Kthehu lart

Daka: Ende s'kemi folur për logon e fletëvotimeve

Daka: Ende s'kemi folur për logon e fletëvotimeve
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 19:21

Pavarësisht kërkesave të Beogradit që të mos vendoset logoja e Republikës së Kosovës në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale, në Prishtinë askush nuk tregon se si do të veprohet me këtë çështje. Kryetarja e KQZ'së, Valdete Daka thotë se ende nuk është diskutuar për logon e fletëvotimeve të ardhshme.

Ajo e ka mohuar presionin e Qeverisë dhe të ndërkombëtareve për të hequr logon e Republikës nga materialet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Nuk e kam diskutuar me asnjë anëtar çështjen e logos, e aq më pak që kam bërë presion mbi ndonjë anëtar të KQZ-së", ka thënë Daka.

"Pra, e them me përgjegjësi të plotë që asnjëherë as nuk është diskutuar kjo çështje, e aq më pak që kemi diskutuar këtë me Fadil Malokun”, ka shtuar ajo.

Sidoqoftë, çështja e simboleve në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka krijuar plasaritjet e para përbrenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Njëri nga anëtarët e këtij komisioni, Fadil Maloku, nga Aleanca Kosova e Re, thotë se presioni mbi të, që të pajtohet me heqjen e simboleve të shtetit nga fletëvotimet, po i kushtojnë atij me largimin nga KQZ'ja.

Kjo kërkesë Qeverisë së Kosovës i është parashtruar nga Beogradi si kusht për daljen e serbëve veriorë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Por, partia që e ka deleguar atë, AKR-ja, si dhe Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thonë se nuk janë duke ushtruar kurrfarë presioni mbi Malokun. Sipas Malokut, presionet atij i vijnë si nga vija partiake, ashtu edhe nga KQZ-ja.

“Ka presione, por e kam thënë edhe më herët se nuk do të bie pre e këtyre presioneve dhe politikës, ngaqë konsideroj se KQZ-ja është institucion i pavarur, ashtu është përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe ashtu do të mbetet”, ka deklaruar Maloku, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Përmes një komunikate, AKR u është drejtuar medieve duke potencuar se nuk ka bërë asnjë presion ndaj Malokut dhe ka paralajmëruar shkarkimin e tij nga KQZ-ja.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ndërkaq, e ka mohuar se i ka bërë ndonjëherë ndonjë lloj presioni Malokut apo cilitdo anëtar të këtij organi. Aq më pak në lidhje me çështjet e simboleve apo logos shtetërore në materialin zgjedhor.

Një anëtar tjetër i KQZ-së, që vjen nga radhët e LDK-së, Florian Dushi thotë se mbi të askush nuk ka ushtruar deri më sot ndonjë presion lidhur me çështjen e heqjes së simboleve nga fletëvotimet.

“Asnjë lloj presioni, asnjë kërkesë dhe biseda rreth kësaj çështjeje nuk kam pasur deri në këtë moment”, ka thënë Dushi.

Kërkesa për heqjen e simboleve shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore është parashtruar nga Serbia dhe lidhet me zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët nga qeveria serbe kanë parashtruar këtë kërkesë si kusht për daljen e serbëve në veri të Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas tyre, logot dhe simbolet e shtetit të Kosovës nuk mund të jenë në materialet zgjedhore, pasi që marrëveshja e Brukselit është neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Data: 18 Gusht 2013 19:21
Autori: GazetaExpress

Të tjera