Kthehu lart

Fillojnë intervistimet për vrasjen e Mustafës

Fillojnë intervistimet për vrasjen e Mustafës
GazetaExpress E enjte, 24 Janar 2013 07:29

Vrasja e Xhemajl Mustafës duket se do të zbardhet së shpejti. EULEX’i ka intervistuar bashkëshorten e ish-zyrtarit të LDK’së dhe personat që janë të dyshuar për këtë rast. Jozyrtarisht, në misionin europian për rend dhe ligj rikonfirmojnë se një deputet dhe një zyrtar policor janë të dyshuarit kryesorë.

Hetuesit e EULEX’it kanë filluar t’i marrin në pyetje disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës.

Burime të Gazetës Express kanë konfirmuar se tashmë janë intervistuar disa persona në lidhje me vrasjen e ish-këshilltarit të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

“Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij”, tha burimi i gazetës në kushte anonimiteti.

Përveç tyre më herët është marrë në pyetje edhe Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemajl Mustafës.

E bija e Mustafës, Beriana konfirmon se Prokuroria Speciale e EULEX’it e ka ftuar më herët në intervistë nënën e saj.

“Prokuroria ka marrë në pyetje nënën time, por prej asaj kohe më nuk kemi asnjë informatë nga EULEX’i”, tha e bija e Xhemajl Mustafës.

Një burim i gazetës mirë i informuar ka thënë se EULEX tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.

“Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike”, ka thënë burimi i gazetës.

Për mundësinë që vrasësi i Xhamajl Mustafës të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës, muaj më parë pati raportuar edhe televizioni Klan Kosova.

Në ndërkohë EULEX’i konfirmon se për rastin Mustafa ka hetime, por pa sqaruar asnjë detaj tjetër.

“Hetime ka për këtë rast, por nuk mund të komentojmë më tej pasi hetimet janë duke vazhduar ende”, tha për Express Bardha Azari, Zëdhënëse e EULEX’it.

Në EULEX nuk kanë dhënë sqarime se deri ku kanë shkuar hetimet, por sipas burimeve të gazetës për shkak se rasti është cilësuar si vrasje me motive politike gjithçka po shkon me hapa të kujdesshëm.

Askush në LDK të mërkurën nuk ka dashur të flasë për rastin Mustafa me arsyetimin se është nën hetime. Por në tetor të vitit që shkoi kryetari i LDK’së u mor në pyetje nga një prokuror i EULEX’it.

Prokurori i Prokurorisë speciale e ka marrë në pyetje kryetarin e Prishtinës që në fokus kishte vrasjet e zyrtarëve të lartë të LDK’së pas vitit 1999.

“Tema që biseduam me prokurorin e EULEX’it kishte të bënte me vrasjet e zyrtarëve të LDK-së pas përfundimit të luftës”, ka thënë Mustafa në atë kohë.

Ai pat thënë se LDK’ja ka kërkuar hetime në lidhje me vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të këtij subjekti politik. Edhe pse kreu i LDK’së nuk e ka quajtur marrje në pyetje, EULEX’i kishte sqaruar se Mustafa është intervistuar nga prokurori.

“Mund të konfirmojmë se sot një prokuror i EULEX’it nga Prokuroria Speciale ka intervistuar z. Isa Mustafa. Mustafa nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, ishte përgjigja zyrtare e zyrës për informim të EULEX’it.

Xhemajl Mustafa ishte këshilltar politik dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova. Ai u vra me 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Ky akt cilësohet si ndër më të rëndit pas luftës. Mirëpo dorasit e Mustafës nuk u zbuluan asnjëherë as nga Policia e Kosovës, as nga UNMIK’u. Përveç Mustafës, pas luftës janë vrarë dhjetëra veprimtarë të LDK’së, e që asnjëherë nuk janë gjetur dorasit e as që kanë filluar hetimet ndonjëherë për ta.

Pas vitit 1999, LDK’së i janë vrarë disa aktivistë si Xhemajl Mustafa, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, etj. vrasësit e të cilëve nuk u zbuluan asnjëherë. Por në korrik të këtij viti, hetuesit e EULEX’it kanë përpiluar një raport për disa nga këto raste të vrasjeve të cilat i konsideron si krime me motive politike. Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së EULEX’it kishte renditur dhjetëra raste të vrasjeve prej Xhemajl Mustafës e deri tek ajo e Shaban Manajt, të cilat i ka konsideruar si krime të motivuara politikisht. Prapa këtyre vrasjeve, vrasjeve në tentativë, rrahjeve e kidnapimeve, sipas hetuesve, qëndron një organizatë e mirëfilltë e financuar mirë. Ky raport i nënshkruar nga hetuesi amerikan, Gary Fainsëorth, që ka të bëjë me hetimet e krimeve të ndryshme, thekson se më 3 tetor 2011 është lëshuar një “dokument i klasifikuar”, me qëllim të shqyrtimit të tipit të vrasjeve profesionale dhe veprat penale të ndërlidhura me to, që janë kryer ndërmjet viteve 1999 dhe 2001, të personave me lidhje të njohura ose me ish-regjimin serb, apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës. EULEX përmend emrat e personave të vrarë dhe të atyre ndaj të cilëve ishte bërë përpjeke të vriteshin. Në mesin e të vrarëve ka edhe të atillë që thuhet se nuk kishin qenë anëtarë të ndonjë partie politike, por që kishin më shumë simpati ndaj Rugovës.

Data: 24 Janar 2013 07:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera