Kthehu lart

Gerry Adamsi i Ballkanit

Gerry Adamsi i Ballkanit
GazetaExpress E shtune, 13 Korrik 2013 10:22

Gazeta prestigjioze amerikane, The New York Times, dhe edicioni i saj ndërkombëtar, International Herald Tribune, e cilësojnë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, si një Gerry Adams ballkanik. Madje, gazetari, Dan Bilefsky – dhe jo vetëm ai – mendojnë se kryeministri kosovar është një kandidat serioz për Çmimin Nobel për Paqe. Falë marrëveshjes së arritur në muajin maj me Serbinë, nga Europa dhe SHBA’ja Thaçi përshkruhet si personifikim i triumfit të paqes dhe pajtimit, ndaj luftërave të viteve të 90’a në Ballkan. Ai vetë ndërkaq, pohon se, dëshiron të mbahet mend si burrështetas... Express sjellë shkrimin e plotë të gazetës The New York Times.

Profilin e gjatë të kryeministrit kosovar gazeta e fillon me një anekdotë tashmë të njohur, sipas së cilës, kur Hashim Thaçi drejtonte luftën e përgjakshme guerile, ishte aq i shkathtë për t'iu shmangur arrestit serb, saqë nga bashkëluftëtarët e mori nofkën Gjarpri.

Por sot, vazhdon gazeta, z. Thaçi (45) dëshiron të mbahet mend si burrështetas. Gazeta konfirmon se shtetet europiane dhe SHBA’të, derisa e krahasojnë kryeministrin me liderin e gueriles irlandeze, Gerry Adams, emrin e Kryeministrit Thaçi e përmendin si një kandidat serioz dhe fitues të mundshëm të Çmimit Nobel për Paqe.

Po ashtu, gazeta përshkruan edhe mendimet për të në Beograd, duke cituar gazetaren e kohës së Kostunicës, Liljana Smajlovic, e cila thotë se, “shumica në Serbi [Thaçin] e konsiderojnë një kriminel lufte, i cili personifikon standardet e dyfishta të drejtësisë së bërë nga fitimtarët e luftës”.

Në intervistën për NYT. z. Thaçi e kundërshton këtë karakterizim, duke argumentuar fuqishëm se, ka luftuar kundër një armiku të dhunshëm.

“Luftova në anën e drejtë të historisë, duke çliruar popullin tim nga tirania e një armiku të përkushtuar për në tentim-gjenocid masiv”, thotë ai.

Gazeta citon Thaçin edhe derisa kundërshton fuqimisht akuzat e ngritura nga Dick Marty, në raportin e KE.

Në pjesën e dedikuar dialogut me Serbinë, gazeta vlerëson se eksperienca e tij e luftës e ka mësuar që të jetë i durueshëm gjatë 6 muajve të bisedave 12-orëshe.

“Nuk ishte lehtë të ulesh me Dacicin, si dy ish-armiq të përbetuar”, thekson Thaçi, derisa kujton duarshtrëngimin e çuditshëm me Dacicin. Megjithatë, thotë se, në fund fitoi pragmatizmi.

Për këtë, pohon gazeta, atij me gjasë i ndihmoi edhe fama që e gëzon në Kosovë.

Tutje, gazeta Thaçin e përshkruan si një njeri të gjatë, me një duarshtrëngim të fuqishëm, dhe si njërin prej nëntët fëmijëve të një familjeje fshatare me origjinë nga Drenica e Kosovës - zemra e rezistencës kundër Serbisë.

Për gazetën, Thaçi kujton se, luftën e ka pasur në gjak.

Gazeta shkruan edhe për gjyshin e tij, i cili luftoi për partizanet e Shaban Polluzhës - fillimisht kundër nazistëve, e pastaj edhe komunistëve serbë.

Në politikë u angazhua shumë i ri, në kohën kur, si mjaft i ri, udhëtoi tek vëllezërit dhe motrat në Vjenë e Paris, ku i pa mundësitë e një jete normale pa, siç shprehet gazeta prestigjioze, "batonat e Serbisë".

Më vonë iu bashkua “nëntokës”, e pastaj edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Derisa disa, sikurse Presidenti i parë i Kosovës, deri vonë favorizuan rezistencën pasive gandiane, z. Thaçi ishte një avokat i luftës së armatosur.

“Regjimi serb nuk do të paqësohej me qeshje e përqafime”, thotë ai.

Gazeta tregon se, në fillim të viteve të 90’a, Thaçi i vazhdoi studimet në Zvicër, në histori dhe politikë.

Ai kreditohet se, në fund të viteve të 90’ta - kur edhe u intensifikuan luftimet kundër forcave serbe - ka bërë bashkimin e një UÇK’je të ndarë, në një makinë të bashkuar luftarake. Kolegët e tij kujtojnë se, kufirin malor mes të Kosovës dhe Shqipërisë – nganjëherë edhe me mbi një metër borë, Thaçi e kaloi mbi 50 herë, i veshur vetëm me një uniformë të hollë, dhe duke iu shmangur snajperistëve serbe.

Gazeta citon edhe fjalët e zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, sipas të cilit:

“Ai është konsideruar njeri karizmatik, i fortë, i guximshëm”.

Pas luftës, Thaçi u kreditua edhe për demilitarizimin e ushtrisë kryengritëse, edhe pse asokohe nga vendi i tij u dëbuan me mijëra serbë. E krijoi PDK’në, por pas humbjeve të papritura zgjedhore të pasluftës, Thaçi ndryshon imazhin e tij nacionalist, duke bërë një politikë të forcimit të lidhjeve me Perëndimin. Në fund, edhe i fiton zgjedhjet, në vitin 2007.

Në fund, The New York Times shkruan se, edhe pse e udhëhoqi Kosovën drejt pavarësisë, mbi qeverinë e Thaçit rëndojnë akuza për korrupsion.

EULEX’i ka arrestuar disa nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, megjithëse Thaçi insiston se, ai dhe bashkëluftëtarët e tij ishin luftëtarë të lirisë. Duke cituar një këngë të këngëtarit të famshëm Sting, të cilin kryeministri thotë se e parapëlqen, artikulli përmbyllet me vargun: “Xhentëlmeni ecën, por kurrë nuk vrapon”.

Data: 13 Korrik 2013 10:22
Autori: GazetaExpress

Të tjera