Kthehu lart

Historia e kryqëzimit më të famshëm ku ecën Beatles

Historia e kryqëzimit më të famshëm ku ecën Beatles
GazetaExpress E premte, 09 Gusht 2013 16:14

Që kur Beatles shkrepën foton e tyre atje, mëngjesin e 8 gushtit, ato vija të bardha këmbësorësh u kthyen në legjendë

Në vitin 1969, askujt nuk i kishte shkuar ndër mend se një kryqëzim i vetëm do të kthehej në një destinacion shumë të kërkuar nga miliona turistë.

Si këto kohë, 44 vite më parë, John, Paul, George dhe Ringo veshën këpucët dhe dolën jashtë studiove ku po regjistronin albumin e tyre “Abbey Road” për të bërë një shëtitje.

Një polic ndaloi trafikun, banda filloi të kalonte rrugën, ndërsa fotografi Iain Macmillan bëri disa foto. Pra, duket si ironi fakti që, një fotografi kaq domethënëse për një brez të tërë, të jetë bërë në rrethana kaq të rastësishme.

Simetria e muzikantëve teksa kalojnë rrugën tregon më shumë për grupin se çdo foto tjetër e shkrepur dhe mbase është një nga kopertinat më të diskutuara të albumeve muzikore.

Padyshim që shumica e adhuruesve të rrokut, që janë mbi 40 vjeç e quajnë “Abbey Road” albumin e tyre më të preferuar të të gjitha kohërave. Në Amerikë, ky album mbetet nga më të shiturit për vite me radhë.

Kushedi sa pak i njohur do të ishte albumi nëse do të quhej “Everest” (sipas një marke cigaresh) dhe nëse kopertina do t’i përmbahej idesë së udhëtimit në Himalajë.

Përkundrazi, McCartney, që po drejtonte në atë kohë kreativitetin e bandës, erdhi me një ide më të thjeshtë dhe më vendase. Ai vizatoi një skicë “të katër burrave që kapërcenin zebrën”, kështu e quajti së fundmi historiani Brian Southall për BBC, kryqëzimin e Beatles.

Në vitin 1989, fotografi Macmillan kujton foton për “The Guardian”: “Më kujtohet se punësuam një polic që të ndalonte trafikun, ndërkohë që unë mbi shkallë po merrja fotot. E gjithë ideja ishte e Polit. Pak ditë përpara fotografisë, ai vizatoi një skicë sesi e imagjinonte kopertinën, të cilën ne e realizuam atë ditë më 8 gusht. Bëra disa foto të Bitëllsave, teksa kalonin në një drejtim kryqëzimin e rrugës ‘Abbey’. Më pas ne lamë disa makina të kalonin dhe pastaj ata e kaluan rrugën në anën e kundërt me të parën. Fotografinë e pestë nga gjashtë që kisha shkrepur, ata e zgjodhën për kopertinë. Ajo ishte e vetmja që formonte një “V” perfekte të këmbëve të tyre, që mua m’u duk si më artistikja”.

Na duhet të falënderojmë drejtorin artistik të “Apple”, John Kosh, për mungesën e tekstit mbi album. “Unë këmbëngula që nuk duhet ta shkruajmë emrin e bandës mbi album. Ata ishin banda më e njohur në botë mbi të gjitha. EMI, studio e regjistrimit dhe publikimit të muzikës, tha se ata nuk do të shisnin asnjë album nëse nuk do t’ia vinim emrin mbi të. Por unë kisha mënyrat e mia dhe ia dola mbanë”.

Miti i pavërtetë i vdekjes së McCartney u shua ngadalë me kalimin e kohës. Por të gjitha detajet dukeshin sinjifikantë njëherë e një kohë, duke filluar që nga targa e makinës së “Volkswagen”-it e Beatles, që i tregonte botës se Poli do të ishte 28 vjeç nëse do të kishte mbijetuar.

Pol ishte gjithashtu personi i vetëm në foto që kishte hedhur këmbën e djathtë në vend të së majtës, siç kishte bërë pjesa tjetër e grupit, ai ishte gjithashtu zbathur.

Sipas atyre që besonin teorinë e vdekjes së Polit, John i veshur i gjithi me të bardha, ishte në njëfarë mënyre drejtues i funeralit të mikut të tij; Ringo, bateristi, do të ishte përcjellësi i arkivolit, ndërsa Xhorxhi padyshim ai që do të gërmonte varrin.

“Volkswagen”-i që gjendet në sfond të fotos, u shit në një ankand në mesin e viteve ‘85 për 2900 euro, shumë pak krahasuar me vlerën që do të kishte sot.

Burri që qëndron në cep të fotos në anën e djathtë, lart, banor i Floridës, Paul Code, u intervistua vite më vonë për ta pyetur sesi u gjend në atë rrugë, pikërisht në momentin e shkrepjes së fotos më të famshme.

Ai u shpreh se i kishte thënë gruas që kishte parë mjaftueshëm muze, ndaj do të qëndronte aty jashtë për ta pritur atë. “Më pëlqejnë bisedat e rastësishme me njerëzit. Teksa qëndroja aty, takova një polic që po rrinte brenda makinës së policisë. Fillova të bisedoj me të. Ishte rastësi që ngrita kokën dhe pashë ata djem që po e kalonin rrugën në rresht sikur të ishin rosakë. I quajta të marrë, sepse veshja e tyre ishte shumë revolucionare për kohën dhe se askush nuk ecte zbathur në rrugët e Londrës”.

Një vit më vonë, kur gruaja e tij bleu albumin, atij iu desh shumë mund për t’i bindur njerëzit që ta besonin se ishte ai në kopertinën e albumit më të njohur të kohës, në mos të të gjitha kohërave.

Një nga fotot e papërdorura, ku banda ecte në drejtimin e kundërt, u shit në ankand për 30.000 dollarë. Nëse kishte ndonjë simbolikë të vërtetë në atë foto, ishte fakti se banda po largohej nga studio, ku ata po xhironin albumin e tyre të fundit së bashku.

Tri ditë pas shkrepjes së fotos, grupi regjistroi dhe këngën e fundit “I Want You” dhe u nda. Pesë muaj më pas, në janar të vitit 1970, tre prej tyre u ribashkuan për të bërë një korrigjim mbi albumin “Let It Be”.

Pol nuk kishte vdekur, por Beatles padyshim që po. Ndoshta në njëfarë mënyre, fotoja e muzikantëve që ecnin mbi “zebrën” e “Abbey Road” është vërtet funerali i një prej grupeve më të mira të rrokut.

Data: 09 Gusht 2013 16:14
Autori: GazetaExpress

Të tjera