferizajas

Licenca pune për mësimdhënësit ferizajas
GazetaExpress E martë, 28 Maj 2013 16:15

Mbi 2700 mësimdhënës nga Ferizaj dhe komunat përreth kanë marrë të martën licencat 5 vjeçare për mësimdhënie. Licencimi i mësimdhënësve u vlerësua të jetë i rëndësishëm, pasi do të rris ndjeshëm kualitetin e mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollat tona.

Zyrtarë të arsimit dhe anëtarë të këshillit shtetëror të licencimit të mësimdhënësve kanë thënë se ky proces që është zhvilluar disa vite me radhë, ndërlidhet me njërin prej katër komponentëve strategjik të MASHT-it, për të bërë ndryshimet e nevojshme në shkollat shqipe, në përputhje me standardet perëndimore.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njëherësh kryetar i këshillit për licencim ka thënë se ky është një moment i rëndësishëm, sepse, për herë të parë, po licencohen mësimdhënësit.

“Ky proces ka filluar që nga viti 2008 dhe do të vazhdojë edhe më tutje, me qëllimin e vetëm që të kemi mësimdhënës të përgatitur e të licencuar për mësimdhënie me metodat bashkëkohore, me synimin e përhershëm rritjen e cilësisë në arsim”.

Mustafa ka folur edhe për licencimin e mësimdhënësve si proces me ç`rast ka thënë se janë katër komponentët kryesore të licencimit: zhvillimi profesional i mësimdhënësve, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, licencimi si proces, që do të thotë vetë ndarja e licencës si dhe avancimi në kualifikimin e mësimdhënësve.

“Këto licenca nuk janë vetëm leje pune, por është mundësi e përparimit në karrierë. Çdo kalim nga një shkallë në tjetrën, do të shoqërohet me një diferencë page për 10 për qind, që do të thotë se është një motiv shtesë për të gjithë”, ka thënë zv.ministri Mustafa.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai ka thënë se MAShT-i po bën çdo gjë që është e mundur që në shkolla shqipe të ketë mësimdhënës të mirë , ndërsa edhe institucionet lokale do ta kenë më të lehtë përzgjedhjen e kuadrit mësimor. Aliu këtë e ka quajtur të jetë një ditë e veçantë për prindër e nxënës, mësimdhënës e qytetarë.

Ndërsa, kryetari i SBAShK-ut, Ali Shabanaj ka theksuar se licencimi i mësimdhënësve është një proces shumë i vlefshëm për të mirën e nxënësve, por edhe për vetë mësimdhënësit, të cilët përmes këtij procesi ngrisin aftësitë e tyre profesionale, që nënkuptojnë edhe kualitetet e punës me nxënës nëpër shkolla. /Kosovapress/

Data: 28 Maj 2013 16:15
Autori: GazetaExpress

Të tjera