Kthehu lart

Kokat qiellore të Kaleshit

Kokat qiellore të Kaleshit
GazetaExpress E enjte, 20 Shtator 2012 11:39

Ajo që më bënë të kontaktojë me pikturat e krijuesit Omer kaleshi është ngjyra, ideja, koncepti dhe mesazhi. Kokat janë një emër kuptimplotë, ngaqë çdo gjë rrjedh nga kokat, vërtitet e shërbehet me ndihmën e kokës.

A thua pse këto koka janë pa veshë, enigmatike, melankolike, të heshtura, pa zhurmë, pa zë? Ngaqë janë ngopur me zhurmë dhe nuk duan asgjë të dëgjojnë.

Gjenialiteti qëndron pikërisht në kryqëzimin e realizmit dhe idesë; tek lëvizja e ngjyrës, kufizimit të figuracionit, dhe psikologjisë ballkanike - duke identifikuar popujt, por jo edhe psikologjitë; duke unifikuar mendimet që çojnë në një globalizim efektiv , egocentrik, kalamendës, me plotë shpresë e magmë poetike. Krejt kjo kërkon pjekuri në perceptim dhe konkretizim. Ky është Kaleshi. I sinqertë, si një fëmijë që shpreh tërë realitetin objektiv e subjektiv.

Ne pranojmë, dëgjojmë, ngacmohemi, prekemi nga arti i tij, por e vërteta sillet rreth kokave që na vështrojnë me sy të padefinuar. Si duket, krijuesi gjymtoi shpirtin eskilian tragjik dhe e shndërroi në një qetësi absolute, që bredh mes galaksisë enigmatike. Kokat e piktorit Kaleshi zbrazen nga një kokë qiellore e një universi, që shtrydhet nga ngjyrat e ngrohta dhe neutrale, që vërshohen dhe aterojnë mbi pëlhurë. Punimet e ekspozuara në Kolegjin Iliria janë një meritë e madhe e këtij kolegji, ngaqë në emër të mjeshtrit aty u inaugurua galeria e përhershme Omer Kaleshi, dhe u përurua monografia e Jordan Plevnesh dedikuar atij.

Pse janë këto koka? Çfarë përmbajtje kanë ato në thelb? A mos shpalosin forcën morale dhe historike, meloditë antike, apo tragjeditë e Sofokliut? Gjymtimi i tyre, i krijuar në treshe - si apostujt e Jezu Krishtit, edhe pse mes tyre mungon Juda - paraqesin realitetin ballkanik. Gjërat që i shohim janë po ato që ekzistojnë brenda nesh. S’ka asnjë realitet jashtë asaj që kemi brenda vetes. Portretet nuk jetojnë jashtë nesh, por e rrokullisin realitetin e botës së dukshme dhe të padukshme. Nuk duhet të jemi kundër kërkimeve të thelluara e të përparuara, që puqen mbi egon tonë.

Arti shpesh provon thelbësoren brenda nesh, që nuk lidhet me botën e jashtme. Të ngjanë rrezatimet e brendshme që projektohen jashtë. Pra, nuk ka rëndësi të madhe objektive nëse e ndërtojmë në formë miteash, kënaqësish, zotash, dervishësh, të humburish, të gjykuarish... sepse, kjo është mimika dhe pantomima e heshtur e kokave të Kaleshit. Ato kanë kujt t’i binden, kanë një e pavarësi artistike të bindjes. Pavarësia e tyre nuk i nënshtrohet ligjeve objektive, por subjektive, ndërsa bindja e tyre i bindet ligjeve të unit. Arti i tyre është shpirt i gjakut, dhe krijohet nga diçka e prekshme që nuk na çon në abstraksion, por ateron në rrënjët e realizmit shpirtëror dhe në përkthimin ideor të ndjenjës. Kokat nuk buzëqeshin rrezikshëm, por vështrojnë si engjëjt mbi mishërimin ballkanik kohor të një globalizmi postmodern.

Gjëja më qetësuese është bukuria e tyre. Të gjithë që jemi të dhënë pas kësaj dukurie, arrijmë ta harrojmë vetveten, dhe mbi të gjitha dhimbjen përvëluese të një bote artistike. Lumturia kthehet tek vetëdija e një uni të dhimbjes, kokat shpërthejnë nga paqja - por të kapluara nga një trishtim, e qielli i tyre vezullues ngjanë në një luginë të humbur e të errët, që ekziston vetëm në hapësirën dy dimensionale të figuracionit.

Tingujt nuk janë belbëzues, e as gjestet nuk janë të reja, sepse u ka ardhur në maje të hundës. Sepse, gjuha e së shkuarës përpëlitet mbi sytë e padefinuar, dhe shprehë një melodi vallëzuese me kapelë të mbrapshtë ballkanike të një kulture të vjetër. Ne luajmë muzikën tonë moraliste dhe intelektuale me monedha mbi kapele. Çdo rrugë që krijohet mes hapësirës së madhe, të çon tek arti i qetë i një nevoje dhe lëvizjeje që sjell siguri artistike. Ashtu si ylli dritën, ta sjellë ndërmend idenë e rregullit, harmonisë, orientimit të një kaosi, pa peshë e gravitet.

Ne ballkanasit s’jemi aq të zotë që të depërtojmë në misterin e bashkësisë. Aftësia jonë bazohet në aftësinë e vlerësimit subjektiv, duke pohuar gjithnjë se s’ka art, por Kaleshi artin e bashkon dhe e krijon në bashkësi, jo në individualitet figurativ. Pra, individualiteti - vetmia e Nietzches - dominon prapa syve të tij, dhe dhurohet pa definim e kuptim.

Shpirti i piktori Kaleshi është fisnik, ngaqë i bindet së vërtetës subjektive. Krijon rregull në parregullsinë galaktike.

Data: 20 Shtator 2012 11:39
Autori: GazetaExpress

Të tjera