Kthehu lart

Letrat me vlerë në fillim të 2012-së

Letrat me vlerë në fillim të 2012-së
GazetaExpress E shtune, 19 Nentor 2011 11:20

Ekzekutivi i vendit tashmë është përgatitur për fillimin e emetimit të letrave me vlerë, dhe pritet që nga janari i vitit 2012 të emetohen në letra me vlerë 74 milionë euro. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Financave është bërë gati infrastruktura ligjore për emetimin e këtyre letrave, të cilat kanë një vlerë nominale, që do të përdoren për t’u shndërruar në vlerë aksionesh. Shuma huamarrjeje prej 74 milionë euro është paraparë edhe me Projektligjin për buxhet të vitit të ardhshëm, ndërsa interesim për të investuar në letrat me vlerë kanë treguar edhe bankat komerciale në Kosovë. Letrat me vlerë automatikisht do t’i hapnin rrugë Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta investuar një pjesë të fondit të saj që tash sa vite është kërkuar të investohet në Kosovë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka vlerësuar se emetimi i letrave me vlerë do të jetë një burim shtesë për financimin e nevojave për zhvillimin ekonomik të Kosovës, konkretisht në projektet e rëndësishme. Sipas tij, me këtë vendi hyn në një fazë ku do të fillohet me zhvillimin e tregjeve financiare.

“Është në fazën finale përgatitja e bazës legale, duke përfshirë ligjin dhe aktet nën ligjore. Gjithashtu, janë vendosur të gjithë softuerët e nevojshëm për këtë çështje në Bankën Qendrore, ndërsa përgatitjet janë në fazën finale. Ne presim që të startojë në fillim të vitit të ardhshëm. Fillimisht plani jonë origjinal ka qenë që të fillojë në fund të këtij viti, mirëpo në bazë të rekomandimeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, jemi pajtuar që të jetë fillimi i vitit të ardhshëm”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se tashmë është duke u bërë testi i tregut, dhe presin që emetimi i letrave me vlerë të fillojë suksesshëm. Sipas tij, kjo punë është bërë nga Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës, dhe me mbështetje nga asistenca teknike e Thesarit nga SHBA-të.

Sipas burimeve të Kosovapress bëhet e ditur se për shumën e letrave me vlerë tashmë janë gjetur edhe blerësit potencialë. Përveç bankave komerciale që veprojnë në Kosovë që tashmë kanë shprehur interesimin për investime në letra me vlerë, janë edhe Fondi i Trustit të Kursimeve Pensionale dhe Fondi i Privatizimit.

“Në rast se nuk ka investues tjerë në letrat me vlerë të Qeverisë, një pjesë të madhe pritet të blihen edhe nga bankat komerciale, por janë të sigurta që mjetet e privatizimit dhe Trustit të mund të kthehen dhe të investohen në Kosovë”, thonë këto burime brenda Qeverisë.

Diturie Hoxha, kryetare e Shoqatave së Bankave të Kosovës, ka thënë për Kosovapress se bankat komerciale në Kosovë janë të interesuara të investojnë në letrat me vlerë të Qeverisë.

“Interesimi i bankave ka qenë shumë i madh qysh prej fillimit. Rregullorja e parë, versioni i parë dhe iniciativa është marrë qysh në shtator të vitit të kaluar, edhe menjëherë bankat kanë shprehur një interesim, sepse është një formë për t’i plasuar mjetet rezervë dhe të cilat njëherë përnjëherë nuk kanë mundësi për t’i plasuar në kredi të sigurta, atëherë iu mbesin atyre si likuiditet me tepricë. Është shumë me rëndësi që tregu i letrave me vlerë të fillojë më shpejt. Bankat kanë potencial të investojnë në këto forma, por mbetet ende për t’u diskutuar disa detaje”, ka thënë Hoxha.

Letrat me vlerë automatikisht do t’i hapnin rrugë Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta investuar një pjesë të fondit të saj në Kosovë që tash sa vite është kërkuar të kthehen dhe të investohen në Kosovë. Sipas Ligjit të AKP-së, pjesa e mbetur e fondit të grumbulluar nga privatizimi i ndërmarrjeve në përputhje me kritere të arsyeshme të investimit, që mbahet në mirëbesim nga Agjencia do të investohen në letra me vlerë dhe instrumente të tjera financiare të klasifikuara nga agjenci ndërkombëtare të klasifikimit si letra me vlerë dhe instrumente financiare për investim.

Edhe Fondi i Trustit të Kursimeve mund të kthehet dhe të investohet në letrat me vlerë që i emeton Qeveria e Kosovës.

Në nenin 10 të Ligjit për Fondin Pensional të Kosovës thuhet se “Përpjesëtimi maksimal i letrave me vlerë të cilitdo emetues të vetëm, duke përfshirë personat e tij të anëtarësuar që mund t’i mbajë Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, është 5 për qind për aksione dhe 30 për qind për obligacione. Përpjesëtimi maksimal i mjeteve të tërësishme të pensionit, që mund të investohen në mjetet e një emetuesi, duke përfshirë llogaritjen e mjeteve të partnerëve, është 5 për qind”.

Ndërkaq, njohës të ekonomisë vlerësojnë se emetimi i letrave me vlerë do të ndihmojë ekzekutivin e vendit për realizimin e disa projekteve kapitale. Alban Zogaj, nga Instituti “Riinvest” thotë se përgatitjet në këtë drejtim kanë qenë të vonuara. Megjithëkëtë, sipas tij, fillimi i emetimit të letrave me vlerë në fillim të vitit të ardhshëm, do të jetë një burim i ri i financimit për Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria do të ketë mundësi që disa projekte të veta kapitale, investive, në të ardhmen t’i financojë përmes letrave me vlerë. Ky normalisht është një element pozitiv, sepse do të mund të zhvillohen disa projekte, që në situata tjera nuk do të kishin financim. Çdo projekt i ri investim kapital, normalisht sjell zhvillim ekonomik në vend. Ne e përkrahim këtë burim të ri të financimit”, ka thënë Zogaj.

Përndryshe, Kosova është i vetmi vend në rajon, të cilit i mungon tregu i kapitalit.

Data: 19 Nentor 2011 11:20
Autori: GazetaExpress

Të tjera