Kthehu lart

I presin notat

I presin notat
GazetaExpress E diel, 05 Gusht 2012 08:16

Etiopia dhe Togoja shumë shpejt do t`i publikojnë njohjet për Kosovën. Burime të gazetës thonë se ato pritet vetëm t’i dërgojnë notat verbale në Prishtinë. Për dallim prej herëve të tjera, tash MPJ’ja dhe Zyra e Pacollit nuk flasin publikisht për vendimet e këtyre shteteve. Ndërkohë, vazhdon të mbetet ende e paqartë nëse Nigeria dhe Uganda e kanë njohur pavarësinë.

Zyra e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behgjet Pacolli dhe Ministria e Jashtme kanë vendosur të mos përmendin emrat e shteteve që pritet ta njohin Kosovën pa mbërritur notat verbale në Prishtinë.

Kështu po ndodh edhe me njohjet e paralajmëruara nga Pacolli dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Burime të Expressit kanë thënë se tashmë Kosovën e kanë njohur Republika e Togos dhe ajo e Etiopisë, derisa procedurat rreth ardhjes së notave verbale ende nuk kanë përfunduar.

Republika e Togos ndodhet në Afrikën Perëndimore dhe kufizohet me tri shtetet që e kanë njohur Kosovën - Ganën në perëndim, Beninin në lindje dhe Burkina Fason në veri.

“Këto dy shtete afrikane e kanë formalizuar njohjen për Kosovën. Nuk do të vonohen as notat verbale që do të vijnë nga Togoja e Etiopia”, ka thënë burime të Expressit.

Edhe Republika Demokratike e Etiopisë ndodhet në Afrikë dhe është vendi i dytë në këtë kontinent për nga numri i banorëve, me më shumë se 84 milionë.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj pati paralajmëruar se gjatë muajit të kaluar do të vijnë tri deri në katër njohje, ndërsa Zëvendëskryeministri Pacolli në një mbledhje të Qeverisë tregoi një letër në të cilën ishin të shkruara shtete që do të njohin Kosovën.

As Ministri i Jashtëm dhe as Zëvendëskryeministri i Parë nuk kanë dhënë emra të shteteve që kanë lëvizur drejt formalizmit të njohjeve.

Njohjet nga Togoja e Etiopia pritet të rrisin numrin e vendeve që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës në 93, ndonëse ende mungojnë njohjet formale nga Nigeria dhe Uganda.

Këto dy shtet figurojnë në listën e shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës, Republika e Nigerit më 16 gusht 2011, ndërsa Republika e Ugandës, më 17 shkurt 2012.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë se Zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë disa shkresa nga presidentët e të dyja vendeve që ato e njohin subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës.

Por, jo nota verbale.

Edhe Ambasada e SHBA’së në Kosovë kishte thënë se aktualisht Kosovën e kanë njohur 89 shtete, ndërsa i ka cilësuar vetëm fjalë pohimet se Uganda dhe Nigeria e kanë njohur Kosovën.

“Letra që ne e kemi parë të dërguar nga kryetari i Ugandës, Museveni, te Zëvendëskryeministrit Pacolli, nuk përbën njohje. SHBA’ja nuk ka parë notën diplomatike nga Qeveria e Nigerisë që do të tregonte se e ka njohur Kosovën”, kishte njoftuar Ambasada amerikane në Prishtinë.

Kosovën vetëm në vitin e parë të pavarësisë e kanë njohur 53 shtete, apo gjysma e vendeve që aktualisht figurojnë në listën e Ministrisë së Jashtme.

Pastaj trendi i njohjeve është zvogëluar për tri herë gjatë, viteve në vazhdim.

Një vit pas pavarësisë, në Prishtinë kanë ardhur edhe 11 nota verbale, ndërsa në vitin 2010, vetëm 8.

Numri i njohjeve është rritur në 85 në vitin 2011, kur kanë ardhur edhe 13 njohje.

Më 2012, figurojnë se kanë ardhur gjashtë njohje, duke llogaritur edhe njohjet pa nota verbale të Nigerisë dhe Ugandës.

Ndryshe, politikanët në Kosovë, prej ditës së pavarësisë vazhdimisht janë munduar t`i marrin meritat për vete për njohjet që kanë ardhur.

Fillimisht gara kishte qenë mes Ministrit të parë të Jashtëm, Skënder Hyseni dhe Liderit të AKR’së, Behgjet Pacollit.

Me hyrjen e Pacollit në Qeveri, gara kishte filluar me Ministrin Enver Hoxhaj.

Njohja nga Saint Lucia dhe Sulltanati i Bruneit kishte përplasur MPJ’në me Zyrën e Pacollit se kush ka më shumë merita për njohjen e 81’të dhe të 90’të.

Më herët, zyrtarët e Qeverisë kanë dalë nëpër konferenca dhe kanë dhënë paralajmërime të mëdha se do të ndodhin njohje të shteteve që ende nuk kanë ndodhur.

Kështu kishte ndodhur në prill të këtij viti, kur ishin paralajmëruar se 14 shtete të vendeve të CARICOM’it do ta njohin Kosovën.

Data: 05 Gusht 2012 08:16
Autori: GazetaExpress

Të tjera