Kthehu lart

Favorizojnë Pejën

Favorizojnë Pejën
GazetaExpress E shtune, 23 Shkurt 2013 09:38

Njohësit e basketbollit kosovar e shohin Pejën si favoriten kryesore për ta fituar titullin e kampionit në BKT-Superligë. Përforcimet që i bëri gjatë dimrit kanë bërë që kjo skuadër të shihet me më shumë mundësi për t’u stolisur me epitetin e më të mirit. Por, sipas tyre, pejanët do të kenë konkurrencë të fortë Sigal Prishtinën.

Të shtunën do të fillojnë garat e sezonit pranveror në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll, të cilat pritet të jenë ndër më interesantet në vitet e fundit, shkaku i përforcimeve të shumta dhe organizimeve më të mirëfillta që kanë bërë skuadrat.

Siç dihet, gjatë gjithë pushimit dimëror thuajse të gjitha klubet elitare kanë punuar bukur shumë rreth konsolidimit të tyre, duke i angazhuar edhe nga tre lojtarë të huaj.

Një gjë të tillë e kanë bërë dy skuadrat e para të renditjes tabelore, Peja dhe Sigal Prishtina, por edhe SigKos Bashkimi e Trepça, të cilat sivjet po sfidohen me të madhe nga RTV-21 për ta zënë një vend në garat e play-off-it.

Megjithatë, njohësit e basketbollit në vend po e shohin Pejën e Sigal Prishtinën në finale të play-off-it, derisa pejanët po shihen më afër titullit të kampionit.

“Favoritë kryesorë mbesin dy ekipe: Peja dhe Prishtina. Prapëseprapë besoj se edhe Trepça ka mundësi me u organizuar edhe më mirë, sepse ka lojtarë të mirë vendorë, por edhe Bashkimi është aty, kurse 21-shi e ka një ekip të formuar mirë. Mendoj se Peja dhe Prishtina. Këto dy të fundit do ta thonë fjalën kryesore në bazë të përforcimeve, organizimit dhe kushteve që kanë”, ka thënë trajneri i njohur, Jeton Nixha.

Njëjtë është shprehur edhe trajneri tjetër i njohur Blerim Krasniqi, për të cilin Peja aktualisht është më e forta në vend.

“Duke i parë disa ndeshje miqësore, informatat që kam, Peja për momentin është në situatën më të favorshme, e ka një ekip solid, e ka bankën e fortë, dy pesëshe shumë të mira, me ju kundërvu çdo ekipi. Nuk e eliminoj as Prishtinën, edhe pse i kanë ardhur përforcimet vonë. Pres shumë edhe nga Bashkimi, por as Trepça nuk mbetet fort prapa”, ka thënë ai.

Kurse, trajneri prizrenas, Naser Oskaçek pohon se ekipi verdh e zi tash për tash është më i kompletuari dhe si të tillë e konsideron edhe favorit.

“Lufta do të vazhdojë në mes të Pejës dhe Prishtinës, ka përparësi paksa Peja, e cila në vjeshtë ka fituar me rezultat më bindës ndaj Prishtinës. Nuk i kemi parë mirë përforcimet, por mendoj se Peja ka ekipin më të kompletuar dhe ka një epërsi karshi ekipeve tjera”, ka pohuar ai.

Sido që të jetë, kampionati i ri fillon të shtunën dhe pritet me kërshëri nga basketbolldashësit.

BKT-Superliga – Xhiroja e 14-të

E shtunë

Peja – RTV 21 (20:00)

S. Prishtina – Kosova (V) (17:00)

Trepça – Drita (16:00)

S.Bashkimi – Vëllaznimi (19:00)

Data: 23 Shkurt 2013 09:38
Autori: GazetaExpress

Të tjera