Kthehu lart

Fitorja e VV-së shthur rrjetin e krimit dhe korrupsionit

Fitorja e VV-së shthur rrjetin e krimit dhe korrupsionit
GazetaExpress E shtune, 17 Gusht 2013 21:28

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të nominoj kandidatët e saj për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor. VV ka nominuar Rifat Demakun, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit.

Me këtë rast, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se ekziston një mit në Prishtinë, se pas luftës dhe sidomos pas pavarësisë, ka ndryshuar Drenica, ka ndryshuar Drenasi, por sipas Kurtit, kjo nuk është e vërtetë, pasi në këtë qytet mungon edhe zhvillimi ekonomik, edhe prodhimi edhe punësimi, mungon edhe mirëqenia sociale dhe mungon edhe drejtësia.

“Është e domosdoshme që Lëvizja Vetëvendosje me fitoren e saj, jo vetëm këtu në Drenas, por edhe në Skenderaj të filloj ta shthur rrjetin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e lartë, që jo vetëm që i ka bërë dëm Kosovës dhe qytetarëve të saj posaçërisht në këto vise, por në të njëjtën kohë edhe na i ka humbur shanset për përparim. Pra, mund të themi se pasojat janë të dyfishta, në njërën anë, pasojat janë për shkak të dëmeve të drejtpërdrejta që i kemi pësuar nga qeveritë e pasluftës, qofshin ato lokale apo qendrore por në anën tjetër janë edhe shanset e humbura për zhvillim e progres. Kjo është posaçërisht e rëndë kur dihet se sa shumë Komuna e Drenasit i ka dhënë Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi’, ka thënë Kurti.

Ndërsa, kandidati për Kryetar të Komunës së Drenasit nga VV-ja, Rifat Demaku ka thënë se Komuna e Drenasit që prej pasluftës është keqqeverisur sistematikisht nga Partia Demokratike e Kosovës.

Demaku ka pohuar se mungesa e politikave zhvillimore, keqpërdorimi i parasë publike dhe politizimi i sektorëve publikë janë karakteristikë e të gjitha mandateve të deritanishme që ka pasur kjo parti.

“Mendësia e mbrapshtë qeverisëse e partisë në pushtet e ka privuar Komunën e Drenasit nga mundësia për progres e zhvillim. Papunësia dhe varfëria e qytetarëve në Komunën tonë po rritet paralelisht me rritjen e pasurisë dhe luksit të zyrtarëve komunal. Pabarazia e madhe sociale ndërmjet qytetarëve dhe pushtetarëve po prodhon pakënaqësi gjithnjë e më shumë. Kjo pakënaqësi duhet të përkthehet në organizim të fuqishëm shoqëror e politik, në mënyrë që të kemi një qeverisje të drejtë dhe të suksesshme”, ka thënë Demaku.

Më pas, Demaku shtoi se zgjedhjet lokale ofrojnë mundësinë që qytetarët nga njëra anë t’i ndëshkojnë ata që nuk i kanë shërbyer interesave të tyre dhe nga ana tjetër t’i votojnë ata që kanë alternativën e vërtetë qeverisëse për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.

Data: 17 Gusht 2013 21:28
Autori: GazetaExpress

Të tjera