Kthehu lart

Ekstremistët fetarë s’e duan Nënën Terezë në Obiliq?

Ekstremistët fetarë s’e duan Nënën Terezë në Obiliq?
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 13:56

Disa ekstremistë fetarë nuk po lejojnë ndërtimin e bustit të Nënës Terezë në sheshin e komunës së Obiliqit, i cili edhe e mban emrin e saj. Qytetarët aty thonë se kjo po ndodh për shkak të përkatësisë fetare që kishte kjo grua. Derisa zyrtarët komunalë arsyetohen se ky projekt ka mbetur në gjysmë për shkak të mungesës së parave.

Vehabistët në komunën e Obiliqit nuk po lejojnë kurrsesi vendosjen e shtatores së Nënës Terezë, në qendër të kësaj komune.

Qysh para katër vitesh komuna kishte menduar që pikërisht përballë zyrës së Bashkësisë Islame të Kosovës, të ndërtohet një shtatore e madhe e Nënës Terezë. Për këtë punë ai shesh edhe mori emrin e saj. Por qysh prej atëherë bazamenti ku u parapa të vihet busti, ka mbetur bosh.

Burime të Express nga komuna e Obiliqit thonë se shtatorja nuk u vu kurrë për shkak të pengesave fetare.

“Janë disa ekstremistë që nuk po duan që ta kenë shtatoren e saj aty për shkak të përkatësisë fetare që kishte Nëna Terezë”, kanë thënë këto burime në kushte anonime për Express.

E lënia anash e projektit “Nëna Terezë”, ka ngritur zëra në qytetin e Obiliqit që shkak i neglizhencës të kësaj punë është edhe përkatësia fetare e saj. Disa qytetarë, që nuk kanë dashur të prononcohen me emër kanë thënë se më të pëlqyer për obiliqasit janë heronjtë se sa një katolike.

Madje, u përfol edhe për disa kundërshtime të ngritjes së asaj shtatoreje nga ana e komunitetit mysliman në atë komunë. Sipas tyre, problemin e dinë shumë mirë edhe të gjithë zyrtarët komunalë të Obiliqit. Megjithëse këta të fundit po japin një arsye krejt tjetër për mosvendosjen e bustit në vendin ku u parapa të vihet tash e katër vite. Arsyetimi për këtë, sipas Drejtorisë komunale të Kulturës në Obiliq, është se nuk ka mjetet për punimin e shtatores e cila duhet të jetë në total nga këmbët deri te koka.

“Shtatorja e Nënës Terezë do të jetë në këmbë pra në total andaj kushton shumë më shumë se të tjerat”, tha Rifadije Paloji, Drejtoreshë e Kulturës së Obiliqit.

Por, pikërisht për këtë qëllim ishin ndarë edhe paratë nga Kuvendi komunal po të njëjtin vit kur u mor vendimi.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hajriz Bekteshi tha për Express se bëhet fjalë për 60 mijë euro për të dy shtatoret dhe tri buste.

“Paratë janë ndarë për të gjitha shtatoret por kjo e Nënës Terezë ka mbetur vetëm me bazament. Nuk e di cila është arsyeja e saktë por si duket paratë nuk kanë mjaftuar”, tha Bekteshi.

Arsyetimi se busti nuk po vendoset aty ku e ka vendin u mohua kategorikisht nga Kryetari i bashkësisë islame në Obiliq, Behar Mjekiqi.

“Kjo është rrenë! Asnjëherë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë ju them me plot sinqeritet është hera e parë që po dëgjojë”, tha ai. “Unë as që po di që ka pas mu ndërtuar ajo shtatore, po edhe mu ndërtua normalisht që nuk e kundërshtojmë”, ishte përgjigja e tij.

E në ndërkohë as vetë komunarët nuk e din se kur do të mund të ndodh vendosja e shtatores së femrës shqiptare që bëri bujë botërore, në vendin të cilin i është ndarë. Drejtoresha e Kulturës, Rifadije Paloji këtë punë ia lanë kësmetit.

“Kësmet ka mu vendos”, ishte përgjigja e saj.

Data: 18 Gusht 2013 13:56
Autori: GazetaExpress

Të tjera