Kthehu lart

Dy dashnorët e Oscar Wilde

Dy dashnorët e Oscar Wilde
GazetaExpress E hënë, 26 Gusht 2013 17:00

Oscar Wilde/ Historitë e dashurisë së dramaturgut dhe shkrimtarit të njohur irlandez që besonte te liria…

Robbie Ross e kishte dashur Oscar Wilde para se të takoheshin. Teksa ecnin të dy një mbrëmje dhjetori rrugëve të Londrës, me duart e futur thellë në krahët e tij, Ross i tregonte se çdo fjalë e tregimeve të lexuar prej tij e kishte ndryshuar. Kur kishte dëgjuar për herë të parë leksionet e tij, Robbie nuk ia kishte ndarë vështrimin profesorit të pashëm 32-vjeçar, me të cilin do të jetonte një histori të gjatë dashurie. “Që në momentin e parë që u takova me Robbie, e ndjeva se kisha gjetur një pjesë tjetër timen, një njeri që do të ishte gjithnjë i rëndësishëm për mua, dhe asnjëherë nuk do të më zhgënjente”, do të shprehej më vonë Oscar Wilde. Ross do të ishte lidhja e parë dashurore e Oscar Wilde me një burrë, lidhje në të cilën ai do të vërtetonte dhe dëshirat që kishte pasur gjithnjë për të vështruar djemtë e rinj. Në Anglinë e atyre viteve, një lidhje e tillë dashurore ishte e ndaluar. Vetëm pak kohë para se të takonte Ross, Wilde ishte martuar me një miken e tij, Costance, me të cilën kishte dy djem.

Takimet e tyre bëheshin në fshehtësi, jo vetëm prej Costance-s, por edhe prej syve të tjerë. “Ne jetonim në rrezik, por kjo gjë na e bënte më të padurueshme dëshirën për njëri-tjetrin”, tregonte më vonë Robbie. Historia e tyre do të ishte e bukur deri në momentin kur Robbie nisi studimet në Kembrixh… Më pas ata do të jetonin tensione xhelozie, të cilat do t’i largonin nga njëri-tjetri… Oscar dhe Robbie u ndanë para se ai të përfundonte studimet në Kembrixh, por pavarësisht kësaj ndarjeje Ross do të kthehej në një nga njerëzit më të rëndësishëm në karrierën dhe jetën e Oscar Wilde. Ai do të bëhej kritik letrar dhe njeriu që do të evidentonte dhe promovonte veprën e tij. Në vitin 1891, Oscar takon lord Alfred Douglas, një poet dhe përkthyes i njohur anglez, me të cilin do të jetojë historinë e vërtetë. Më 1894-n, Robert Hichen botoi romanin “Karafili i gjelbër”, ku tregon historinë e dashurisë mes Alfred dhe Wilde. Douglas, i njohur nga miqtë me pseudonimin “Bosie”, përshkruhet si një njeri ekstravagant, i pamatur, fyes. Ai shpenzonte para në bixhoz dhe Wilde kontribuonte për shijet e tij. Ata shpesh janë zënë për këto çështje, por sërish janë pajtuar.

Alfred Douglas dhe Oscar Wilde

Për miqtë, kjo lidhje e shkatërroi Wilde. Për shkak të martesës së Wilde, dy dashnorët sajonin situata që të rrinin bashkë. Teksa qëndronin në Brighton, Douglas u sëmur me grip dhe Wilde u detyrua të kthehej në shtëpi. Teksa festonte ditëlindjen e tij të 40 në hotelin “Grand”, Douglas i dërgoi atij faturat e qëndrimit në Brighton për t’i paguar. Alfred u jepte dashnorëve të tjerë rrobat e Wilde dhe i përdorte letrat e tyre të dashurisë për shantazh sa herë që ata zemëroheshin. Alfred refuzoi dhe paratë e të atit për të përfunduar studimet e nisura në Oksford. Pavarësisht jetës së tij plot aventura, Wilde nuk mundi të ndahej nga i dashuri i tij i zemrës. Ai i gjendej gjithnjë pranë, dhe atëherë kur mund të kishte kaluar ditë të tëra me një tjetër. Pas kohëve të trazuara dhe burgimit të Wilde, dy dashnorët do të kalojnë disa vite bashkë në Rouen, por për arsye financiare detyrohen të ndahen. Wilde e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij në Paris, ndërsa Douglas u kthye në Angli në vitin 1898. Kur Wilde vdiq në vitin 1900, Douglas do të ishte njeriu që do të kujdesej për ceremoninë mortore. Në leximin e nekrologjisë, ka pasur një zënkë mes tij dhe Robbie Ross, dy të dashuruarve të përjetshëm të Oscar Wilde. Pas vdekjes së Wilde, Douglas u martua me poeten Olive Eleonor Custance, me të cilën lindi një djalë.

Costance, gruaja e Wilde

Constance Wilde është gruaja e dramaturgut dhe shkrimtarit të njohur irlandez Oscar Wilde dhe nëna e dy fëmijëve të tij Cyril dhe Vyvian. E bija e një avokati irlandez, ajo u martua me Wilde më 29 maj 1883 dhe gjatë dy viteve të para të martesës do të lindte fëmijët. Constance i pëlqente e shkruara, dhe kjo ishte edhe një nga arsyet e lidhjet së saj me Wilde. Katër vjet pas martesës ajo botoi një libër me tregime për fëmijë, që i kishte dëgjuar më parë nga gjyshja e saj. Brunja me flokët me onde që i kapte gjithnjë lart, ishte e dashuruar pas modës. Bashkë me të shoqin ajo do të përfshihej në lëvizjen për reformat në veshje në atë periudhë. Constance do ta kuptonte shumë shpejt se dashuria e saj me Oscar Wilde nuk ishte një dashuri si në librat ku ajo kishte besuar.

Burri që flinte çdo ditë pranë saj, nuk kishte për të pasionin që ka një burrë për gruan që do. Ai nuk mund të ishte asnjëherë burri që ajo donte… Pak vite më vonë, Constance njihet me homoseksualitetin e tij. Në vitin 1891, Wilde e prezantoi atë me të dashurin e tij Alfred Douglas. Ai shkoi në shtëpinë ku jetonin për vizitë. Wilde kishte jetuar më shumë hoteleve sesa në shtëpinë e tij. Costance do t’i duhej të mbante të bashkuar familjen për hir të fëmijëve që shpesh pyesnin mbi mungesat e gjata të babait. Më 1895-n, Oscar Wilde u burgos për shkak të homoseksualitetit të tij. Constance vazhdoi ta vizitonte natë në burg, megjithëse ndryshoi mbiemrin e saj dhe të fëmijëve në Holland, në mënyrë që të mbante larg skandalin nga fëmijët. Çifti nuk u divorcua kurrë dhe Costance mbeti deri në fund të jetës një mike e shtrenjtë për të.

Jeta

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor të vitit 1854 dhe rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë. Gjatë studimeve në Dublin dhe më pas në Oksford, u shfaq si njohës i shkëlqyer i klasikëve dhe që në moshë të re përvetësoi shumë mirë gjuhën frënge dhe atë gjermane. Gjatë kohës në universitet u përfshi edhe në lëvizjen e quajtur esteticizmi. Pasi kreu studimet, shkoi në Londër, që ishte qendër e rretheve shoqërore, kulturore dhe letrare të kohës. Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890. Për të shprehur më mirë idetë e tij estetike dhe për t’i kombinuar me tema më të gjera sociale, Wilde u fut në rrugën e dramës. Në vitin 1891 boton në Paris dramën “Salome”. Jo më pak të njohura janë komeditë e tij, ku mund të veçojmë “Një grua pa rëndësi” (A woman of no importance), “Erashka e zonjës Uindëmiër” (Lady Windermere’s fan), “Një bashkëshort ideal” (An Ideal Husband) dhe atë që konsiderohet si kryevepër, “Rëndësia e të qenët i ndershëm” (The Importance of being Earnest). Përveç dramave dhe novelës së vetme, krijimtaria e tij përmbledh edhe tregime, ku mund të përmendim “Krimi i lordit Artur Sevilit” dhe histori të tjera, botuar në vitin 1891, apo përralla si “Princi i lumtur” dhe histori të tjera, “Shtëpia e Shegave”. Jo më pak vend zënë edhe poezitë e tij apo letrat De Profundis, esetë dhe dialogët. Wilde pikasi si një shkrimtar që nëpërmjet veprave të tij u mundua të shpalosë hapur jo vetëm idetë e tij mbi artin dhe letërsinë, por edhe mbi probleme të ndryshme të shoqërisë nën sundimin e mbretëreshës Viktoria.

Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër. Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar por edhe nga thëniet e tij, shumica e të cilave janë marrë nga po këto vepra. Oscar Wilde vdiq më 30 nëntor të vitit 1900 nga meningjiti dhe për arsyen e sëmundjes jepen shkaqe të ndryshme. Aktualisht varri i tij ndodhet në varrezën Père Lachaise, Paris. Të shumta janë botimet dhe biografitë mbi figurën e këtij shkrimtari të madh duke u munduar të hidhet sa më shumë dritë mbi jetën, veprat dhe seksualitetin e tij. Për nder të tij, në disa qytete janë ngritur edhe përmendore, një nga të cilat në sheshin “Trafalgar” në Londër. Oscar Wilde mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës.

Si në të përditshmen, i zhytur në një jetë të shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar. Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkaje të modeluar nga kodi i qytetarisë viktoriane, ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozisë, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet ku gëlonte civilizimi. Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë. Ky rebel, ky “hero i së keqes”, skaliti mbi muret e mykura të Londrës, jo vetëm emrin e tij të patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit”, do të shprehej ai.

Thënie nga Oscar Wilde

Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.

Një burrë mund të jetë i lumtur me një grua për sa kohë që nuk është i dashuruar me të.

Data: 26 Gusht 2013 17:00
Autori: GazetaExpress

Të tjera