Kthehu lart

Filmi i Rexhepit shkon në Cannes

Filmi i Rexhepit shkon në Cannes
GazetaExpress E diel, 06 Maj 2012 12:42

Filmi ‘La Monique Oubliée’ (Monika e harruar) i regjisorit kosovar Jasmin Rexhepi do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Cannes. Para pak muajsh ky film u dha premierë në Reykjavik, ndërsa para se të niset për në Cannes, revista islandeze ‘Reykjavik Grapevine’ i kushton një faqe filmit të Rexhepit.

Regjisori kosovar Jasmin Rexhepi do të marrë pjesë në njërin prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë. Filmi i tij i shkurtër “La Monique Oubliée” (Monika e harruar), do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Cannes.

Rrugëtimi i filmit të tij për në Cannes është paksa i veçantë. Rexhepi që disa vite jeton në Islandë, ku është duke studiuar për regji në Universitetin e Reykjavikut. Filmi i tij i shkurtër “La Monique Oubliée” ka rrjedhë si rezultat i detyrave që i janë ngarkuar në fund të semestrit. Ndërsa, ky film para disa muajsh u dha premierë në kryeqytetin islandez, por kjo duket që nuk qe suksesi i vetëm i regjisorit të ri, pasi që edhe pak ditë ai do të niset për në njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë.

Për këtë revista ‘Reykjavik Grapevine’ i ka kushtuar një faqe Rexhepit dhe filmit të tij të shkurtër, në një shkrim të titulluar ‘Nga Kosova në Cannes (nëpërmjet Reykjavikut)’.

“Filmi të cilin po e dërgon Festivalin e Filmit në Cannes nuk ndihet as islandik as ballkanik. I tëri është në frëngjisht dhe ne nuk e dimë titullin apo nuk e shohim personazhin kryesor deri në mes të filmit”, shkruan revista ‘Reykjavik Grapevine’.

Arsyet pse e ka bërë në frëngjisht i shpjegon vetë Rexhepi. Ai thotë për revistën islandeze se i pëlqen stili francez i bërjes së filmave.

“Është stil mediteran të cilin mund ta kuptoj. Më pëlqen të bëj filma piktoresk. Por ende jam në atë nivel ku po përpiqem ta gjej stilin tim”, shton regjisori kosovar. Ai thekson se i ka pasur disa projekte në mendje dhe ka dashur ta xhirojë filmin përbrenda, me vetëm skena të brendshme.

“Kam pasur frikë të përdori lokacionet që do të mund të m’i shkatërronin skenat”, është shprehur ai për filmin e tij, i cili është xhiruar i tëri në një dhomë dhe nuk ka fare dialog.

‘La Monique Oubliée’ flet për një vajzë e cila pret natën e Krishtlindjeve e vetmuar. Fillimisht Monique kishte menduar se nuk do të ishte problem ta kalonte këtë natë e vetmuar. Edhe askujt nuk i kishte rënë ndërmend për të. Ajo i kishte blerë vetes një dhuratë të çuditshme. Një mi lodër. Qëllimi i saj ishte që të argëtohej duke parë miun duke vrapuar nëpër dhomë. Koha kalon dhe Monique e kupton se miu nuk është duke e argëtuar dhe ajo fillon të ftojë njerëz, duke u dërguar mesazhe. Në të njëjtën kohë, ajo nuk ndalet duke pirë verë dhe cigare.

Ajo përsëri dërgon mesazhe, por askush nuk i përgjigjet. Si egoiste që është, Monique mendon se ajo nuk është e dëshiruar nga askush dhe fillon të mendojë më të keqën, ta mbysë veten. Së pari ajo u dërgon mesazh të gjithë njerëzve që i njeh dhe pastaj fut kokën e saj në litar. Por para se të hidhet nga karrigia, telefoni i saj cingëron dhe ajo merr një mesazh. Por mesazhi vjen nga kompania telefonike, duke i treguar se kredia e saj ishte harxhuar, pasi që ajo kishe dërguar shumë mesazhe.

Filmi, i cili është i gjatë shtatë minuta, është prodhuar nga kompania ‘Go Ahead Sunshine’, produksion i cili është themeluar nga Jasmin Rexhepi. Rexhepi është edhe skenarist dhe regjisor i filmit. Përpos tij, edhe të inkuadruarit tjerë në film janë kosovarë.

Filmi është edituar nga Dukagjin Idrizi, ndërsa në të luajnë Ervin Shala, Sani Ramaj, Erëza dhe Eni Idrizi. Ndërsa edhe vet Rexhepi dhe editori Idrizi paraqiten në një skenë.

Ky është filmi i katërt i shkurtë i Rexhepit.

Data: 06 Maj 2012 12:42
Autori: GazetaExpress

Të tjera