Kthehu lart

Jeta në Kosovë

GazetaExpress E martë, 29 Shtator 2009 06:33

Nuk ka gazetarë dhe gazetari të pavarur në një medium që nuk ka drejtor të pavarur. “Jeta në Kosovë” nuk është kështu vetëm pse Jeta Xharra ka qenë e tillë, por për faktin se Agim Zatriqi e ka bërë atë të jetë gazetare e lirë. E ka bërë të pavarur dhe ia ka mundësuar realizimin e gazetarisë hulumtuese.

E dëgjova vëmendshëm Ambasadorin Chris Dell në përvjetorin e emisionit “Jeta në Kosovë”. Nuk dua të flas për dëshirën e mirë që Ambasadori amerikan pati për fjalën e lirë në Kosovë, por nuk dua assesi të pranoj që Chris Dell duhej të ishte aq i ashpër për gazetarinë dhe gazetarët në Kosovë. Aq më keq që po fliste në një atmosferë të ahengut të një emisioni që synon të jetë vërtet i lirë në punën që bën.

Mënyra se kujt iu dha mikrofoni për të folur për gazetarinë dhe si folën ata, tregon për nevojën e devotshme të gazetarisë dhe stafit të “Jetës” për të qenë afër dikujt.

Ajo ishte ditë e gazetarisë dhe jo e politikës, aq më pak e politikanëve që kishin ardhur për t’na thënë se çka në të vërtetë duhet të bëjmë dhe si duhet të shkruajmë dhe raportojmë. Tekefundit, kjo është beteja jonë.

Ky formalitet ahengu, i bërë për t’i prezantuar lidhjet e ndryshme, tregon se gazetaria e “Jetës në Kosovë” po ndërton afinitete selektive të gazetarisë, duke lënë që krejt një koncept i lirisë së fjalës të interpretohet nga ata të cilët nuk janë gazetarë.

Ato pak fjalë që Jeta Xharra tha për punën e vet, ishin të paartikuluara dhe të padenja për një gazetare me përvojë.

Iu them të gjithë atyre që folën në atë mbrëmje se gazetaria në Kosovë është më e mirë dhe më e pastër se secili institucion tjetër në Kosovë, qoftë ai shtetëror, publik, apo ndërkombëtar.

Kaq për përvjetorin e “Jetës në Kosovë”.

Por, diçka tjetër po ndodh në Kosovë dhe burimi i kësaj situate nuk është vetëm te mangësitë tona. Po shkatërrohet RTK’ja. Pse? Sepse që prej fillimit aty kanë bërë presion ndërkombëtarë dhe vendorë. Amerikanë dhe europianë. LDK, PDK e AAK. Grupe të interesit dhe komandantë të zonave. Kanë dashur që RTK të mos jetë institucion i fortë dhe kredibil. Nuk kanë dashur të bëhet institucion publik dhe televizion i qytetarëve.

Mua nuk më takon që të merrem me këtë institucion, për shkak të konkurrencës, por desha të shkruaj diçka për të kaluarën e tij, sepse kam qenë në Bordin e parë të RTK’së, në vitin 1999, kur edhe është krijuar.

Sllovenia, Çekia dhe Kosova janë përjashtime sa i përket ndërtimit të mediave publike. Cekia dhe Sllovenia kanë ndërtuar mediume të vërteta publike, sepse kane qenë të përkrahura nga institucionet dhe shoqëritë e tyre respektive. Kosova, ndërkaq, e kishte ruajtur televizionin publik nga politika ditore, meqë ky televizion është ndërtuar nga fondacionet dhe institucionet ndërkombëtare dhe është udhëhequr nga një menaxhment politikisht i pandikuar. Nuk do të thotë se disa nga gazetarët dhe redaktorët e këtij mediumi publik nuk janë rekrutuar nga partitë politike, por kjo nuk ka mundur të hetohet për shkak të balancimit milimetrik të përfaqësimit politik në emisionet e ndryshme në Televizionin e Kosovës.

Ky tregim i suksesshëm i një televizioni publik, pas dorëheqjes së Agim Zatriqit do të bëhet temë kryesore e partive politike të Kosovës. Te gjitha do të mundohen ta kontrollojnë në forma të ndryshme. Dhe, RTK’ja, me gjasë, po kthehet në fillimin e tregimit ballkanik për televizionet publike.

Gjuha e ashpër e partive politike për ta marrë televizionin nën kontroll të Kuvendit të Kosovës tregon për një situatë të keqe dhe një përzierje të pashembullt të politikës në mediumin publik.

Nëse duhet konstatuar se çka duhet ruajtur nga ndikimi politik, që ndoshta e ka barasvlerën me statusin e Kosovës, atëherë lirisht duhet drejtuar gishtin kah televizioni publik. Shoqëria kosovare sa ka filluar t’i bëjë hapat e parë të demokracisë. Gjëja më e keqe dhe më e rrezikshme për momentin në Kosovë është heqja dorë nga kjo formë e menaxhimit të televizionit publik.

Kuvendi i Kosovës nuk është mjaft i përgjegjshëm që të ketë çfarëdo kontrolli mbi një institucion publik çfarë është televizioni. Jam i bindur se Kosova do të shkonte rrugës së konfliktit nëse një institucion i tillë bie nën kontrollin e drejtpërdrejtë politik.

Agim Zatriqi edhe ashtu është dashur të shkojë, por ka merituar më shumë respekt nga të gjithë. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për faktin se ka qenë njeriu i cili e ka ndërtuar një institucion që e ka fituar betejën me të gjithë. Para së gjithash, me lirinë e fjalës. “Jeta në Kosovë” nuk është kështu vetëm pse Jeta Xharra ka qenë e tillë, por për faktin se Agim Zatriqi e ka bërë atë të jetë gazetare e lirë. E ka bërë të pavarur dhe ia ka mundësuar realizimin e gazetarisë hulumtuese.

Nuk ka gazetarë dhe gazetari të pavarur në një medium që nuk ka drejtor të pavarur. Të gjithë ata që pretendojnë se kanë projekt kritikues dhe gazetari hulumtuese, e kanë vetëm një referencë – “Drejtor të lirë dhe të pavarur”.

Të shohim se çfarë do të bëhet me RTK’në.

Data: 29 Shtator 2009 06:33
Autori: GazetaExpress

Të tjera