Kthehu lart

​Bajrush Morina ofendon rënd Kryetaren e AGPK’së

​Bajrush Morina ofendon rënd Kryetaren e AGPK’së
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 20:53

Kryeredaktori i gazetës “Bota Sot”, Bajrush Morina e ka ofenduar rënd Kryetaren e AGPK’së, Liridona Llukën.

Morina i është kthyer historisë dhe është pajtuar me fyerjet që kohë më parë Milaim Zeka ia kishte bërë Liridona Llukës.

“Por, ajo që mund të them nga pozicioni i sotëm kohor është se Milaim Zeka ka pasur të drejtë kur i është drejtuar me ato fjalë Liridona Llukës”, ka shkruar Morina sot në gazetë.

Krejt ky reagim i Kryeredaktorit të Bota Sot ka ardhur pasi kishte kërkuar të reagonte AGPK’ja pas një kërcënimi që kishin marrë nga i ashtuquajturi Forumi i të Rinjve Mysliman.

Kryetarja e AGPK’së kishte thënë se nuk do të reagojnë pasi nuk kanë reaguar ndaj një kërcënimi të tillë kur i është bërë edhe Arbana Xharrës e edhe vetë AGKP’së.

Ndryshe, në maj të vitit 2010, Milaim Zeka ishte përplasur me fjalë me Liridona Llukën në aeroport. Zeka në atë kohë e pati quajtur Llukën “lopë të Danimarkës”.

Sidoqoftë, Morina thotë se në atë kohë është ndier keq kur ka dëgjuar fjalët e gazetarit Zeka, por se tri vite më vonë pajtohet krejtësisht me konstatimet e tij në drejtim të gazetares Lluka.

“E kam ndier vetën tepër keq kur e kam dëgjuar komunikimin e Milaim Zekës me gazetaren Liridona Lluka në një konferencë shtypi në aeroportin e Prishtinës. Pas këtij rasti dhe pas këtij komunikimi me të ashtuquajturën dhe të vetëzgjedhurën me vota të PDK’së në krye të AGPK’së, Liridona Lluka, përsëri nuk më mban ndërgjegjja ta quaj me fjalorin e Milaim Zekës. Thjesht nuk mund t’ia them ato fjalë që ia ka thënë Milaim Zeka, Liridonës”, ka shkruar Bajrush Morina.

Pas kësaj përgjigje, Morina i ka shkruar Llukës dhe i ka thënë se gazeta Bota Sot tërhiqet nga AGPK’ja dhe se këtë organizatë nuk e konsideron si mbrojtëse të gazetarëve.

Pastaj ka ardhur edhe përgjigja e Llukës.

“Nuk kë të drejtë me më ofendu ti mua kaq. Vepro si të duash!”, ia ka kthyer Lluka përgjigjen përmes telefonit Bajrush Morinës.

Data: 18 Gusht 2013 20:53
Autori: GazetaExpress

Të tjera