Kthehu lart

“Kolonat”, më i miri mes 824 filmave në Austri

“Kolonat”, më i miri mes 824 filmave në Austri
GazetaExpress E martë, 13 Gusht 2013 13:27

Filmi shqiptar “Kolonat” vijon të vlerësohet në evenimente ndërkombëtare të filmit, që zhvillohen në shtete të ndryshme të botës. Vlerësimi më i fundit i tij vjen në festivalin e 28-të të filmit të shkurtër “Alpinale Kurzfilmfestival”, që përfundoi në Nenzing të Austrisë. Mes 824 filmave nga e gjithë bota, çmimin kryesor “Goldener Einhorn” e ka fituar filmi nga Kosova me titullin “Kolona”, i regjisorit Ujkan Hysaj. Në mbrëmjen finale u ndanë tetë çmimet që jepen nga publiku, por edhe juria e festivalit.

Ujkan Hysaj

Në krye të jurisë prej pesë anëtarëve ishte regjisorja e teatrit Brigita Soraperra, ndërsa anëtarë ishin Stefan Pohl, aktor dhe regjisor, Thomas Taborsky, kritik filmi dhe regjisorët Felix Kalaivanan e Joan Sanchez Arroyo. Të gjithë anëtarët u shprehën të entuziazmuar nga vlerat e filmit të shkurtër “Kolonat”. “Filmi, me një epërsi bindëse ndaj të gjithë të tjerëve ka arritur, që duke filluar nga sekonda e parë, të krijojë një tension konstant”, thuhet në vlerësimin e jurisë. Por një vit më parë, filmi me regji të Ujkan Hysajt, që pasqyron një pjesë të historisë së Kosovës në vitin 1999, duke e ndërlidhur atë me jetën një dekadë më vonë ka arritur të bindë publikun në edicionin e 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë të Polonisë, ku u vlerësua me Çmimin e Publikut. Filmi rrëfen historinë e familjes së Ademit (Synaj Raça), i cili në vitin 1999 vendos t’i bashkohet kolonës së refugjatëve shqiptarë të përndjekur nga pushteti serb. Përveç gruas dhe djalit të tij, ai merr me vete edhe gruan dhe djalin e të vëllait. Paratë që ka kursyer i ndan në disa postblloqe për paramilitarët serbë, e në të fundit ndodhet para një zgjidhjeje shumë të vështirë. I kanë mbetur vetëm 1 mijë marka, e me to mund të blejë jetën e vetëm njërit nga dy djemtë, Granitit dhe Shpendit. Vendos që ta shpëtojë Shpendin, djalin e vëllait të tij. Kjo ngjarje atij i kthehet në kujtesë kur gjendet në kolonë të dasmës për martesën e Shpendit. Në film luajnë aktorët Arbnesha Grabovci, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vllado Jovanovski, Bislim Muqaj, etj.

(SotNews)

Data: 13 Gusht 2013 13:27
Autori: GazetaExpress

Të tjera