Kthehu lart

Gashi: Presim gjykim të shpejtë të Limajt

Gashi: Presim gjykim të shpejtë të Limajt
GazetaExpress E hënë, 29 Korrik 2013 12:50

(E plotësuar) Pak çaste pasi iu dorëzua atkvendimi plot njëqindfaqësh mbrojtësi i Fatmir Limajt, avokati Tomë Gashi pohoi para medieve se klienti i tij për nuk ka se si t'i ikë më gjykimit për veprat penale qe kane te bëjnë me krim të organizuar dhe korrupsion.

Me konfirmimin e pjesërishëm të aktakuzës nga ana e Gjykatës Tehemlore në Prishtinë, sipas tij, janë krijuar rrethanat e mjaftueshme ligjore që të nis shqyrtimi kryesor i rastit të MTPT’së, e ku i dyshuar kryesor është Fatmir Limaj.

“Sot kemi marrë vendimin e gjykatëses të cilin ka tash e një muaj e gjysmë që po e presim dhe faktikisht ajo ka hedhur poshtë një pjesë të aktakuzës që do të thotë tri pika të aktakuzës janë hedhur dhe ka mbetur që të shkohet në gjykim”, tha Gashi.

Ai po ashtu tha se presin gjykim sa më të shpejtë në mënyrë që ndjekja penale ndaj Limajt të marrë fund sa më parë.

”Shpresojmë që do të fillojë sa më shpejtë që është e mundur në mënyrë që kjo telenovelë e EULEX’it të përfundojë ndoshta në shtator do të fillojë gjykimi edhe pse zyrtarisht ende nuk jemi të njoftuar dhe kanë mbetur vetëm katër pika të aktakuzës”, tha Gashi.

Ndryshe, gjatë seancave të shqyrtimit fillestar, Fatmir Limaj kishte paralajmëruar se do të ftojë ish- shefin e ICO's Pieter Feith dhe Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, për të dëshmuar për rastin pas konfrimimit të aktakuzës.

Gjykimi për Limajn dhe të tjerët, për krim të organziuar dhe korrupsion, pritet të nis në shtatorin e këtij viti.

Konfirmohet aktakuza për Limajn

Gjykata sapo ka dhënë vendimin për konfirmim të aktakuzës së ngritur ndaj Limajt dhe të tjerëve në rastin e MTPT'së.

Sipas aktvendimit të gjykatëses Gallant, Limajt i mbeten edhe katër vepra penale, ndër to krimi i organizuar, korrupsioni, dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndërsa i janë hequr tri vepra penale, ndër to ajo për armëmbajtje pa leje.

“Limajt i janë hequr tri vepra penale, derisa i kanë mbetur katër të tjera”, tha avokati i Limajt, Tomë Gashi.

Në të njëjtin vendim thuhet se Gjykata ka vendosur të pezullojë aktakuzën ndaj vëllezërve të Limajt dhe Gani Zogajt.

Ndërkaq, mbrojtësi i Endrit Shalës, Avokati Arianit Koci ka thënë se deklarata e Mehmet Shkodrës është shpall si provë e paligjshme, gjithashtu edhe bastisja në shtëpinë e Limajt.

Derisa mesazhet janë pranuar si prova në proces.

"Për klientin tim kanë mbetur vetëm tri vepra penale. Kundërshtimet e mbrojtjës ndaj aktakuzës janë pranuar pjesërisht pro ne vazhdojmë të konsiderojmë se mesazhet janë të falsifikuara dhe prova të pabaza", tha Koci para gazetarëve.

Kjo është konfirmuar edhe zyrtarisht nga EULEX. Menjëherë pas përfundimit të seancës, ky mision ka njoftuar nëpërmjet një komunikate, të gjitha detajet e shqiptimit të aktvendimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Sot është shqiptuar aktvendim lidhur me kundërshtimet ndaj Provave dhe Kërkesat për Rrëzimin e Aktakuzës, që ishte paraqitur nga Mbrojtja në të ashtuquajturën lëndë të Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit (rasti i MTPT-së)”.

Sipas EULEX, Kryetarja e trupit gjykues nga EULEX, konfirmoi shumicën e akuzave të përfshira në Aktakuzë dhe vendosi të procedojë me lëndën në shqyrtim gjyqësor. Lënda ka të bëjë me sjelljen e supozuar korruptive në MTPT në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2010.

“Gjykata gjeti prova të mjaftueshme për dyshim të mirë-bazuar së të pandehurit Fatmir Limaj, ish Ministër i MTPT'së, Nexhat Krasniqi, ish Shef i Prokurimit në MTPT, dhe Endrit Shala, ish Shefi i Kabinetit dhe Këshilltar Politik i Fatmir Limajt, formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve.

Përveç kësaj, Gjykata gjeti dyshim të mirë-bazuar se i pandehuri Florim Zuka, pronar i Kompanisë Tali, ka kryer veprën penale të ofrimit të ryshfeteve, dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi. Më tej, Gjykata konfirmoi akuzën e mosdeklarimit të parave të marra për fushatë, akuzë kundër Fatmir Limajt, sepse ajo gjeti prova të mjaftueshme se i pandehuri nuk i kishte deklaruar paratë që ai i kishte marrë si kontribut për fushatë politike për fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007”.

Padia kundër Fatmir Limajt dhe Nexhat Kransiqit për përvetësim (shpërdorim) në detyrë, dhe akuza kundër Fatmir Limajt, Nexhat Krasniqit, Endrit Shalës dhe Florim Zukës për veprën penale të lidhjes së kontratave të dëmshme, u rrëzuan të dyja nga Gjykata. Gjithashtu, akuzat e pastrimit të parave dhe mbajtjes së armëve në pronësi, posedim ose shfrytëzim pa leje, me të cilat ishte akuzuar Fatmir Limaj, u hodhën poshtë nga Gjykata.

Gjykata rrëzoi në tërësi akuzat ndaj të pandehurve Florim Lima, Demir Lima dhe Gani Zogaj dhe pushoi procedurën penale kundër tyre. Të pandehurit Florim Lima dhe Demir Lima ishin akuzuar me veprat penale të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, i pandehuri Gani Zogaj ishte akuzuar me veprat penale të pengimit të të provuarit dhe asgjësimit ose fshehjes së materialeve arkivore. Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i mbështetur këto akuza.

Në lidhje me provat e mbledhura nga Prokuroria gjatë fazës hetimore, Gjykata gjeti disa shkelje procedurale dhe përjashtoi prova të ndryshme. Veçanërisht provat e marra gjatë kontrolleve të kryera në shtëpinë e Fatmir Limajt dhe në dhomat e serverëve në Kuvendin e Kosovës më 28 prill 2010 u gjetën të papranueshme, sepse për mendimin e Gjykatës të dy kontrollet ishin të paligjshme, ngase nuk ekzistonin rrethana urgjente që do ta kishin lejuar policinë ta kryente kontrollin pa urdhër me shkrim të gjykatës dhe pa një miratim të mëpasshëm (retroaktiv) me shkrim nga gjyqtari kompetent i procedurës paraprake.

Gjykata hodhi poshtë kundërshtimin e paraqitur nga Mbrojtja se mesazhet SMS të përgjuara janë të montuara dhe, për këtë arsye, të pambështetshme. Gjykata mbajti qëndrimin se mbështetshmëria dhe besueshmëria e mesazheve SMS mund të vlerësohet në mënyrë të rregullt vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor, e cila është pjesa (fazë) e procedurës penale ku palët lejohen të paraqesin prova për të mbështetur qëndrimin e tyre dhe Gjykata mund të vlerësojë provat shkresore të deklaruara nga Mbrojtja.

Kundër këtij Aktvendimi të Gjykatës, Prokuroria Speciale dhe Mbrojtja kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sot vendimi për aktakuzën ndaj Limajt në rastin e MTPT’së

Gjykatësja Anna Adamska Gallant, e cila udhëheq rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomit, ku dyshohen ish- ministrit Fatmir Limaj dhe të tjerët për krim të organizuar dhe korrupsion, pritet të jap sot në ora 15:00 vlerësimin e saj lidhur me provat e ofruara për rastin nga palët në proces.

Derisa Prokurori gjerman i EULEX’it Johanes Picket kërkon konfirmimin e aktakuzës, pala mbrojtëse po kërkon hedhjen poshtë të saj.

Për këtë mbrojtja ka dorëzuar edhe disa argumente, vlerësimi i të cilave pritet të jepet në formë aktvendimi sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Mbrojtësi i Endrit Shalës, asistentit të Limajt i përfshirë në rastin e MTPT’së, Avokati Arianit Koci ka konfirmuar per Express, keto zhvillime.

“Do të merret aktvendimi mbi pranueshmërinë e provave të ofruara nga Prokurori dhe kërkesave për hedhjen e aktakuzave”, tha Koci.

Limaj dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të 2 milionë eurove të disa tenderëve publik.

Data: 29 Korrik 2013 12:50
Autori: GazetaExpress

Të tjera