Kthehu lart

Berisha: Marrëveshja e Ohrit është harruar

Berisha: Marrëveshja e Ohrit është harruar
GazetaExpress E martë, 18 Dhjetor 2012 12:27

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka theksuar se ndjen keqardhje që Marrëveshja e Ohrit akoma nuk është zbatuar dhe ajo sot është harruar fare.

“Në vitin 2001 u zhvillua një luftë në territore të gjera të Maqedonisë dhe u arrit në një marrëveshje ndërkombëtare, që njihet si Marrëveshja e Ohrit. Ne e përshëndetëm këtë Marrëveshje në mënyrën më të vendosur e të bindur se ajo, e zbatuar, do të japë paqe e stabilitet në Republikën mike të Maqedonisë. Por cila është situata sot? Ka një progres të padiskutueshëm në zbatimin e Marrëveshjes, sikundër ka mangësi të pajustifikueshme në zbatimin e saj. Dëgjoni të flitet më për këtë Marrëveshje në rrafshin ndërkombëtar? Është harruar fare. Gabim shumë i madh. Në qoftë se ajo harrohet, ju garantoj se rryma tjetër, që thotë se ajo është tejkaluar, do të arrijë gradualisht të bindë njerëzit se ajo nuk është më e vlefshme. A kemi një rrymë në forcat politike shqiptare në Maqedoni që thonë se Marrëveshja nuk ka më vlerë, se është tejkaluar? Sigurisht kemi”, ka theksuar kryeministri Berisha.

Ai ka thënë se mendon se Marrëveshja duhet zbatuar për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Maqedoni.

“Marrëveshje ishte një dokument i shkëlqyer, për të garantuar paqen e stabilitetin në Maqedoni. Ndjej keqardhje se ajo nuk citohet më”, ka theksuar Berisha.

Data: 18 Dhjetor 2012 12:27
Autori: GazetaExpress

Të tjera