Kthehu lart

Azia po lëviz

Azia po lëviz
GazetaExpress E hënë, 12 Mars 2012 08:20

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto thotë se disa shtete aziatike po lëvizin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai përmend Sulltanatin e Bruneit dhe Tajlandën. Në një intervistë për Express, Haxhinasto thotë se marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, e ka forcuar pozicionin e shtetit të ri në raport me BE’në.

Kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se Sulltanati i Bruneit dhe Tajlanda kanë bërë hapat e parë drejt njohjes së Kosovës dhe pritet që shpejt të ketë edhe veprime të tjera.

Në një intervistë për Express, Haxhinasto ka treguar se posa është kthyer nga Azia Juglindore dhe atje ka parë lëvizje të shteteve që pritet ta njohin Kosovën.

“Mund të them se Sulltanati i Bruneit u shpreh shumë qartë, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë që të njohin Kosovën dhe sigurisht ky është një angazhim serioz nga ana e këtij shteti dhe jam i bindur se në ditët e ardhshme do të kemi zhvillime pozitive”, ka paralajmëruar Haxhinasto, të dielën, për gazetën Express.

Veç kësaj, ai ka bërë të ditur se tashmë tajlandezët kanë bërë hapin e parë drejt njohjes së Prishtinës, ngaqë kanë pranuar pasaportat e Republikë së Kosovës.

“Po kështu edhe në Tajlandë u shprehën shumë qartë se Tajlanda do të ndërmarrë hapa gradualë drejt njohjes së Kosovës dhe një hap i tillë i rëndësishëm ishte për shembull njohja e pasaportave dhe lejimi i qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si shtetas të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se me këtë hap Prishtina i është ofruar edhe më shumë BE’së.

Me gjithë përpjekjet e Beogradit për të penguar njohjet për Kosovën, Haxhinasto deklaron se marrëveshja për fusnotën do të ndikojë pozitivisht në shtimin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të ri.

“Jam i bindur që Kosova ka hedhur një hap të rëndësishëm edhe drejt procesit të njohjeve të reja pasi marrëveshja zgjidh një problem shumë të rëndësishëm ekzistues midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë dhe sigurisht ndikimi i saj është shumë pozitiv edhe te shtetet që janë në procesin e njohjes së Kosovës”, ka deklaruar Haxhinasto.

Megjithëse ka pasur vlerësime nga një pjesë e politikës në Prishtinë se fusnota e ka dëmtuar shtetësinë e Kosovës, Shefi i diplomacisë shqiptare thotë se me pranimin e fusnotës, Serbia e ka njohur Kosovën.

“Kosova ka fituar me këtë marrëveshje. Ajo ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm përpara për integrimin e saj së pari në strukturat rajonale, në iniciativat rajonale dhe organizatat rajonale. Marrëveshja në vetvete është në thelb njohje e sovranitetit të Kosovës. Është në vetvete njohje e saj si subjekt i pavarur ndërkombëtar që ulet rreth tryezave dhe iniciativave rajonale, por edhe më pas në marrëdhënie të qartë me BE’në”, ka shtuar ai.

I pyetur për zgjidhjen e problemit të Veriut, Haxhinasto ka thënë se për atë pjesë të Kosovës duhet të vlejë Pakoja e Ahtisaarit.

“Unë nuk shoh nevojë për zgjidhje politike, rruga për të zgjidhur problemin në Veri të Kosovës është pikërisht zbatimi i plotë i Pakos së Ahtisaarit për Veriun që është një plan që ndjek rrugën e duhur, që garanton të drejtat e komuniteteve atje, është një përqasje europiane dhe pikërisht me këtë përqasje mendoj se ky problem mund të zgjidhë edhe më shumë hapa në rrugën e saj në integrimin europian”, ka shtuar ai.

Ai ka këshilluar Prishtinën se për t’i bindur shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të përdorin faktin se shteti i ri ka sjellë stabilitet dhe standard të ri në Ballkan.

“Mendoj se argumenti më i fortë dhe më i qenësishëm i pavarësisë së Kosovës dhe i mbështetjes për njohjet e reja për të, është se Kosova ka sjellë një standard të ri të paqes dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit”, ka thënë kryediploamti shqiptar.

Kreu i diplomacisë shqiptare ka thënë se tash pret reflektim të shpejtë të BE’së në raport me Kosovën, si në përshpejtimin e Studimit të Fizibilitetitt, ashtu edhe përshpejtimin e liberalizimit të vizave.

Data: 12 Mars 2012 08:20
Autori: GazetaExpress

Të tjera