Kthehu lart

Ikin sherri i kushteve

Ikin sherri i kushteve
GazetaExpress E mërkurë, 13 Shkurt 2013 12:29

Basketbollistët e huaj po ikin me të madhe nga Kosova. Fillimisht, ishte e vështirë që të bindeshin që të vijnë për të luajtur në Kosovë, ndërsa ‘trendi’ i ri është largimi i tyre, në raste jo fort të rralla edhe pa paralajmërim. Drejtuesit e klubeve të Superligës thonë se mungesa e kushteve elementare janë bërë shkak që lojtarët e huaj t’i bëjnë gati valixhet dhe të kthehen mbrapsht.

Klubet kosovare nuk po bëhen assesi rehat me basketbollistët e huaj. Kohë më parë e kishin problem t’i sillnin ata në Kosovë, kurse tash nuk po arrijnë t’i mbajnë as lojtarët e huaj që i kanë në ekipet e tyre.

Rasti i fundit ndodhi me Trepçën dhe Sigal Prishtinën. ‘Xehetarëve’ iu largua basketbollisti amerikan Ronald Kinney pa asnjë paralajmërim, kurse bardhë e kaltrit mbetën pa fundorin Downey. Menaxheri i kampionit aktual, Lenart Vidishiqi i ka treguar disa nga arsyet e largimit të basketbollistëve të huaj nga klubet kosovare.

“E kam thënë edhe më herët, problemi më i madh ekziston te lojtarët që janë Rookie, sepse për ta është hera e parë që dalin në Evropë nga Los Angelesi, San Francisco, New Yorku apo ndonjë qytet tjetër. Problem tjetër është ndalja e rrymës, ndalja e ujit, kushtet e vështira të jetës në Kosovë. Këtu mungojnë kushtet elementare të jetës, është ftohtë nëpër palestra dhe faktorë të tjerë”, deklaroi ai.

Mirëpo, sipas tij rast i njëjtë nuk ishte edhe me Kinneyn, i cili ka qenë në presion nga mediet, të cilat kanë shkruar se Trepça dëshiron ta largojë dhe sapo e ka marrë rrogën është larguar.

Ndërkohë, prishtinasit mbetën pa fundorin Devan Downey, i cili u largua për shkak të një lëndimi, edhe pse spekulohej se ai kërkoi rrogë më të madhe, kërkesë kjo që nuk u pranua nga nënkampioni i Kosovës.

“Njëra prej arsyeve domethënëse është se në Kosovë, posaçërisht në palestra, po është ftohtë dhe lojtarët e kanë problem të ambientohen dhe të luajnë. Pastaj, liga jonë nuk regjistrohet askund, e po ashtu nuk mund të përcillen nga menaxherët. Ta vijnë këtu, por sapo e marrin një ofertë më të mirë, largohen”, deklaroi drejtori i prishtinasve, Artan Rugova, i cili, megjithatë, sqaroi se fundori Downey u largua për arsye krejt të tjera, më saktësisht për shkak të një lëndimi, i cili do ta linte për një kohë jashtë palestrës.

Ditë më parë, edhe Pejës iu largua një lojtar i huaj, Christopher Garnett. Ai nuk u ambientua assesi me klimën në Kosovë dhe u sëmurë për shkak të kushteve të vështira në palestrat ‘polare’ të vendit tonë dhe vendosi të largohej.

Në vend të tij, pejanët e morën lojtarin nigerian Cyril Awere. Përpos tij, lojtarë të huaj konsiderohen edhe Gerti Shima dhe Haruna Mutombo. Eksperienca të tilla në të kaluarën patën edhe SigKos Bashkimi e RTV21. Sido që të jetë, afati kalimtar për lojtarë të huaj do të skadojë të mërkurën, ditë kjo kur ekipet e Superligës duhet të jenë të kompletuara.

Krasniqi publikon listën

Përzgjedhësi aktual i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Arben Krasniqi të martën e ka publikuar listën me emrat e basketbollistëve të ftuar që do të luajnë ndaj lojtarëve të huaj që aktivizohen në vendin tonë, në ndeshjen revyale e cila zhvillohet më 17 shkurt në Prishtinë, për nder të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ngjyrat e Kosovës në këtë ndeshje do t’i mbrojnë:

Samir Shaptahoviq, Dardan Berisha, Alban Veseli, Ersid Luca, Imer Tahiri, Gazmend Asllani, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Fahri Breca, Edmond Azemi, Granit Rugova, Fisnik Rugova, e Urim Zenelaj. FBK-ja ka njoftuar se ekipin e përbërë me lojtarë të huaj do ta udhëheqin dy trajnerët e huaj që punojnë në Kosovë, Rudolf Jugo dhe Muharrem Vugdaliq.

Data: 13 Shkurt 2013 12:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera