Kthehu lart

Kosova e Re, sigurt drejt ritenderimit

Kosova e Re, sigurt drejt ritenderimit
GazetaExpress E martë, 17 Korrik 2012 08:04

Termocentrali Kosova B do të hiqet nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re. Kështu ka marrë vendim të hënën Komiteti Drejtues për këtë projekt. Burime të Expressit tregojnë se këtë e kanë kërkuar vetë kompanitë e parakualifikuara. Qeveria, më herët, e pati futur me zor Kosovën B në pako tenderuese, të cilën tash përmes Parlamentit duhet ta heqë. Nëse deputetët votojnë kundër, gjithçka nis nga e para.

Ashtu siç kërkuan investitorët, ashtu edhe u bë. Termocentrali Kosova B nuk do të jetë pjesë e pakos së projektit energjetik, Kosova e Re.

Kështu ka vendosur të hënën në takimin e fundit të tij, Komiteti Drejtues i Projektit “Kosova e Re”, konfirmojnë për gazetën Express, zyrtarë të këtij komiteti.

Këtë propozim pritet ta miratojë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet gjatë kësaj jave.

Bashkë me miratimin e këtij propozimi, mësohet se do t’u jepet drita e gjelbër edhe disa ndryshimeve sa i përket mihjes që do ta furnizojë termocentralin e ri me thëngjill dhe komplet strategjisë së energjisë.

Ndryshimet në projektin e Kosovës së Re i kanë konfirmuar edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, pa përmendur se çfarë do të jenë ato.

Në këtë institucion nuk komentojnë për detajet e vendimit duke thënë se i takon Qeverisë të vendosë.

“Në takimin e Komitetit Drejtues të Projektit “Kosova e Re” është marrë vendimi për disa rekomandime lidhur me strukturën e projektit. Ndërsa vendimi përfundimtar do të merret gjatë kësaj jave, në takimin e Qeverisë”, ka pohuar zëdhënësi i MZHE-së, Naim Zeqiri.

Tërheqja e termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese, burime të gazetës thonë se po bëhet për shkak të krizës ekonomike botërore, e cila ka prekur vendet prej nga vijnë investitorët potencialë në projektin Kosova e Re.

Në garë tashmë janë katër konzorciumet e kualifikuara për të marrë pjesë në termocentralin Kosova e Re: Konzorciumi Adani Poëer/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konzorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-ja dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konzorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania.

Mësohet se që të gjitha kompanitë kanë kërkuar që nga pakoja të tërhiqet Kosova B, të cilën Qeveria me shumë mund dhe kritika e pati futur atë në pako për ta bërë sa më shumë tërheqëse për investitorët.

Protagonistët kryesorë të këtij procesi thonë se hapi i radhës i Qeverisë është që këtë çështje ta kthejë edhe një herë në Kuvend. Kjo thotë se do të jetë sfiduese, pasi sipas numrave të deputetëve, Kuvendi nuk mund ta miratojë, pasi që thuajse shumica e tyre e kishin kritikuar Qeverinë për futjen e Kosovës B në pakon tenderuese. Dhe në rast të mosmiratimit të projektit nga ana e Kuvendit, gjithçka kthehet në pikën zero.

Kjo edhe mund të ndodhë pasi që edhe institucionet vendëse janë të interesuara t’i rikthejnë investitorët e mëhershëm në garën për projektin e termocentralit Kosova e Re.

Me ritenderim, sipas burimeve të gazetës, u hapet rrugë edhe shumë investitorëve që janë më seriozë dhe ekspertë apo me përvojë të gjatë në eksploatimin e qymyrit.

Gazeta Express pati raportuar për këtë plan, kohë më parë.

“Kompanitë konkurruese, të cilat janë tri turke dhe një egjiptiane, duket se nuk janë edhe të profesionalizuara në eksploatimin e qymyrit”, patën treguar burime të gazetës.

Për eksploatimin e qymyrit dhe me përvojën më të madhe në botë, sipas ekspertëve të energjisë, janë gjermanët, të cilët Qeveria pretendon t’i fusë edhe një herë në garë për këtë projekt.

Më herët, një prej kompanive më të mëdha gjermane për eksploatimin e qymyrit, “RËE Poëer” ishte konkurrente, por e cila iku më vonë për shkak të zvarritjes së punëve të Qeverisë.

Projekti i Kosovës së Re ka filluar qe tetë vite dhe që atëherë janë bërë shumë ndryshime në të. Ndryshimet e para ishin ato të reduktimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë nga 2000 megavat në 600 megavat.

Data: 17 Korrik 2012 08:04
Autori: GazetaExpress

Të tjera