Kthehu lart

Çelaj: Do të vendosim shpejt për Prishtinën

Çelaj: Do të vendosim shpejt për Prishtinën
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 19:31

Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon të mos e marrë shumë seriozisht garën për Prishtinën.

Kjo parti ende nuk është përcaktuar se kush do ta sfidoj Isa Mustafën e LDK'së në garën e 3 nëntorit për të parin e Kryeqytetit.

Sidoqoftë, Kryetari i Degës së PDK'së në Prishtinë, Lirak Çelaj thotë se para afatit të fundit ligjor do të shpallin edhe kandidaturën e Kryeqytetit.

"Nuk do të vonojë shumë zyrtarizimi i kandidatit për Kryetar të Prishtinës se edhe ashtu afati ligjor na detyron që deri më 4 shtator t'i përfundojmë procedurat", ka thënë Çelaj, për Express, të dielën.

"Po besoj se prej javës tjetër do të fillon shpalosja e kandidatëve nëpër komuna derisa t'i vjen radha edhe Prishtinës", ka shtuar ai.

Çelaj ka deklaruar se nuk ka garë brenda PDK'së se kush do të marrë përgjegjësinë për të garuar për Kryetar të Prishtinës.

"Ka disa opsione", ka thënë Çelaj, derisa nuk e ka mohuar që edhe vet t'i hyjë kësaj gare.

"Potencialisht jam edhe unë", ka shtuar ai.

Ky zyrtar i PDK'së në Prishtinë ka theksuar se janë duke u koordinuar edhe me udhëheqjen e partisë për të nxjerr kandidatin, i cili do të jetë i pranueshëm edhe për prishtinasit, por edhe për PDK'në.

"Jemi duke u koordinuar me Liderin e PDK'së z.Thaçi dhe organet tjera të partisë. Jemi duke diskutuar për emrat e mundshëm. Aktualisht nuk ka asnjë garë të brendshme por jemi duke diskutuar opsionin më të mirë për Prishtinën", ka thënë ai.

PDK asnjëherë nuk e ka pas pushtetin në Prishtinë, derisa në zgjedhjet e fundit ka dal e treta.

Qytetin më të madh të Kosovës e udhëheq LDK e Isa Mustafës prej përfundimit të luftës, ndërsa në zgjedhjet e fundit ka fituar pa balotazh.

Pavarësisht kësaj, qyteti i Prishtinës vazhdon të jetë njëri prej vendeve më të degraduara të Kosovës.

Në këtë qytet nuk ka parkingje, ka plot ndërtime pa leje, s'ka ujë 24 orë, ka bërllog, s' funksionojnë ashensorët nëpër banesa, lagjet janë të vendosura pa kurrfarë plani urabistik etj.

Sidoqoftë, deri më tash kandidaturën për të udhëhequr me Prishtinën e ka publikuar vetëm kandidati i AAK'së, Besnik Tahiri, i cili kishte dal i katërti në zgjedhjet e vitit 2009.

Ndërkohë, as LDK nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e Isa Mustafës për Kryetar të Prishtinës.

As AKR dhe Vetëvendosjes nuk i kanë publikuar emrat e kandidatëve për të udhëhequr me Kryeqytetin.

Partia e Pacollit pritet të garojë me Ibrahim Makollin, ndërsa ajo e Albin Kurtit me Shpend Ahmetin.

Data: 18 Gusht 2013 19:31
Autori: GazetaExpress

Të tjera