Kthehu lart

Kush është Zvonko? Pyet Sahit Jashari

Kush është Zvonko? Pyet Sahit Jashari
GazetaExpress E premte, 06 Janar 2012 08:40

Sahit Jashari, ish-pjesëtar i UÇK’së, mohon se ka lidhje me Zvonko Veselinovicin, personin e arrestuar në Serbi, i cili dyshohet se është bosi i krimit në veri të Kosovës. Artikulli i një reviste serbe, përfshin shumë emra të dyshuar se janë në lidhje kriminale. Ndër ta edhe Oliver Ivanovicin. Disa pohime të mediave serbe nuk i hedh poshtë as Policia e Kosovës.

Sahit Jashari nuk e ka ndjerë veten hiç mirë kur emri i tij është gjendur në mesin e bashkëpunëtorëve të Zvonko Veselinovicit, i arrestuar para disa ditësh nga policia e Serbisë.

Në një artikull të revistës serbe “Novi Magazin”, emri i Sahit Jasharit, ish luftëtar i UÇK-së dhe bashkëluftëtar i ngushtë i Komandantit Legjendar Adem Jashari, përmendet si njëri ndër bashkëpunëtorët e Zvonkos, në aktivitetet e tij kriminale në Veri të Kosovës.

Madje në këtë artikull, Sahit Jashari cilësohet si njeri i Kryeministrit Hashim Thaçi dhe anëtar i ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Jashari që është nga Prekazi i Drenicës, thotë se është befasuar kur ka dëgjuar për këtë.

Në një deklaratë për Express, Sahit Jashari thotë se nuk ka lidhje me personin e quajtur Zvonko Veselinovic, e as që e njeh apo se e ka parë ndonjëherë.

“Kurrë në jetën time nuk e kam parë, e as që kam folur me të. E vetmja çka di për të janë ato që kam dëgjuar nëpër media”, thotë Jashari për Express.

Krahas shumë emrave, shumica serbë, që përmenden në artikullin e revistës serbe, ndodhen edhe ata të pesë shqiptarëve të Kosovës.

Biznesmeni Mentor Beqiri, Qazim Osmani, pronar i kompanisë “Feniks, vëllai i tij, Ismet Osmani, i njohur si “Curri”, Kadri Banjska, pronar i “Banjska Petrol”dhe Sahit Jashari, siç thuhet në artikull, kanë bërë biznes bashkë me Veselinovicin, duke kontrabanduar naftë.

Disa nga këta emra, Sahit Jashari thotë se i njeh dhe i ka miq, mirëpo mohon të ketë lidhje diçka me serbin Zvonko. Ai thotë se nuk do të rrijë duarkryq, por do t’ i padisë mediat që kanë shkruar për të.

Megjithëkëtë, emri i Mentor Beqirit nuk është i panjohur për Policinë e Kosovës.

Beqiri, pronar i disa pikave të karburantit në rajonin e Mitrovicës, ishte arrestuar para dy vitesh bashkë me pesë persona të tjerë. Në atë kohë, Beqiri dyshohej për krim të organizuar, pastrim parash dhe kontrabandë me mallra. Por në mungesë provash, Beqiri më vonë është liruar nga paraburgimi.

Në Prokurorinë e Qarkut në Mitrovicë, nuk duan shumë të komentojnë në lidhje me emrat që janë përmendur në artikullin e revistës serbe.

Kryeprokurori Shyqri Syla thotë se nuk mund të flasë për këtë temë pa i shikuar mirë dokumentet.

Por këta emra biznesmenësh që vijnë nga rajoni i Mitrovicës, nuk janë të panjohur për policinë e kësaj ane. Madje, burime të gazetës serbe kanë thënë se Beqiri dhe shokët e tij që përmenden në artikull, gjenden në mesin e të dyshuarve se mund të kenë lidhje me Zvonko Veselinovicit.

“Këta emra policia i ka si mundësi për hetimet në lidhje me Zvonkon”, thotë një burim brenda Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Mirëpo zyrtarisht nuk konfirmohet një gjë e tillë pasi sipas zëdhënësit të policisë, Besim Hotit, nuk është iniciuar ndonjë kallëzim penal nga ana e tyre.

“Deri më tani, zyrtarisht nuk është iniciuar ndonjë kallëzim penal as ndaj emrave që ju përmendni. Mirëpo, ajo që mund të ju them, është se ne nuk kemi të drejtë të komentojmë asgjë përderisa nuk kemi kallëzim penal”, tha Besim Hoti për Express.

Sikurse Policia e Kosovë,s edhe institucionet në Serbi nuk lëshohen shumë në deklaratat rreth “çështjes Zvonko”.

Sekretari shtetëror në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq thotë se ajo çka është shkruar në atë revistë, nuk është shumë për t’u besuar.

“Ka edhe gjëra që mund të jenë të vërteta, mirëpo ne nuk mund të bazohemi në shkrime të gazetave. Për ne me rëndësi është se çka do të dalë pas përfundimit të hetimeve”, tha Ivanoviq për Express.

Sipas tij, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij janë duke u mbajtur në paraburgim dhe ndaj tyre janë duke u bërë hetime për veprat penale për të cilat dyshohen.

Zvonko dhe vëllai i tij u arrestuan gjatë muajit të kaluar në Kopaonik. Ai është njeriu kryesor që akuzohet se ka organizuar bllokimin e rrugëve në Veri të Kosovës. Këtë madje e ka thënë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drews.

“Novi Magazin”

Revista “Novi Magazin”, në bazë të të dhënave që i ka siguruar përmes hulumtimit disa javësh, është munduar që ta përgatisë një skemë të lidhjes së biznesmenëve lokalë, të politikanëve dhe kriminelëve me Zvonko Veselinovicin. Shërbimet serbe të inteligjencës, sipas kësaj reviste, e kanë vlerësuar Veselinovicin si bartës të aktiviteteve kriminale në territorin e Kosovës. Menjëherë pas tij, është përmendur edhe vëllai i tij, Zharko. Veselinovic kishte qenë nikoqir i liderit të SNS-së, Toma Nikolic, në Kosovë, e kishte ndihmuar në aspektin logjistik fushatën e kësaj partie në Mitrovicë dhe është i afërt me pothuajse të gjithë liderët lokalë politikë serbë në Veri të Kosovës. Deputeti i SNS-së në Kuvendin e Serbisë, Borislav Pelevic thotë se Veselinovicin e ka “shok të luftës dhe mik” dhe se i kishte ndihmuar gjatë fushatës për zgjedhje lokale në Kosovë. Krstimiq Pantic, kryetar në veri të Mitrovicës, thuhet se kishte tentuar të ndikojë në Borislav Stefanovicin dhe në ministrin për Kosovën, Goran Bogdanovic, që të ndihmojnë që cisternat e Veselinovicit të kalojnë pa u penguar në kufi me Kosovën.

New York Times

Për lidhjet e Zvonkos me biznesmenët shqiptarë ka shkruar edhe gazeta amerikane, “New York Times” . Në njërin nga numrat e tetorit të vitit të kaluar, kjo gazetë ka shkruar se biznesmenët shqiptarë dhe serbë në Veri të Kosovës me forca të përbashkëta kontrabandojnë derivate të naftës, vlera e së cilës gjatë një viti arrin deri në 100 milion dollarë. Sipas kësaj gazete, biznesmeni serb, Zvonko Veselinoviq dhe kolegu i tij shqiptar, Mentor Beqiri gjenden në krye të këtij rrjeti kontrabanduesish. Gazeta vlerëson se në Kosovë ekziston një lloj i “harmonisë së rrallë etnike” e dy popujve, e cila bazohet në punët që arrijnë shuma marramendëse deri në 100 milionë dollarë gjatë një viti, e që mundësohen nga rrugët e ndërtuara bashkërisht nëpër territorin e ndarë. Duke u thirrur në burimin nga policia e Kosovës, gazeta si partner të Veselinovicit përmend Mentor Beqirin (32), i cili ishte arrestuar në vitin 2009, me akuzën se kishte kontrabanduar naftë, por në mungesë të provave, ishte liruar shpejt. Sipas të njëjtit burim, Beqiri është pronar i një zinxhiri pikash të karburantit.

Data: 06 Janar 2012 08:40
Autori: GazetaExpress

Të tjera