Kthehu lart

Krasniqi me fe të Rilindasëve

GazetaExpress E shtune, 27 Gusht 2011 09:37

Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë për gazetën “Epokën e Re” se ai është i gatshëm që të dëshmojë në mbrojtje të Fatmir Limajt, nëse këtij të fundit i ngrihet aktakuzë bashkë me nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së për rastin Kleçka.

“Duke e mbrojtur Limajn e mbroj UÇK-në”, ka thënë Krasniqi për këtë gazetë.

Sipas tij, në këtë rast kjo bëhet duke e mbrojtur Limajn. “Kjo për faktin se shantazhet e tilla: gjykimi në Hagë, akuzat e Dick Martyt dhe bisedimet e orkestruara janë në shërbim të ngufatjes së zërit autentik shqiptar dhe demokratik”.

Krasniqi ka thënë se veprimet e këtilla janë kundër shtetit të Kosovës. “Shkurt e shqip janë veprime kundër funksionimit të institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës dhe kundër perspektivës shqiptare në trojet e veta. Po e përsëris, shqiptarët duhet të mendojnë dhe të veprojnë shqip”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka kërkuar të ndërpriten përpjekjet që kanë për synim t’i degradojnë vlerat dhe traditat shqiptare kombëtare, qofshin ato sulme në emër të “drejtësisë” apo në emër të “fesë”.

“Populli shqiptarë ka fenë e rilindësve, me vlerën e së cilës kemi ardhur deri këtu”.

Për rastin Limaj dëshmi jo të njëjtë kanë dhënë edhe ish-komandanti i UÇK-së, tash Ministër i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku dhe Bislim Zyrapi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Limaj është duke u gjykuar në Prishtinë bashkë me nëntë bashkëluftëtar të tjerë me akuzën për vepër penale, krime të luftës.

Seanca për konfirmim ose jo të aktakuzës është mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Vendimin për këtë çështje pritet ta marrë së shpejti trupi gjykues.

Data: 27 Gusht 2011 09:37
Autori: GazetaExpress

Të tjera