Kthehu lart

Fondi garantues, rrit kreditimin për bujqësinë

Fondi garantues, rrit kreditimin për bujqësinë
GazetaExpress E mërkurë, 12 Qershor 2013 12:39

Krijimi i fondit garantues për kreditë bujqësore, nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe USAID-it në marrëveshje me gjashtë bankat komerciale në vend, ka dhënë rezultatet e para pozitive.

Të dhënat preliminare tregojnë se ky fond përveç se ka rritur kreditimin e bujqësisë, ka ndikuar edhe në uljen e kamatave. Vetëm gjatë dy muajve të parë këtij viti, pesë banka komerciale kanë lëshuar rreth katër milionë dollarë kredi bujqësore, ku normat e interesit kanë filluar të ulen mesatarisht për 3 për qind. Fermerët përsëri ankohen se normat janë shumë të larta.

Mos-kreditimi i bujqësisë nga bankat përkatësisht normat shumë të larta të interesit edhe në raste kur është kredituar, ishte një problem shumë i madh që e pengonte zhvillimin e këtij sektori. Fermerët vazhdimisht kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ndihmuar në qasjen më të lehët në kredi dhe ulje të normave të interesit. Nga ky viti Ministria Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) së bashku me USAID-in kanë nisur zbatimin e një programi10 vjeçar për lehtësimin e qasjes në kredi bujqësore, i njohur si fondi garantues.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon për “Ferma Ime”, se sipas të dhënave preliminare, në dy muajt e parë të këtij viti janë disbursuar rreth 4 milionë dollarë kredi bujqësore nga ky program. “Vetëm BKT-ja nuk ka dhënë kredi për sektorin gjatë tremujorit të parë për shkak të ristrukturimit të saj të brendshëm, ndërsa tek pesë bankat e tjera, klientët që kanë kërkuar kredi prej 5,000-250,000 euro për investime në prodhimtarinë bujqësore, janë trajtuar si klientë të veçantë. Normat e interesit, sipas të dhënave preliminare që ka sjellë USAID-i, kanë filluar të ulen mesatarisht për 3 për qind nga ato standardet dhe një shembull i një normë interesi standarde të rënë nga 13.8 për qind, në 10.8 për qind, është edhe tek ProCredit Bank”, ka thënë Behramaj.

Sipas tij, ka përmirësime edhe sa i përket kolateralit, sepse siç dihet, sipas procedurave të bankës, peng për kredi kërkohet vetëm për kreditë në mbi 25.000 euro, ndërsa për kategorinë e klientëve që janë pjesë e programit garantues, shumica e bankave kanë mundësuar që të kërkohet peng në kredi bujqësore në mbi 50.000 euro.

Edhe, sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), del se nga viti në vit kreditë për sektorin e bujqësisë kanë shkuar duke u rritur, ndonëse ende flitet për vlera të vogla dhe me kushte të pavolitshme për fermerët. Kreditë për bujqësinë në vitin 2012, krahasuar me vitin 2011 kanë shënuar rritje në masën prej 7.5, ku shuma e tyre e dhënë nga bankat komerciale e gjatë vitit 2012 arrin në 43.6 milionë euro, në vitin 2011 ishte 40.5 milionë euro, kurse në vitin 2010, 38.2 milionë euro”.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, thotë se “një nga arsyet se pse bankat nuk lëshojnë kredi për bujqësinë, është se ky sektor cilësohet me rrezikshmëri të lartë në krahasim me sektorët tjerë” , për të shtuar se “me krijimin e fondit garantues, do të lehtësohet qasja e fermerëve në kredi bujqësore, dhe do të krijohen mundësi që të ofrohen edhe kredi me kushte shumë më të mira për fermerët”.

Edhe pse kreditë kanë shënuar rritje të vogël, fermerët vazhdojnë të ankohen për kushte të pavolitshme të këtyre kredive. Njëri nga këta fermer është edhe Januz Sylaj, i cili merret me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Ai rrëfen për “Ferma Ime”, se e kishte të pamundur ushtrimin e kësaj veprimtarie, pa marrjen e një kredie nga bankat komerciale, të cilat operojnë në vend.

Por, kushtet e kreditimit, sipas tij, janë të papërballueshme për të dhe për shumë fermer të tjerë. “Kemi marrë kredi për blerjen e farës dhe plehut, por kamatat janë aq të larta, të cilat mua më kanë shkuar deri në 14 për qind. Kjo kamatë është vështirë e përballueshme por nuk po kem nga t’ia mbajmë”, tregon ai. Po të ishin kamatat më të ulëta, Sylaj ka thënë se do të kishin mundësi edhe më shumë për zgjerimin e veprimtarive të tyre bujqësore.

Ndërkaq sipas ekspertit bankar, Milazim Abazi mos-kreditimi i bujqësisë, përveç për shkak të rrezikut që ka sektori, ndodhë edhe për shkak të konkurrencës jo të e mjaftueshme në tregun bankar. Sipas tij, konkurrenca jo e duhur e në anën tjetër edhe kërkesa e madhe për kredi po bënë që kamata për kredi bujqësore të shkojnë deri në 16 për qind. Abazi thotë për “Ferma Ime” se “Qeveria përveç ndërhyrjes me subvencionimin e kamatave për kredi duhet të bëjë edhe rritjen e konkurrencës në mes të bankave në vend”.

Sipas MBPZHR, për krijimin e fondit garantues, Qeveria e Kosovës ka kontribuar me 2.5 milionë euro, ndërsa totali i kredive të reja që garantohen në shkallë prej 50 për qind është 20.1 milionë euro

Data: 12 Qershor 2013 12:39
Autori: GazetaExpress

Të tjera