Kthehu lart

Ballkan Liga ndryshon sistemin, përballen skuadrat kosovare

Ballkan Liga ndryshon sistemin, përballen skuadrat kosovare
GazetaExpress E mërkurë, 02 Tetor 2013 16:29

Ballkan Liga e ka ndryshuar sistemin e garave, pas tërheqjes së papritur të ekipit KK Mornar nga Mali i Zi, që kishte probleme me menaxhimin. Me këtë rast, ky kompeticion sezonin 2013/14 do të përbëhet nga 9 ekipe, prandaj edhe është ndryshuar sistemi.

Këtë sezon, në këtë kompeticion do të marrin pjesë: BC Balkan (Bullgaria), BC Levski (Bullgaria), BC Gilboa Galil (Izrael), KB Peja (Kosovë), KB Sigal Prishtina (Kosovë), KK Kozuv (Maqedoni), KK Kumanovo 2009 (Maqedoni), KK Teodo (Mali i Zi) dhe SCM U Craiova (Rumani).

Në sistemin e ri do të zhvillohet sezoni i rregullt, ku do të zhvillohen ndeshjet brenda dhe jashtë. Do të zhvillohen 18 xhiro dhe secili ekip do t’i zhvillojë nga 16 ndeshje, prandaj Sigal Prishtina dhe Peja do të luajnë në mes vete në muajin nëntor.

Ekipet që do të përfundojnë në pozitën e parë dhe të dytë do të kualifikohen direkt për Final 4. Ekipet nga pozita e tretë deri në të gjashtën do të luajnë në çerekfinale dhe fituesit do të avancojnë po ashtu në Final 4.

Në çerekfinale do të takohen ekipet e pozitës së tretë me të gjashtën dhe ato të pozitës së katërt kundër asaj të pestë.

Ato do të luajnë brenda dhe jashtë, me ekipin e dytë që do të pritet në lojën e parë nga skuadra me statistika më të mira.

Në Final 4, ekipi i ranguar në pozitën e parë në sezonin e rregullt do të takohet me fituesin e çerekfinales në mes të pozitës së katërt me atë të pestë, kurse i dyti i ranguar në sezonin e rregullt do të përballet me fituesin e çerekfinales ndërmjet pozitës së tretë dhe të gjashtë.

Fituesit e gjysmëfinaleve do të avancojnë në finale, kurse humbësit do të luajnë për pozitën e tretë.

EUROHOLD Balkan League do të fillojë më 15 tetor me ndeshjet KK Teodo - BC Balkan e KK Kozuv – KB Peja. Të nesërmen do të takohen KK Kumanovo 2009 kundër KB Sigal Prishtinës.

Data: 02 Tetor 2013 16:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera