Kthehu lart

Drita ndal Prishtinën

Drita ndal Prishtinën
GazetaExpress E diel, 16 Shtator 2012 18:30

Drita i ka dhënë fund serisë së fitoreve të Prishtinës. Skuadra gjilanase, e ndihmuar fuqishëm nga tifozët e saj, të dielën arriti ta nxjerr një pikë përball kampionit në fuqi – në derbin e xhiros së pestë të Superligës. Ndërsa, Hysi e Besa i kanë regjistruar fitoret e para në këtë sezon, duke i mposhtur Hajvalinë, respektivisht Ferronikelin.

Pas katër fitoreve të njëpasnjëshme, Prishtina të dielën është ndalur në Gjilan. E mbështetur prej rreth 6 mijë shikuesve, të cilët e krijuan një atmosferë shumë të mirë, Drita ia doli ta rrëmbej një pikë përballë kampionit në fuqi – në derbin e xhiros së pestë të Superligës.

Dueli mes dy rivalëve të vjetër ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1, ndonëse prishtinasit ishin për një nuancë më të mirë.

Madje, skuadra e Ejup Mehmetit – Kapitit ka kaluar e para në avantazh prej 0:1, me një gol që e shënoi nga afërsia Florim Bërbatovci në minutën e 21-të.

Këtë avantazh kryeqytetasit e kanë ruajtur deri në minutën e 51-të të takimit, kur Ismet Caka e shfrytëzoi një harkim prej një ndërprerje, duke shënuar gol me kokë për rezultat 1:1.

Pas këtij goli të pësuar, mysafirët i shtuan përpjekjet për ta rikthyer avantazhin, por këtë nuk e lejoj ta bëj ekipi vendas, i cili kohë pas kohe tentonte të shënonte sërish. Rastin më të mirë e lëshoi Driton Krasniqi, por gjuajtja e tij përfundoi në transversalen e portës së Dritës.

Megjithatë, prishtinasit mbesin liderë në Superligë me 13 pikë të tubuara prej pesë ndeshjeve të zhvilluara, të ndjekur nga Trepça ’89 që i ka 11 pikë dhe Drita që është e treta me 10 pikë.

Hysi – Hajvalia 3:0

Hysi e ka shënuar fitoren e parë në këtë kampionat. Bardheiznjtë e kanë mposhtur në Merdarë Hajvalinë me rezultat bindës, 3:0. Llapjanët kanë luajtur më mirë, dhe fitorja e tyre ka mundur të jetë edhe më thellë.

Golat për ekipin e Hysni Maxhunit i kanë shënuar Zeqiri në minutën e 10-të, Hajdari në minutën e 23-të dhe Islami dy minuta para fundit të takimit. Me këtë fitore Hysi është ngjitur në kuotën e pesë pikëve, dy më pak sesa Hajvalia.

Besa – Ferronikeli

Ferronikeli ka vazhduar me serinë e zezë të rezultateve. Skuadra nga Drenasi kësaj radhe është mposhtur në Pejë me rezultat 2:1 nga Besa, për të cilën kjo ishte fitorja e parë e sivjetshme.

Skuadra e Ramiz Krasniqit ka kaluar e para në avantazh prej 0:1 në minutën e 55-të me golin nga penaltia që e ka realizuar Dushlaku. Por, Gashi i ka barazuar shifrat në 1:1 në minutën e 68-të.

Katër minuta pa fundit të takimit pejanët përfituan një penalti, nëpërmjet të cilës e korrën fitoren, pasi nga pika e bardh i saktë ishte Miftaraj. Kjo disfatë Ferronikelin e ka dërguar në fund të tabelës, derisa Besa tani është ngjitur në kuotën e 4 pikëve.

Data: 16 Shtator 2012 18:30
Autori: GazetaExpress

Të tjera