Kthehu lart

KDI: Legjislatura e tanishme, nga më të dobëtat

KDI: Legjislatura e tanishme, nga më të dobëtat
GazetaExpress E mërkurë, 18 Korrik 2012 13:51

Instituti Demokratik i Kosovës, ka publikuar raportin gjashtë mujorë të punës së Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve të Kuvendit. Sipas KDI-së, puna e Kuvendit të Kosovës, për periudhën gjashtë mujore të këtij viti , vlerësohet si më e dobëta që kur është instaluar jeta parlamentare në Kosovë. KDI, konsideron se gjatë kësaj periudhe është vërejtur tendenca e Qeverisë ndaj punës së kuvendit.

Sa i përket angazhimeve të deputetëve, sipas KDI-së , deputeti më aktiv ka dal të jetë, Ardian Gjini nga AAK-ja, ndërsa më pasivja, deputetja nga radhët e PDK-së, Justina Pula, e cila është vlerësuar me minus pikë.

Gjatë një konference për media, Ismet Kryeziu, ka thënë se në bazë të raportit të KDI-së, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kuvendi i Kosovës, gjithnjë e më pak ka filluar të bëhet përfaqësues i interesave të qytetarëve të Kosovës, për shkak të ndikimeve të ekzekutivit në punën e tij.

“Tendenca e qeverisë për të zbehur rolin e Kuvendit edhe për të orientuar debatin drejt kualifikimit se Kuvendi në të shumtën e rasteve ka një rol këshillues dhe jo obligues për Qeverinë. Shpreh edhe një herë tendencën e qeverisë për të ndikuar mbi punën e kuvendit dhe për të mbikëqyrur kuvendin. Do të thotë në Kosovë gjatë këtyre gjashtë muajve është duke ndodhur e kundërta. Në vend se të kemi një mbikëqyrje nga parlamenti mbi qeverinë, kemi aktin e kundërt”, ka thënë Kryeziu.

Sipas KDI-së, në seancat e Kuvendit të Kosovë është vërejtur një mosinteresim i deputetëve për të debatuar, ku pjesëmarrja ka qenë vetëm 60 për qind në seancat e Parlamentit, ndërsa, gjithashtu në gjashtë muajt e fundit është parë një ngritje e tendencave për të pasur fyerje, etiketime dhe për të tejkaluar normat dhe gjuhen parlamentare.

“Në bazë të këtyre të gjeturave, të cilat përfshihen në raportin tonë gjashtë mujor mund të konkludojmë se Kuvendi më së paku, sot i ngjan një Kuvendi debatues edhe përfaqësues. Kuvendi i Kosovës i ngjan një kafeneje pa rend shtëpiak, ku hyn dhe del kur të dush. Në vend të ligjbërës bëhen shantazhe dhe linçime, ku në vend të mbikëqyrjes së ekzekutivit, mbikëqyret nga ekzekutivi. Do të thotë një Kuvend i cili në vend të përfaqësimit të qytetarëve shkel vullnetin e qytetarëve, nuk merr parasysh vullnetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Për më tepër, Kryeziu ka thënë se Kuvendi gjatë periudhës gjashtë mujore ka pasqyruar një degradim të politikës Kosovare.

Ndërkaq, duke folur për përformancen e deputetëve të Kuvendit, Driton Salmanaj nga KDI, ka thënë se gjatë kësaj periudhe, janë vërejtur disa shkelje të procedurave. Sipas tij, rasti më eklatant është rasti i Kodit Penal të Kosovës. Sipas KDI-së, Komisioni Parlamentarë me më së shumti takime ka qenë Komisioni për Bujqësi dhe Pylltari, me rreth 37 takime, ndërkohë që komisioni me më së paku takime ka qenë komisioni për punë të jashtme me 9 takime.

Sipas raportit të KDI-së, deputeti më aktiv, ka dalë të jetë, Ardian Gjini me 3.57 për qind, ndërsa më pasivja, ka dalë të jetë deputetja nga radhët e PDK-së, Justina Pula me minus 0.37 për qind.

“Ne kemi ndarë 10 deputetët më aktiv dhe 10 deputetët më pasiv. Deputetët më aktiv gjatë kësaj periudhe janë, Ardian Gjini me 3.57 për qind, Visar Ymeri me 3.37 për qind, Hydajet Hyseni me 3.35 për qind, Alma Lama 2.96 për qind, pasur nga Sabri Hamiti, Myzejene Selmani, etj. Deputetët më pasiv janë, Justina Pula me minus 0.37 për qind, Fatmir Limaj me minus 0.31 për qind, Azem Syla me minus 0.18 për qind, pastaj pasojnë, Petar Miletiq, Vasimir Saviq, Ukë Rugova etj. Në bazë të vlerësimit tonë kanë dal më tepër se 12 deputet që janë vlerësuar me minus zero, për shkak se këta kanë munguar në seanca”, ka thënë Ramabani.

Ndërsa, sipas KDI-së, aktiviteti i grupeve parlamentare ka qenë PDK me 28.83 për qind, LDK me 26.67 për qind. VV me 13 .36 për qind dhe AAK me 13. 03 për qind.

Sa i përket mbajtjes së seancave në këtë periudhë, Kuvendi i Kosovës ka pasur 24 seanca plenare, prej tyre 20 të rregullta, 2 të jashtëzakonshme dhe 2 solemne.

KDI vlerëson se performanca e kësaj legjislature, llogaritet të jetë nga më të dobëta që kur është instaluar jeta parlamentare në Kosovë.

Data: 18 Korrik 2012 13:51
Autori: GazetaExpress

Të tjera