Kthehu lart

Egjeli, ndryshe në DigitAlb

Egjeli, ndryshe në DigitAlb
GazetaExpress E mërkurë, 19 Dhjetor 2012 12:29

Filmi televiziv “Egjeli”, i zhanrit komedi, tashmë do të shfaqet si serial në kanalet T Channel dhe Plus HD të paketës DigitAlb, që në Kosovë e sjell kompania IPKO. Regjisori Valter Lucaj premton se serialet do të jenë plot humor. Seriali “Egjeli” fillon së transmetuari nga dita e hënë, pra më 24 dhjetor.

Liki, Axha Shneqë, Coci, Teta Gjyle do të jenë përsëri në ekranet e tona, kësaj radhe më një version ndryshe me filmin televiziv “Egjeli 1 dhe 2”, i cili tash do të jepet në një version tjetër si serial në kanalet e DigitAlb, T Channel dhe Plus HD.

Filmi i takon zhanrit komedi, një zhanër ky që praktikohet nga humoristët e Stupcave, Vedat Bajrami, Osman Azemi dhe Mensur Safçiu, të cilët e praktikojnë për më shumë së 10 vite

Regjisori serialit, Valter Lucaj thotë për Express se xhirimet e episodeve të parë kanë filluar.

“Ne jemi në proces të xhirimit të pjesëve të tjera, përderisa deri tani kemi xhiruar pesë episode të serialit”, tha Lucaj për Express.

Sipas tij, episodet e serialit do të transmetohen në dy kanalet e DigitAlb, njëri T Channel dhe tjetri Plus HD.

Lucaj thotë se për momentin janë në plan që të realizohen pesë episode, të cilët do të fillojnë transmetimin nga data e hënë, pra nga 24 dhjetori.

“Nuk na është lejuar që të flasim se sa episode do t’i realizojmë për momentin, por pritet që të ketë edhe më shumë episode të këtij seriali”, thotë Lucaj.

Ajo që dihet deri tani është se episodet do të jenë vazhdimësi e filmave televizivë, që me parë janë shitur si videokaseta në tregun kosovar.

Në qendër të filmit janë personazhet të cilët thumbojnë jetën në fshat dhe atë në qytet, me Likin (Vedat Bajrami) që është një djalë i rritur në qytet, e që luan një “cooler” të qytetit, kurse me Axhën Shneqë (Mensur Safçiu), një person i cili paraqet një personazh që ende jeton me traditat e vjetra fshatare.

Skenar i serialit është punuar kësaj radhe nga Anton Ndrecaj, kurse regjisor është regjisori i disa serialeve dhe skeçeve humoristike të Stupcave, Valter Lucaj.

Në rolet kryesore prapë paraqiten: Vedat Bajrami, Osman Ozemi, Mensur Safçiu, Afrim Krasniqi, etj.

Disa vite me parë humoristët e Stupcave kishin realizuar dy pjesë të këtij filmi.

I pari kishte të bënte me Likin, i cili shkon në fshat për të qëndruar të axha i tij ku edhe njihet me jetën në katund, ndërkaq në pjesën e dytë të këtij seriali është axha Shneqë ai i cili shihet më shumë në qytet, por që assesi nuk pajtohet me jetën e natës dhe jetën e Likit që bëhet në Prishtinë, pavarësisht se i pëlqen ajo.

Fundi i pjesës së dytë përfundon edhe me vdekjen e Agjës Shneqë dhe Tetës Gjyle, përderisa Liki në shenjë përkujtimi për ta, ia trashëgon emrat e tyre dy fëmijëve të tij.

Filmi “Egjeli” ishte njëri prej filmave më të kërkuar në Kosovë dhe kishte shënuar rekord në shitje në tregun kosovarë.

Kësaj radhe ai vjen si serial dhe sigurisht vjen më i plotësuar dhe më interesant.

Seriali pritet që të shfaqet në dy kanale të paketës DigitAlb, T Channel dhe Plus HD, që në Kosovë e sjell kompania IPKO.

Javë më parë këto dy seri filmi “Egjeli” teleshikuesit kanë pasur kënaqësi që t’i shikojnë në kanalin DigiGold.

Data: 19 Dhjetor 2012 12:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera