Kthehu lart

Buzhala: Thaçi, kryeministri më stabil në rajon

Buzhala: Thaçi, kryeministri më stabil në rajon
GazetaExpress E enjte, 06 Dhjetor 2012 21:54

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhala, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Hazirit, që thotë se është kërkesë legjitime që Ramush Haradinaj të kërkojë postin e kryeministrit dhe të vazhdojë punën që ka lënë më parë.

Në emisionin “Zona e debatit” në “Klan Kosova”, Buzhala ka thënë se kur Lidhja Demokratike e Kosovë i fiton zgjedhjet, atëherë ajo mund t’ia japë Haradinajt postin e kryeministrit.

“Hashim Thaçi është kryeministri më stabil në rajon. Puna e vështirë, menaxhimi me ndërkombëtarët, anëtarësimi në shumë segmente ndërkombëtare... Mendoj që ky kryeministër, me të gjitha telashet e obstruksionet, disa legjitime e disa jo, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë ai. “Është normale çka kërkojnë të tjerët, por numrat janë numra, dihet sa vota kush i ka. Të vjedhura a jo, rezultatet e zgjedhjeve janë pranuar”, tha Buzhala transmeton Telegrafi.

Buzhala thotë se presidentja Atifete Jahjaga është produkt i marrëveshjes PDK-LDK-AKR dhe se kjo marrëveshje duhet të respektohet.

“Presidentja aktuale duhet të shkojë, sapo të mbyllet procesi i reformave. Ajo është vënë aty për një moment të caktuar, dhe kur përfundon ai moment duhet ta hapë rrugën. Ajo ka ardhur si ka ardhë dhe duhet të shkojë kur t’i vjen koha. Ajo nuk ka qenë e pafat, po me shumë fat. Secili nga ne dëshiron ta ketë atë ‘fatkeqësi’ të saj, që të jetë dy vjet president. Nuk duhet marrëveshja të mbetet peng i saj”, thekson Buzhala.

Data: 06 Dhjetor 2012 21:54
Autori: GazetaExpress

Të tjera