Kthehu lart

Drejtori grushton regjisorin

Drejtori grushton regjisorin
GazetaExpress E mërkurë, 21 Mars 2012 14:06

Në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Tiranë shpërthyen grushtet. Ngjarja ndodhi të hënën në mëngjes, pas një debati mes drejtorit të QKK, Artan Minarollit, dhe regjisorit, Ilir Harxhi. Institucioni shtetëror shqiptar i filmit u shndërrua kështu në një skenë dhune fizike.

Regjisori, Ilir Harxhi, u grushtua nga drejtori Minarolli, dhe, si pasojë, përfundoi me sy të nxirë. Si shkak u përmendën problemet e shumta brenda qendrës kinematografike për projekte të ndryshme filmike.

Debatet për projekte ka kohë që kanë lindur në QKK, por dhuna fizike ndaj regjisorit tregoi qartë se ky institucion sikur ka ndërruar destinimin e tij parësor.

Ndryshe, pas ngjarjes së rëndë, dhe pas ekzaminimit mjekësor, regjisori Harxhi ka ngritur kallëzim penal në polici ndaj drejtorit të QKK’së, Artan Minarollit. Regjisori i disa filmave shqiptarë iu tha mediave tiranase se, ka kohë që nuk merrte asnjë e-mail nga QKK’ja lidhur me atë se çfarë po ndodhte me projektet e tij filmike. Si rrjedhojë, Harxhi kishte shkuar disa herë në QKK për të marrë informata direkte.

“Në momentin kut hyra të premten në QKK atje gjeta vetëm punëtorë dhe asnjërin nga zyrtarët. Punëtorët që po bënin punën e tyre në hollë.

Qëndrova aty dhe piva një kafe, dhe kështu më iku e gjithë dita. Mendova që të shkoja sërish të hënën e të interesohesha për projekte” tregoi ai për agjencinë e lajmeve Sot.

“Kur shkova në QKK, aty ishte bërë njëlloj muri në hyrje. Ishte një errësirë e plotë, dhe sapo hyra dëgjova një zë po fliste në korridor. Kur u afrova, u hap dera dhe zëri sikur u largua. Hapa derën e zyrës së juristes, por juristja ishte e zënë. Po fliste me dikë tjetër, që unë s’e njihja. Sërish u tërhoqa tek pragu i derës, dhe prisja të mbaronte bisedën, që të merrja ndonjë informacion, meqë në web-faqen e QKK s’kishte asnjë informacion.

Pas pak, në korridor u hap dera e një zyre dhe nga doli drejtori i QKK Artan Minarolli. Erdhi para meje, dhe tha: ‘Ç’kemi Ilir’. I thashë: ‘Me atë që më bëre mua mbaje turpin gjithë jetën”, tregoi tutje Harxhi.

“Sapo i thashë këto fjalë ndjeva një grusht në syrin e djathtë. Më ranë syzet përtokë... Pas disa sekondash, afër meje pashë drejtorin e projekteve, Arben Lamin, dhe disa punonjës të tjerë. Në atë moment, Artan Minarolli tregon se ishte ai që më goditi. Njëri prej punonjësve e futi në zyrë”, vazhdon regjisori, derisa tregon se pastaj për projektet filmike ka biseduar me drejtorin e projekteve, e më vonë ka shkruar në polici për të bërë kallëzim penal ndaj drejtorit Minarolli.

“Unë mendova se isha në një institucion shtetëror. Jam një producent me licencë dhe i paguaj taksa Qendrës, andaj e pashë të udhës që të bëja kallëzim penal, thotë ai, derisa tregon se përveçse e ka treguar gjithë ngjarjen në polici, nga mjeku ligjor i është përcaktuar edhe shkalla e lëndimit në pjesën e mavijosur.

Regjisori, Ilir Harxhi, po ashtu nënvizon se QKK është shndërruar në biznes të drejtorit Minarolli. Sipas tij, edhe pse për Qendrën paguhen taksa, në këtë institucion asgjë nuk është transparente.

“Dy-tre herë e kam ngritur këtë shqetësim me njerëz të tjerë. Pra, paguaj taksa dhe s’marr asnjë informacion. Kur shkoj atje, më thonë se po rregullojnë adresat, etj. Kur i kontaktoj, më thonë se do të rregullohet gjithçka. Unë kam të drejta, sepse jam shtëpi filmike, e megjithatë jam në terr informativ. Edhe për sa i përket projekteve, gjithçka kam dërguar brenda afateve kohore. Por, ai [Minarolli] po bën një mashtrim të madh”, përfundoi Harxhi, i cili njihet për filmin “Shkallët”, që është vlerësuar me disa çmime.

Data: 21 Mars 2012 14:06
Autori: GazetaExpress

Të tjera