Kthehu lart

Artistët flasin për Zyrën!

Artistët flasin për Zyrën!
GazetaExpress E mërkurë, 31 Korrik 2013 14:46

Të martën në mbrëmje ka ndërruar jetë humoristja e njohur Zyrafete Gashi – Zyra.

Zyrës, qysh para 10 viteve i ishte paraqitur një sëmundje e rëndë, kanceri i gjirit. Ajo për shumë vite luftoi me këtë sëmundje e vetme, ajo askujt nuk i tregonte për sëmundje.

Madje edhe vetë Zyra në një emision për First Channel ishte shprehur se edhe kur ishte duke marrë terapi shkonte të bënte humor. Madje edhe kur i kishin rënë gjithë flokët e vetullat, ajo me paruke bënte të qeshnin me lot fansat e saj, por vet djersitej nga mundi e dhimbjet.

Zyra një herë i kishte mbijetuar kësaj sëmundje, mirëpo pas pak kohe i ishte shfaqur prapë.

“Më e rëndë ishte kur e kuptova se më është përsëritur sëmundja, se sa herën e parë kur u diagnositifikova” ishte shprehur në një intervistë ajo.

Por për të humori ishte jeta. Ajo madje ishte larguar edhe nga profesioni që e kishte pasur si infermiere, vetëm që t’i përkushtohej humorit.

E për humbjen e saj, ngushëllime shprehën shumë artistë shqiptar.

Në një prononcim për infoGLOBI-n, autori i emisionit Valamala, Valon Maloku i cili kishte bashkëpunuar shumë herë me Zyrën, u shpreh se Zyra ishte personi që më së shumti e donte jetën.

“Ishte njeriu që më së shumti e donte jetën. Ajo me vite nuk u ka treguar njerëzve për sëmundjen e saj. Ajo ishte njeri më i vullnetshëm dhe më i përgjegjshëm në jetë. Jam shumë i mërzitur për humbjen e saj” tha Valoni, duke mos mundur më të shtoj as edhe një fjalë nga dhembja dhe mërzia që ndjente për miken e tij.

Edhe këngëtarja Edona Llalloshi e cila siç mëson infoGLOBI, kishte vizituar Zyrën pak ditë më parë, në rrjetin social Facebook ka shprehur dhimbje të madhe për humbjen e artistes.

“Eh bre Shoqe e dashur, veprat tua artistike, humori yt i cili mbretëronte në zemrën tënde gjithçka ishte nga zemra jote e bardh, e shoqëruar në familje njësoj edhe në shoqeri. Kjo na bën të mburremi ne gjithë shqiptarët që të kishim ty moj shoqe, e dashur… me dhembje e shkruaj këtë koment për ty pas gjithë atyre momenteve gazmore dhe jetës së ëmbel që kishim, u prefsh në paqe Zyrafete Gashi. Me dhembje të thellë, Edona Llalloshi” është shprehur këngëtarja.

Edhe këngëtarja Linda Halimi nga Amerika ka shprehur dhimbjen që ndjen për humbjen e Zyrafetes.

“Kam patur nderin të takoj një zonje kaq të madhe siç ishte zonja Zyrafete Gashi, e cila me humorin dhe zemren e saj të madhe arriti të argëtojë një popull të tërë… Sot ajo iu bashkua familjes së engjujve duke festuar me ta jetën e përjetshme…” është shprehur Linda.

Ndërsa gazetari dhe prezantuesi Maksim Gjokaj- Maxi në një prononcim për infoGLOBI-n pohoi se Zyra kurrë nuk i tregonte atij për sëmundjen që kishte.

“Ishte e sëmurë. Unë e dija kur e takoja por kurrë nuk e tregonte, ajo rrezantonte shpresë dhe dashuri. Zyra ka lënë skenën por ajo do të mbahet mend si një super personazh i humorit të holle e të bukur shqiptarë e vështirë të gjendet një Zyrë tjetër si ajo” tha Gjokaj duke shtuar se Zyra ishte ajo që e mësoi se në skenë dhe art duhet vetëm dedikm dhe dashuri.

E ngushëllime për Zyrën kanë shprehur edhe dhjetra artistë tjerë në rrjetet sociale Facebook e Twitter.

Data: 31 Korrik 2013 14:46
Autori: GazetaExpress

Të tjera