Kthehu lart

Arrest shtëpiak për të gjithë

Arrest shtëpiak për të gjithë
GazetaExpress E shtune, 25 Maj 2013 01:40

(E plotësuar në ora 1:44) Gjyqtari i procedurës paraprake ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për Grupin e Drenicës, të cilët akuzohen për maltretime ndaj civilëve në burgun e Likocit gjatë qershorit të vitit 1998.

Pas më shumë së 11 orë seance, Grupit të Drenicës i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak nga gjyqtari i procedurës paraprake, duke refuzuar kërkesën e prokurorit të lëndës, Maurizio Salustro.

Të akuzuarit, Ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi; ish Komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku; komandantit të brigadës 111 Jahir Demaku; Zeqir Demakut, Sahit Jasharit, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi, janë të akuzuar nga Salustro për krime luftë ndaj civilëve.

Avokati i Sahit Jasharit, Tahir Rrecaj ka thënë se si mbrojtje konsiderojnë se nuk ka pasur arsye të shqiptohet masa e arrestit shtëpiak.

“Gjyqtari i procedurës paraprake shpalli vendimin me të cilin të gjithë personat e dyshuar shtatë sa janë, iu ka caktuar masa e arrestit shtëpiak për tridhjetë ditë, që do të thotë se iu refuzua kërkesa e prokurorit për paraburgim”, ka thënë Rrecaj.

Ndërsa, në anën tjetër, avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi ka theksuar se është e mirë që nuk është përcaktuar paraburgimi, por konsiderojnë se nuk ka qenë nevojë të caktohet as kjo masë e cila është masa e dytë me e rënd pas paraburgimit.

“Për ne ky vendim është shumë i padrejtë, është një skandal juridik sepse nuk ka pasur kurrfarë arsye që të caktohet masa e arrestit shtëpiak dhe gjyqtari ka mundur të sjell një masë më të rënd që është paraburgimi i tyre. Besoj se të gjitha provat që janë shqyrtuar në këtë seancë janë dëshmuar, posaçërisht mbrojtja e avokatëve dhe vet deklarata e komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve se nuk ka ndodhur asnjë krim në Likoc në kohë për të cilën prokurori e përmend dhe ne mendojmë që të ankohemi këtë vendim në ditën e parë të gjykatës që do të thotë të hënën”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se do të bëjnë ankesë ndaj këtij vendimi të hënën, derisa kolegji e ka obligim që pas ankesës së tyre, brenda 48 orëve që i bie ka mesi i javës së ardhshme.

Gashi ka thënë se ky është vetëm një spektakël i EULEX-it në krye me prokurorin Salustro që të hiqet vëmendja nga veriu. Derisa, ai ka mohuar të kenë informacione se të akuzuarit kanë akuza edhe për vrasje.

Ndërsa, sipas informacioneve, Ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi akuzohet për 7 vepra penale, ish Komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku me 3 vepra penale, ndërsa Sahit Jashari me 8 vepra penale.

Rreth 200 veta janë mbledhur për të pritur vërdiktin e gjykatësit të procedurës paraprake.

Pas lajmit se atyre i është përcaktuar masa e arrestit shtëpiak, të gjithë këta kanë brohoritur “UÇK, UÇK”, dhe kanë brohoritur emrat e ish komandatëve të tyre, të cilët gjatë ditës së sotme janë marrë në pyetje.

Kanë përfunduar dhënien e deklaratave të shtatë të dyshuarit

Pas dy orëve gjykatësi i procedurës paraprake pritet që të marrë vendim nëse do të pranoj kërkesën e prokurorit që atyre t’ju caktohet masa e paraburgimit pas 30 ditëve apo të pranohet kërkesa e mbrojtjes që të dyshuarit të mbrohen në liri.

Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Sylejman Selimit, thotë se kërkesa e prokurorit Salustro dhe arsyet për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve janë të palogjikshme.

“Me arsyetim prokurori ka thënë se të dyshuarit, të ndikojnë tek dëshmitarët, mund të ikin nga vendi apo t’i përsërisin veprat për të cilët ata dyshohet se i kanë kryer. Kjo është e palogjikshme sepse tanimë jemi 15 vite pas luftës”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se përveç kërkesës së prokurorit për paraburgim asnjëri nga avokatët mbrojtës nuk e kanë dokumentacioni apo dëshmi për veprat ata po dyshohen se i kanë kryer.

“Prokurori po ashtu pretendon se të dyshuarit kanë mbajtur në Likovc persona civil të cilët janë maltretuar në formë të ndryshme nga ata”.

Deri me tash, Gashi thotë se janë gjashtë dëshmitar të cilëve prokuroria ju ka referuar në këtë rast.

Ndryshe, përveç qytetarëve të shumtë të cilët janë në pritje të vendimit aty gjenden edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, sic janë; Blerta Deliu - Kodra, Latif Gashi, Halilt Krasniqi, Ganimete Musliu, Bekim Haxhiu - Kamishi. Përvec deputetëve ka edhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, si Prenk Marashi, kryetar i OVL-së në Pejë.

Prokurori kërkon paraburgim për shtatë pjesëtarët e UÇK'së

Burime të Express marrin vesh se prokurori i EULEX'it, Mauricio Salustro ka kërkuar paraburgim për shtatë të dyshuarit për krime të luftës në rajonin e Drenicës.

Bëhet e ditur se Prokurorit e ngarkon ish-Komandantin e UÇK'së, Sylejman Selimi me shtatë vepra penale, ndërsa ish-Komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtakun me tri vepra penale, që dyshohet se janë kryer në kohën e luftës.

Burime tjera kanë thënë se Sabit Geci dhe Sahit Jashari dyshohen se e kanë vrarë Komandantin e policisë në Drenas ne kohen e luftes.

Aktualisht në Gjykatën e Apelit janë: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demakum Hysni Thaçi, Sabit Geci dhe Avni Zabeli.

Deri me tani Sahit Jashari ka dhënë deklaratën e tij, derisa aktualisht para trupit gjykues duke e dhënë deklaratën e tij është edhe i dyshuari tjetër Avni Zabeli.

Procesi do të vazhdoi derisa të shtatë të dyshuarit të japin deklaratat e tyre para prokurorit, gjykatësve dhe avokatëve mbrojtës.

Mbërrijnë në Gjykatë, mungon Sulltani

Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi kanë mbërritur në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ku do të dalin para gjykatësit të procedurës paraprake.

Bashkë me pesë të dyshuarit për krime lufte nuk ka shkuar edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi.

Gazetarja e Express njofton se të dyshuarit kanë hyrë në Gjykatë bashkë me avokatët e tyre.

Vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake pritet të publikohet pas disa orësh dhe aty do të përcaktohet nëse të dyshuarit për krime të luftës do të mbrohen në liri ose do të jenë në paraburgim.

Seanca fillon në ora 15:00

Seanca kundër ish komandantit të UÇK-së Sylejman Selimi dhe të tjerëve do të filloi në ora 15:00 kanë konfirmuar burimet e Express.

Sipas informacioneve të para seanca pritet të mbahet në Gjykatën e Apelit, ku para prokurorit të EULEX-it, Selimi pritet të paraqitet në ora 15:00 .

Nuk dihet koha e mbajtjes së seancës

Avokat i Sylejman Selimit, Tomë Gashi thotë se koha e saktë e mbajtjes së seancës së sotme nuk dihet ende.

“Ne supozojmë se ajo do të mbahet në mes të orës dy dhe tre. Në atë kohë, Selimi do të paraqitet në gjykatë; besoj se do të jetë në Gjykatën e Apelit, për shkak të hapësirave që i ka, por ende nuk është e përcaktuar saktësisht”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Gashi tha po ashtu se deri më tash nuk ka akuzë të ngritur.

“Duket se janë zhvilluar hetime për vepër penale të krimeve të luftës, ndërsa detajet nuk i dimë. Besojmë se sot prokurori i Prokurorisë Speciale, i cili është edhe prokuror i EULEX-it, Salustro, do të na japë shkresa të lëndës ose do të na njoftojë ndoshta për detajet e këtyre aludimeve”, tha Gashi

Sulltani në Gjykatë, bashkë me shokë

Sylejman Selimi pritet të paraqitet nesër në seancën e procedurës paraprake, ku një gjykatës i EULEX’it pritet të marrë vendim nëse Ambasadorit do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo do të lihet i lirë.

Seanca do të mbahet në orën 15:00 dhe aty, bashkë me Selimin, do të jenë edhe Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi – të cilët aktualisht po mbahen në mbajtje.

Avokati i Selimit, Tomë Gashi, tha se Prokurori që po heton këtë rast nuk ka kërkuar që Selimi të paraqitet sonte.

Gashi: Sulltani nuk ka ftesë nga EULEX'i

Sylejman Selimi, Ambasador i Kosovës në Shqipëri, duket se nuk do të takohet sonte me hetuesit europianë të EULEX’it.

Avokati i tij, Tomë Gashi, ka thënë se Selimi nuk ka ftesë për t’u paraqitur, por ai ka konfirmuar se mbi klientin e tij rëndojnë dyshime për krime lufte.

“Unë mund t’ju them zyrtarisht se z. Syla është i dyshuar për krime lufte, por zyrtarisht ai nuk është ftuar që të paraqitet”, ka thënë Gashi.

Lushtaku dhe katër të tjerë në mbajtje

Sami Lushtaku është ndalë në mbajtje. Këtë e ka konfirmuar avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci.

Përveç Lushtakut, për njëzetekatër orë janë ndaluar edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi.

Avokati i Kryetarit te Skenderajt ka thënë se Sami Lushtaku nuk është marrë në pyetje, por vetëm atij iu është kërkuar ti jap të dhënat personale.

"Me kërkesë të prokurorit special sot Sami Lushtaku është ndalë në mbajtje policore. Ai dyshohet se ka kryer krime lufte dhe ka shkelur konventën e Gjenevës", ka thënë Koci, pasi ka dal nga EULEX'i.

"Ai është i pafajshëm. Besojmë se shumë shpejt do të qartësohet kjo çështje. Nesër ai do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për paraburgimin eventual", ka shtuar ai.

Ndryshe, nesër (e premte) në orën 15, pesë ish-ushtarët e UÇK'së do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili pastaj do të vendos nëse të dyshuarit do mbahen në paraburgim apo do të mbrohen në liri.

Sylejmanin e thërrasin në EULEX

Tomë Gashi do të jetë mbrojtës ligjor i Sylejman Selimit, i cili po dyshohet nga EULEX’it për krime lufte.

Në një bisedë për Express, ai tha se në ora 16:00 do të takohet me zyrtarë të EULEX’it për ta sqaruar cështjen e klientit të tij.

“Unë e kam dorëzuar në EULEX autorizimin se jam avokat i Sylejman Selimit, i cili sipas medieve, po akuzohet për krime lufte. Zyrtarisht do të njoftohemi pas pak orësh për statusin e z. Selimi. Në ora 16:00 do ta marrim vesh saktësisht se për cfarë bëhet fjalë”, ka deklaruar Gashi.

Arrestohen pesë persona për krime lufte

Sot, Policia e EULEX-it në bashkërendim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë arrestuar pesë persona.

"Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skenderajit). Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte", thuhet në njoftimin e EULEX.

Arrestimet sipas këtij njoftimi, janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Shtabi në EULEX

EULEX ka filluar marrjen ne pyetje te komandanteve kryesore te Drenices, nen dyshimet per krime lufte.

Por, nuk dihet nese prokuroret europiane kane ngritur aktakuze ndaj ndonjerin prej te dyshuarave.

Ne mesin e te dyshuarave eshte Sylejman Selimi (Ambasador i Kosoves ne Tirane), Sami Lushtaku (Kryetar i Skenderajt), Jahir dhe Zeqir Demaku, Sabit Geci, Hysni Thaçi dhe Sahit Jashari, te cilit ne luften e fundit i jane vrare 16 anetare te familjes.

Express ka kontaktuar me Sami Lushtakun, i cili ka qenë rrugës për në selinë e EULEX’it, ku është ftuar për t'u marrë në pyetje lidhur me rastin më të fundit të krimeve të luftës kundër të të ashtuquajturit grupit të Drenicës.

“E dorëzova Sahit Jasharin me dorën time, e tash po shkoj edhe vet, si zakonisht, vullnetarisht”, tha duke qeshur Lushtaku.

Data: 25 Maj 2013 01:40
Autori: GazetaExpress

Të tjera