Kthehu lart

E keqja në ne

E keqja në ne
GazetaExpress E martë, 24 Prill 2012 13:08

Shkrimtari dhe deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, Ben Blushi, e promovoi librin e tij të fundit, ‘Shqipëria’, edhe në Prishtinë. Para lexuesve kosovarë, Blushi tregoi se në këtë libër përpiqet të shpjegojë disa gjëra që s’arrin t’i shpjegojë në rrugë tjera.

Edhe pse i botuar para shumë muajve dhe me gjithë faktin se Prishtina nuk është shumë larg Tiranës, shkrimtarit dhe politikanit Ben Blushi iu deshën disa muaj për ta promovuar romanin e tij “Shqipëria” edhe në Prishtinë. E për këtë promovim ai ka përzgjedhur një datë të rëndësishme. Është pikërisht Dita Botërore e Librit dhe të Drejtës së Autorit që e ka shtyrë Blushin t’i prezantojë lexuesit kosovar romanin e tij të fundit.

Duke folur për Blushin dhe librin e tij, në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, ku u mbajt promovimi, Henri Çili, publicist dhe botues i librit, u shpreh se me dy botimet e para, romanet ‘Të jetosh në ishull’ dhe ‘Otello’, për një periudhë shumë të shkurtër, Ben Blushi krijoi një biografi absolute, duke hapur një vend dhe duke zënë një vend qendror në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

“Kurse me romanin e tretë ‘Shqipëria’, të cilin unë e kam botuar, në kuadër të botimeve ‘Mapo’ në Tiranë, mendoj se ai plotëson një triptik ose një treshe librash që kanë një të përbashkët: bëjnë një përpjekje, sidomos me librin e fundit, për të lexuar me guxim në vetëdijen shoqërore shqiptare”, tha Çili.

Sipas tij, tërësia e elementeve që ka Blushi në romanet e tij nuk është ajo çka ai mendon apo çka ai përfaqëson në nivelin politik. Nga pikëpamja politike, sipas Çilit, Blushi është një politikan normativ dhe korrekt. Çili shtoi se Blushi arrin t’i eksplorojë ato skutat e ndërgjegjes shoqërore, kombëtare ose të individit, në të cilat kërkon një guxim, kërkon një thellësi, kërkon një mprehtësi dhe e gjitha kjo e sjellë në një mënyrë artistike. Ai theksoi se librat e Blushit kanë shkaktuar vazhdimisht debat.

“Madje, romani i tij i parë, ‘Të jetosh në ishull’, prodhoi një debat të tillë, nga i cili doli dhe një libër tjetër ‘Pro dhe kundër Blushit’, një debat që përfshiu aktorë të të gjitha kategorive në Shqipëri apo në Kosovë dhe një debat që, nëpërmjet këtij provokimi letrar, solli në skenën publike disa probleme ose disa çështje shumë të mprehta, me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot në Shqipëri dhe besoj dhe në Kosovë”, tha Çili.

Ndërkaq, për gazetarin Baton Haxhiu, qasja e Ben Blushit në letërsi ka të bëjë me njeriun shqiptar që është krejtësisht ndryshe nga ato, të cilat jemi mësuar t’i lexojmë apo t’i madhërojmë.

“Sidomos libri i fundit ‘Shqipëria’ është një prej librave me butësinë më të ashpër që unë kam lexuar për raportin e një shkrimtari me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe njëkohësisht edhe me komunizmin”, tha Haxhiu. Ai shtoi se Blushi edhe kur ka dashur të ndërtojë një komb të pastër, pa korrupsion dhe pa politikë të keqe, pa atë ballafaqim të panevojshëm për të vërtetën, nuk ka arritur ta gjejë më të bukurën të ne, për arsye se, sipas Haxhiut, ai në të vërtet nuk e sheh ende të bukurën, debatuesen, mirëqenien dhe gjitha ato që e ndërtojnë një shoqëri normale.

Haxhiu shtoi se dikush do ta quajë Ben Blushin si shqiptar të keq, për arsye se e ka thënë të keqën, do ta quajë shqiptar i cili e sulmon keq shqiptarin brenda nesh dhe do ta quajë shqiptar, i cili nuk është në mesin tonë për faktin se është i ashpër me kritikat e tij.

“Unë e mendoj të kundërtën, se vetëm një shqiptar si Blushi e ndërgjegjëson shoqërinë, e ndërgjegjëson njeriun dhe e ndërgjegjëson politikën se si duhet të sillet me njeriun, me shoqërinë dhe me vetveten para se gjithash”, tha Haxhiu.

Vet Blushi theksoi se ky libër e ka lodhur në përgjithësi.

“Më ka lodhur sepse për sa kohë që vendosa ta quaj ‘Shqipëria’ duhej t’i isha pak besnik Shqipërisë sepse ky titull të kufizon në vetvete. Pra, të kufizon, duke ndërtuar një kornizë historike, sociale dhe politike”, tha ai.

Blushi shtoi se ‘Shqipëria’ është më shumë përgjigje për disa pyetje që ai ka jo për vete por për ne shqiptarët në përgjithësi. Pyetje, të cilat ai tha se përpiqet herë pas here t’u japë shpjegim përmes artit.

“Besoj që për gjithë ne disa shpjegime me karakter historik, shoqëror apo politik janë akoma të vështira dhe janë larg. Kjo në fund të fundit është një alternativë personale dhe unë thjesht përpiqem që të shpjegoj gjëra që s’i shpjegoj në rrugë tjera. Përpiqem të shpjegoj pse cikli ynë historik i formësimit kombëtar është përgjithësisht i vonuar dhe me kaq shumë peripeci, pse shqiptarët e kanë kaq të thjeshtë të eksperimentojnë me veten dhe me kombin apo me shtetin e tyre, kur e kanë atë”, tha ai.

Blushi shtoi se libri përpiqet të shpjegojë se si një njëri që kishte si qëllim të zëvendësonte Zotin dhe sa ishte gjallë ai besoi që ia arriti dhe vdiq me besimin se arriti ta zëvendësonte Zotin për besimtarët e vet.

Blushi nuk la pa kritikuar shqiptarët, të cilët vetëm rrinë duke u ankuar.

“Një komb që vetëm ankohet, ankohet dhe ankohet për prapësitë apo për padrejtësitë që të huajt i kanë bërë atij, besoj që nuk e sheh veten e vet në një raport të drejtë me botën dhe me historinë. Kjo është pak a shumë nevoja apo shtysa që më ka quar deri te ky libër”, tha ai.

Duke folur për motivet që e kanë shtyrë të shkruajë, Blushi tha se motivi i parë është ai i vetëkënaqësisë, i dyti për ta vrarë kohën e tepërt ndërsa i treti për t’iu përgjigjur disa pyetjeve, të cilave nuk mundet t’iu përgjigjet në ndonjë formë tjetër.

Data: 24 Prill 2012 13:08
Autori: GazetaExpress

Të tjera