Kthehu lart

Kina mobilizon ushtrinë

Kina mobilizon ushtrinë
GazetaExpress E martë, 02 Prill 2013 01:30

Pas lajmit se Koreja Veriore do të riaktivizojë centralin e saj bërthamor Yongbyon, raportohet se Kina ka filluar me mobilizimin e ushtrisë së saj përgjatë kufirit me këtë shtet. Paralelisht, raportohet se pranë ujërave detare të Veriut është stacionuar edhe destrojeri amerikan, USS Fitzgerald.

Koreja Veriore ka njoftuar sot se planifikon të riaktivizojë reaktorët e saj bërthamor në Yongbyon, të cilët i kishte mbyllur në vitin 2007. Në njoftimin që e bëri publik agjencia verikoreane KCNA thuhet se, kjo lëvizje do të forcojë edhe më tepër potencialin e vendit “kualitativisht, dhe kuantitativisht”.

Lëvizja e fundit e Veriut paraqet vetëm njërën prej masave që ndërmerr Pyongyangu pas vendosjes së sanksioneve, të cilat pasuan pas testimit të tretë bërthamor në vend.

Lancimi i raketës balistike nga ana e Veriut nxiti reagime të shumta të bashkësisë ndërkombëtare, pas të cilave OKB’ja vendosi sanksione të reja, edhe më të ashpra ndaj regjimit në Pyongyang.

Kina dhe SHBA mobilizojnë ushtritë

Kina ndërkohë ka filluar me mobilizimin e ushtrisë së saj përreth Gadishullit Korean, si përgjigje ndaj tensioneve aktuale atje. Ushtria Popullore Çlirimtare e Kinës ka filluar të rris prezencën e saj pranë kufirit me Korenë Veriore. Burimet amerikane të informacioneve pohojnë se, ky proces po zhvillohet që nga mesi i muajit të kaluar, dhe se pjesë e tij është edhe transferimi i forcave kineze në kufi me Veriun, dhe përgatitja e aeroplanëve ushtarakë kinezë.

Njëkohësisht, mediat njoftojnë se, manovrat ushtarake amerikano-jugkoreane - të cilat sipas planit fillestar duheshin të zgjasnin vetëm një javë - do të zgjasin deri në muajin maj.

SHBA në vazhdimësi po shtojnë praninë e tyre afër kufirit me Korenë e Veriut. Pas “vizitës" që atje e bënë aeroplanët bombardues B2 dhe ata F22, tani është bërë e ditur se pranë brigjeve detare të Veriut është stacionuar edhe destrojeri amerikan USS Fitzgerald.

Data: 02 Prill 2013 01:30
Autori: GazetaExpress

Të tjera