Kthehu lart

De Biasi zbulon Zenelin në Youtube

De Biasi zbulon Zenelin në Youtube
GazetaExpress E enjte, 19 Prill 2012 10:59

Erfan Zeneli ka rënë në radarin e selektorit të Shqipërisë, Gianni de Biasi. Ky i fundit e ka zbuluar talentin kosovar në ueb faqen Youtube, ku i ka lënë përshtypje. Mesfushori i Helsinkit thotë se Shqipërinë do ta pranojë para Finlandës, e cila gjithashtu pritet ta ftojë në skuadër.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, ka filluar ta praktikojë një mënyrë të veçantë për të zbuluar talentët shqiptarë, që luajnë nëpër ligat të ndryshme evropiane.

Përveç që po i përcjell nga afër, trajneri italian ka nisur të gjejë talentë duke klikuar edhe në ueb faqen www.youtube.com.

Si rezultat i kësaj, ai ka zbuluar një futbollist, që në të ardhmen e afërt mund ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare.

Ai është mesfushori i talentuar kosovar Erfan Zeneli, i cili me sukses po luan te kampioni aktual i Finlandës, HJK Helsinki

“Një bashkëpunëtor i Gianni de Biasi e ka parë një video timen në Youtube. Më pas ai më ka kontaktuar edhe më ka treguar se ju kam pëlqyer edhe më kanë kërkuar edhe disa DVD të komplet ndeshjeve që i kam luajtur me Helsinkin”, ka thënë Zeneli për Gazetën Express.

“Ata më kanë treguar se janë të interesuar që në ekip të marrin lojtarë nga Evropa edhe tani jam duke pritur se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar mesfushori me prejardhje nga Vushtrria.

Përveç kuqezinjve, edhe përfaqësuesja A e Finlandës ka gjasa të mëdha që t’i bëjë një ftesë 25 vjeçarit, i cili më herët ka luajtur me skuadrën U21 të këtij vendi.

“Me formën nëpër të cilën kaloj, edhe përfaqësuesja e Finlandës pritet të më ftojë në ekip, pasi ka edhe presionin e medieve se si nuk më ka grumbulluar deri më tani”, u shpreh Zeneli.

Nëse i arrijnë ftesat nga Shqipëria dhe Finlanda, Zeneli është shumë i vendosur se cilën fanellë do të pranojë ta bartë.

“Nëse më fton Kombëtarja shqiptare, atëherë Shqipërinë do ta pranoja para Finlandës”, ka përfunduar Zeneli i cili është ndër më meritorët për sukseset e Helsinkit në sezonet e fundit.

Kombëtares pritet t’i shtohen kosovarët

Aktualisht fanellën e Shqipërisë e bartin: Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, derisa pas një pauze ekipit pritet t’i bashkohet edhe Besart Berisha.

Por, ky numër pritet të shtohet pasi, përveç Zenelit, në radarin e Gianni de Biasit janë edhe disa lojtarë tjerë me prejardhje nga Kosova, e që shumë shpejt mund të bëhen pjesë të ekipit kombëtar. Ata janë: Burim Kukeli (Luzern), Etrit Berisha (Kalmar), Denis Markaj (Chiasos) dhe Labinot Sheholli (Biel Bien).

“Etrit Berisha do të ishte thirrur që në ndeshjen me Gjeorgjinë, por dokumentet nuk ishin gati. Ndërsa Kukeli mund të na shërbejë edhe për faktin se nuk është thirrur asnjëherë në ndonjë përfaqësuese. Por, ky mund të jetë vetëm një prej shumë lojtarëve që ne kemi parë. Nuk është e drejtë të ndalemi vetëm te një emër, ndërkohë që ka shumë, shumë në listën tonë”, ka deklaruar De Biasi.

De Biasi mirëpret Mavrajn

Trajneri italian i ka hapur derën mbrojtësit kosovar të Greuther Furthit, Mërgim Mavrajt, që të rikthehet në Kombëtare, edhe pse më herët kishte refuzuar dy herë ta veshë fanellën e Shqipërisë

“Mavrajn e kam parë dy muaj e gjysmë më parë. Doja ta grumbulloja për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë. Ai është një lojtar interesant. Nëse një lojtar mendon se mund ta përmirësojë skuadrën, padyshim që bën pjesë në planet tona”, ka theksuar De Biasi.

Data: 19 Prill 2012 10:59
Autori: GazetaExpress

Të tjera