Kthehu lart

As Nigeria

As Nigeria
GazetaExpress E premte, 07 Shtator 2012 07:29

Nigeria nuk e ka njohur pavarësinë. Ministri i Jashtëm i këtij shteti afrikan, Olugbenga Ashiru, ka thënë në një prononcim për Express se në vendin e tij nuk është marrë ndonjë vendim për njohjen e Republikës së Kosovës. Zëvendëskryeministri Pacolli, i cili vitin e kaluar një letër nga Nigeria e kishte prezantuar si njohje, të enjten ka heshtur.

Disa ditë pas konfirmimit se njohja e 92’të nga Mali asnjëherë nuk ka ndodhur, të enjten është bërë e ditur përfundimisht se nuk ekziston as njohja nga Republika Federale e Nigerisë.

Kjo është konfirmuar të enjten nga Ministri i Punëve të Jashtme i Nigerisë, Olugbenga Ashiru, në një prononcim për Express.

Me kryediplomatin nigerian, Gazeta ka kontaktuar përmes telefonit duke e pyetur se a ka marrë Nigeria ndonjë vendim për të njohur Kosovën.

Përgjigja ka qenë negative.

“Ne nuk kemi marrë asnjë vendim për këtë”, ka thënë Ashiru në një prononcim të shkurtër për Express të enjten.

Nga përgjigja e Ashiru del se Kosovën me letra e kanë njohur vetëm 90 shtete, ndërkohë mbetet po ashtu e pasqaruar edhe njohja nga Uganda, e cila nuk ka dërguar ende notë verbale në Prishtinë.

Njohja nga Nigeria ishte bërë publike në shtatorin e vitit të kaluar nga Zëvendëskryeministri Pacolli, i cili kishte vizituar disa herë këtë shtet afrikan. Në atë kohë, Lideri i AKR’së pati deklaruar se njohja nga Nigeria është e rëndësisë së veçantë edhe për faktin se ky vend ka një ndikim të jashtëzakonshëm në këtë pjesë të botës.

Ndryshe, në listën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ende figuron se Nigeria e ka njohur Kosovën para një viti, saktësisht më 12 shator 2011.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Data: 07 Shtator 2012 07:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera