Kthehu lart

Lëvrimi i kohës

Lëvrimi i kohës
GazetaExpress E premte, 14 Shtator 2012 12:29

Pikënisjet, pikësynimet, mënyrat e ndryshme të argumentit, kalimi nëpër kohë apo lëvrimi i kohës, e harruara dhe e paharruara, e tashmja, ngritën mbi konceptin teorik që i vesh artit funksionin moralizues artisti Eshref Qahili.

Arti i tij është shteg që kuptohet thjesht si një jetë e nënshtruar ndaj kohës, momentit, periudhës ballkanike, duke e shëruar me instrument gëzimi. Titujt janë mjaftë grishës, domethënës, plot jetë që ringjallin krizat shpirtërore si: “Lëvrimi i moteve”, “Kënga e fundit”, “Muzeu i fëmijërisë”, “Legjenda e kullave” etj.

Them se piktura e Qahilit është një vallëzim, dhe e para që të godet në pikturat e këtij krijuesi është lënda e realitetit duke u gërshetuar me atë ëndërroren, mistiken, të përtejmen, ekspresiven, ku bluja, e verdha, e bardha, e hirta, shprehin atë ftohtësinë, zymtësinë dhe shpresën për një parajsë pa gravitet, sikurse shpirti lirohet nga kthetra e trupit, dhe zgjon penelin nëpërmjet vijës së lakuar qëllimisht, funksionin ideor etik, dhe gjymton thelbin specifik estetik.

Kacafytjet ngjyrore janë të pranishme edhe tek “L e kullave”, ku nga e ftohta ato spërkaten me të ngrohtën dhe është një kalim ëndërror nga realja tek e madhërishmja. E kornizuar me qëndrueshmërinë e kullës duke shpalosur kuptimin, labirinti i krijuesit është madhështor, oqean ngjyrash që shpërfaq thellësinë si fitore esenciale, duke goditur në ndjenjë, nga e cila rrjedh magma krijuese.

Kullat janë të mbuluara me vija të drejta të hirta, që përplasen pa mëshirshëm mbi qëndrueshmërinë e bukurisë dhe përsosmërisë së kohës. Tablotë kanë tension, një tension Shekspirian që nganjëherë të qon edhe tek rrënjët e Kamysë. Mirëpo, Sizifi këtu bart ngjyrën si element shprese, duke e modernizuar situatën, apo duke ju nënshtruar të vërtetës. Ballkani, një shushurimë, vullkan, barut, llavë , shpaloset tek tablotë e Qahilit.

Është një gjeografi e lashtë, e kulturës, qëndrueshmërisë, kafshimit nga e shkuara dhe pengesa e integrimit në të ardhmen. Ai sikur thërret me veprën artistike, për një globalizim artistik duke e ndarë artin si qëllim estetik dhe rregullues i problemit. Idetë janë të pllenuara, poetike, aspak fantazmagorike, të buzëqeshura lehtësisht, dhe nga e hirta në të ndezurën. Loja e ngjyrave, si të ngrohta dhe të ftohta, e kuqja e gjakut, e bardha e pafajësisë, ngritin lojën e një ekuilibri të ftohjes dhe të një shqetësimi poetik të krijuesit. Kemi edhe botën e thneglave, nga e padukshmja që na duket e parëndësishme, krijuesi e vë në plan të parë, duke na paralajmëruar se çdo insekt bënë jetë dhe është i rëndësishëm për botën. A thua vallë çfarë insekti është bota për galaksin? Një thnegël e vogël që bënë jetë ngjyrore, të mundimshme dhe përpjeke për një përjetësi të lehtë. Po tamam kështu, një insekt i cili sillet rreth rregullave të përkryera.

Vallja artistike është morale , por edhe imorale, e një natyralizmi kohor që shpërthen nga krizat shoqërore. Në syrin tim krijohen realitetet piktorike, të filtruara nga drita artistike, që zgjojnë kontraste të fuqishme. E madhërishmja qëndron mu në atë grishjen e njeriut ballkanik, i cili rrethohet me një gjeografi të vockël, por traditë dhe kulturë të madhe. Liria e hapësirave, thneglat, bizonët, shpërfaqin karakterin ekzistencial të njeriut, i cili përmes absurdit shndërrohet në insekt, kafshë, madje edhe përbindësh.

Piktori, dukshëm liron njeriun nga historia, tendenca e tejkalimit të një kafshimi ekstrem kohor, vërtitet me ngjyrën gri dhe të bardhë, të cilat na japin shpresën dhe fitoren, por edhe hapësirat të cilat pafundësisht ngritën në pëlhurë, tregojnë atë lirinë e njeriut dhe mbinjeriut. Njeriu koordinon fatin, krijon të ardhmen, bredh në një botë të egër ashtu si do, është mbret i lirisë dhe robërisë, përcaktimin e bënë nga dëshira e të pushtuarit, kjo ngjan me ekzistencializmin e Sartrit, i cili shkrihet në penelin abstrakt të Qahilit. Arti gjithnjë do të jetë i përafërt me filozofinë ngase vëmendje kryesore i kushton njeriut. Dukuritë e realitetit natyror sado të jenë të pranishme, në radhë të parë ashtu si filozofia, problemet e njeriut si qenie sociale, mendimet për botën shpirtërore, vuajtjet, dëshirat, synimet, gjithnjë do të jenë të pranishme në telajo të artistëve.

Data: 14 Shtator 2012 12:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera