Kthehu lart

Kukeli e Meha, gati për Shqipërinë

Kukeli e Meha, gati për Shqipërinë
GazetaExpress E mërkurë, 05 Shtator 2012 13:35

Burim Kukeli dhe Alban Meha janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre për Kombëtaren e Shqipërisë.

‘Motori’ i Zurichut luan përpara mbrojtjes dhe pavarësisht se në këtë rol mund të luajnë shumë mirë si Cana ashtu dhe Curri, nuk i trembet konkurrencës. Ai ndihet i lumtur që iu dha rasti t’i mbrojë ngjyrat kuq e zi.

“Më kanë thirrur para tre muajsh, por nuk ishte bërë që të vija. Tash që erdha, jam shumë i lumtur që jam këtu. Do të jap gjithçka për Kombëtaren shqiptare, shpresojmë të fitojmë në dy përballjet e para”, deklaroi futbollisti gjakovar.

Ndërkohë, edhe Meha e ka shprehur kënaqësinë e tij që do të ketë mundësi të jetë në dispozicion të selektorit Gianni de Biasi.

“Nuk e kisha menduar që do të ftohesha, por po gëzohem që ka shkuar aq shpejt. Jam i gëzuar që jam këtu, më kanë pritur mjaft mirë. Çdo futbollist ka dëshirë të luajë, por në fund vendos trajneri. Kryesorja është ta japësh maksimumin për ekip dhe kur ekipi të arrijë suksese, kjo është e rëndësishme”, deklaroi mesfushori i Paderbornit.

Zvicër – Shqipëri, betejë ‘vëllezërish’

Përballja ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë do të jetë një betejë ‘vëllezërish’, kur kihet parasysh se në kampionatin zviceran luajnë futbollistë shqiptarë dhe në Kombëtaren zvicerane paraqiten futbollistë shqiptarë.

Për këtë magazina zvicerane Blick ia ka kushtuar një tekst të veçantë ballafaqimit Zvicër-Shqipëri, që do të zhvillohet më 11 shtator në Luzern.

Në fakt, selektori Gianni de Biasi ka ftuar tre futbollistë që luajnë në vendin helvetik, siç janë: Jahmir Hyka (Luzern), Armando Sadiku (Lugano) dhe debutuesi Burim Kukeli (Zurich), kurse selektori Ottmar Hitzfeld ka grumbulluar në ekipin e tij pesë lojtarë shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

Po ashtu në këtë ‘përzierje’, Blick e ka përmendur edhe Lorik Canën, i cili e përfaqëson Shqipërinë, por që është rritur në Zvicër, ku kishte shkuar familja e tij si refugjate në Lozanë para se të transferohej në Paris Saint Germain.

Sa vjen e afrohet kjo sfidë ‘vëllazërore’, aq më i madh është interesimi i sportdashësve që t’i shohin të dashurit e tyre në fushë.

Data: 05 Shtator 2012 13:35
Autori: GazetaExpress

Të tjera