Kthehu lart

Haradinaj: Mungon qeverisja e mirë për zhvillim ekonomik

Haradinaj: Mungon qeverisja e mirë për zhvillim ekonomik
GazetaExpress E hënë, 08 Prill 2013 13:19

Vendi ynë nga viti në vit, po zhytet në varfëri edhe pse disponon pasuri natyrore dhe resurse njerëzore, të cilat mundësojnë prosperitet ekonomik dhe mirëqenie. Kosovës i mungon qeverisja e mirë, e cila në agjendën e vet vendos zhvillimin ekonomik, eliminimin e varfërisë dhe Qeverisja e vendit pa strategji zhvillimore, pa politika adekuate dhe pa masa konkrete, ka bërë që diferencat në nivel të zhvillimit të Kosovës me vendet tjera përreth të rriten.

Kështu pohuan Lideri i Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj dhe kryesuesi i Departamentit për Ekonomi në AAK, në një konferencë për media, ku folën për politikat ekonomike në vend.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se oferta është mënyra më e mirë, për ta ndërruar imazhin e vendit sa i përket investitorëve të huaj , por se oferta duhet të ketë substancë.

Ai tha se Kosova ka çka të ofrojë, ka resurse, mundësi zhvillimore dhe mund ta përmbledh në vete një ofertë solide ekonomike. Por siç tha ai politikat duhet të adoptohen, për atë ofertë dhe duhet të bëhet evitimi i pengesave që ekzistojnë qofshin ato të aspektit pronësor, legjislacionit, të burokracisë dhe korrupsionit.

Haradinaj po ashtu theksoi se AAK duhet medoemos për një shkallë ta ketë ofertën më të mirë se secili, por Kosova duhet ta ketë ofertën një nuancë më të mirë se vendet në regjion.

“Kosova për me pas sukses, duhet ta ketë ofertën më të mirë se secili fqinj në rajon, duke e ditur se edhe pozicionin politik e ka më të dobët se të fqinjëve. Atëherë ofertën ekonomike, duhet ta kemi më të mirë, gjë që nuk është sot dhe obligohemi ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe ka të bëjë me menaxhimin e resurseve, të hyrave të publikut, i cili duhet të jetë zhvillimor. E tëra rreth nesh duhet të fokusohet në investime që qojnë kah zhvillimi, hapja e vendeve të punës, apo që të gjenerojmë ekonominë vendore. Në rast se ne do të fokusoheshim në këto dy shtylla, si Kosovë jam i bindur që parametrat ekonomik të sotëm do të ishin më të mirë”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryesuesi i Departamentit për Ekonomi në AAK, Haki Shatri tha se investimet e huaja direkte po bien, investitorët serioz dhe strategjik, po largohen nga Kosova dhe se në procesin e privatizimit çdo ditë po zvogëlohen ofertat e investitorëve të huaj.

E tërë kjo sipas tij po vie si pasojë e mungesës së vullnetit dhe politikave adekuate ekonomike si dhe për shkak të dukurive prezentë negative, si korrupsioni, krimi i organizuar dhe mos sundimi i ligjit.

AAK po ashtu, sipas tij konsideron se buxheti si instrumenti kryesor i realizimit të politikave zhvillimore, nuk po menaxhohet si duhet. Ndërsa ofertë e AAK-së sipas tij mbetet krijimi i një klime të favorshme biznesore, ku investitorët e huaj do të jenë të sigurt dhe do ta ndjejnë veten komod për të investuar në Kosovë.

“AAK konsideron se nuk janë duke u shfrytëzuar mundësitë që ka Kosova për zhvillim ekonomik. Nuk shfrytëzohen pasuritë natyrore, resurset njerëzore dhe pozita që ka pas shpalljes së pavarësisë. Po ashtu konsiderojmë që buxheti si instrument i vetëm i realizimit të politikave, nuk është duke u menaxhuar si duhet. Performanca e shpenzimeve publike, nuk është në nivelin e duhur dhe ka nevojë për përmirësim. Oferta e AAK–së për të ardhmen, është që pasuritë natyrore, do të jenë bazë e zhvillimit ekonomik të vendit. Mungesa e kapitalit dhe investimeve të huaja, mund të plotësohet me një qeverisje të mirë, duke i luftuar dukuritë negative, që i dimë, e të cilat janë prezentë aktualisht. Tërheqja e investitorëve të huaj, duke krijuar klimë të përshtatshme biznesore. Po ashtu kemi projekt konkret, për rritjen e të hyrave buxhetore dhe për menaxhim më të mirë të resurseve disponuese dhe buxhetore dhe rritjen e efikasitetit të investimeve kapitale nga sektori publik”, tha Shatri.

Në programin qeverisës së AAK-së, prioritet mbetet hartimi i strategjisë zhvillimore, që synon zhvillim dinamik ekonomik, të mbështetur në resurset tona disponuese, eliminimin e varfërisë dhe zvogëlimin e papunësisë./Kosovapress/

Data: 08 Prill 2013 13:19
Autori: GazetaExpress

Të tjera